Boris Dittrich: Ju duhen me shume heronj si Klodi i Big Brother

Font size: Decrease font Enlarge font

Boris Dittrich: Ju duhen me shume heronj si Klodi i Big Brother


Kur 17 vjet më parë e kandiduan për në Parlamentin holandez, ai pranoi me kushtin që të tregonte mbi orientimin e vet seksual. Miqtë e tij ishin kundër. Por në radhë të parë ai dëshironte të respektonte veten. Boris Dittrich, drejtues i programit për të drejtat e homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve të Human Rights Watch ndodhet në Tiranë për të hapur fushatën kundër diskriminimit në Ditën Ndërkombëtare kundër homofobisë. Dittrich, ish- deputet i Parlamentit holandez, i cili mori iniciativën për miratimin e ligjit të martesave mes sekseve të njëjta, flet për gjendjen në Shqipëri, për debatin e hapur pas deklarimit të homoseksualitetit nga Klodian Çela në spektaklin “Big Brother” dhe eksperiencat personale.

Z. Dittrich, kjo është hera e dytë që vini në Tiranë, cila është arsyeja këtë herë?
Për mua si drejtues i Human Rights Watch, është shumë e rëndësishme të shoh se si ligji i miratuar disa muaj me parë, “Anti-diskriminim” po zbatohet. Jam ftuar nga organizatat për të drejtat e njeriut këtu në Shqipëri, për të mbështetur hapjen e fushatës kundër homofobisë, e cila do të nisë nesër. Menduam se ishte mirë të vija në Shqipëri, ku shoqëria ndodhet në një moment kyç dhe ku shohim perspektiva të mira ndaj integrimit në familjen evropiane dhe hapje ndaj tolerancës dhe transparencës. Do të zhvillojmë një konferencë për shtyp, do të flasim për ligjin, për propozimet e reja të Këshillit të Evropës, kundër diskriminimit. Për të vijuar më tej me një takim me studentët e universitetit, ku do të mbaj një leksion mbi të drejtat e njeriut dhe homofobinë.

Është thjeshtë një ftesë, apo arsyeja pse ju jeni këtu në Ditën kundër homofobisë, lidhet me problemet që Shqipëria ka në këtë drejtim?
Po, ka shumë probleme lidhur me homofobinë, por kam përshtypjen se ka shumë progres në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Nëse do të krahasojmë situatën tani, maj 2010 me shkurtin e një viti më parë, shoh ndryshime. Besoj se është e rëndësishme për HRW të monitorojë situatën në Shqipëri edhe gjatë viteve të ardhshme.

Shihni hapa pozitivë? Ne kemi dhe një ligj “Anti- diskriminim” tashmë...
Ju keni një ligj dhe them se është një ligj i mirë. Keni një ligj që mbron njerëzit nga diskriminimi për shkak të moshës, pamjes, gjinisë apo orientimit seksual. Në këtë drejtim është një ligj i mirë, por duhet thënë se është vetëm në një copë letër dhe duhet të shohim që njerëzit në Shqipëri janë ndërgjegjësuar dhe nuk diskriminojnë kategori të caktuara të shoqërisë. Por kjo kërkon kohë. Është e rëndësishme që ligji të zbatohet dhe të zhvillohet përmes komisionarit të ri. Por ndërkohë ka nevojë për debate publike, njerëzit kanë nevojë të njihen me problemin dhe të kuptojnë se të diskriminosh të tjerët nuk është diçka e mirë.

Ç’thonë raportet mbi të drejtat e njeriut për Shqipërinë?
Një nga raportet e fundit që kam lexuar mbi Shqipërinë ka qenë pozitiv, për shkak të miratimit të ligjit nga Qeveria dhe Parlamenti, por sigurisht që ka shumë probleme në këtë shoqëri.

Çështja e homoseksualitetit u bë një “temë dite” në Shqipëri, kur një i ri shqiptar deklaroi përpara kamerave të një reality show orientimin e tij seksual. Pati reagime të forta. Mendoni se shoqëria shqiptare është gati për përballjen me këtë realitet?
Po, besoj se po. Njerëzit nuk janë mësuar të flasin mbi seksualitetin në Shqipëri, aq më tepër mbi homoseksualitetin që është një temë delikate dhe mendoj se ky djalë që është deklaruar në një reality show, është vërtetë i guximshëm. Kërkohet kurajë për ta bërë një gjë të tillë. Sepse janë të shumtë ata që të kritikojnë, madje kur organizohen në grupe, është më e thjeshtë të atakosh dikë tjetër. Por jam i mendimit që ju duhen më shumë heronj si ky djalë i ri, i cili hapi këtë debat. Ju nevojiten më shumë gra dhe burra të rinj të guximshëm. Shoh se dy grupe të reja për të drejtat e LGT (lesbike, gei, transseksualë), janë krijuar në Shqipëri dhe kjo është një shenjë e mirë, që njerëzit kanë filluar të kenë më shumë besim tek vetja dhe të thonë: shikoni, ne i përkasim kësaj shoqërie dhe jemi si gjithë të tjerët, pavarësisht se kemi orientime seksuale të ndryshme. Ja ku jemi dhe ju duhet të na pranoni. Kjo është faza e parë e një procesi dhe mendoj se Shqipëria është gati për këtë.

Kohë më parë, kryeministri Berisha hodhi për diskutim edhe martesat mes sekseve të njëjta. Në një vend, ku vështirë të pranohet homoseksualiteti si një realitet, nuk është herët për të folur për këto martesa?
Kjo ishte vërtet interesante. Punoj për të drejtat e njeriut dhe jam ndeshur në raste diskriminimi, kur punëdhënësi ka larguar nga puna një punonjës, sepse ai është gej, apo lesbike, apo ndjekje nga apartamenti për shkak të orientimit seksual. Këto janë diskriminime të dhunshme dhe ne duhet të parandalojmë këtë gjë. Martesa është një fazë më e vonshme. Nuk është në vend të parë, pasi në radhë të parë ju duhet të merrni bazat e të drejtave të njeriut. Por është tepër interesante që një kryeministër të bëjë një deklaratë të tillë, pasi ai ofron mundësi për të menduar. Nuk duhet të mendojmë se nëse kryeministri thotë diçka, javës tjetër, të gjithë do të jenë në favor të martesave gej. Ky është fillimi i diskutimit dhe ai mund të vazhdojë me vite të tëra, por është mirë të diskutohet për këtë gjë.

Ju jeni i pari anetar i Parlamentit holandez që keni pranuar hapur homoseksualitetin tuaj, ju ka hapur ky fakt probleme, gjatë karrierës suaj politike?
Jo. Më kujtohet që kur më kandiduan për në Parlament në vitin 1994 dhe fushata filloi në 1993, pra 17 vjet më parë, thashë se pranoja, por dëshiroja të bëja publik orientimin tim seksual, sepse ajo ishte pjesë e imja dhe dëshiroja të isha i hapur dhe transparent. Pati shumë kolegë të mi politikanë që më këshilluan që të mos deklaroja homoseksualitetin tim, pasi do të humbisja vota, sepse njerëzit nuk do të më merrnin seriozisht. Dhe unë u thashë se nëse nuk isha i hapur dhe i ndershëm me veten time, si mund të pritet që të përfaqësoj të tjerët. Kështu që pranova kandidaturën me kushtin që të tregoja mbi veten time. Dhe është i këndshëm fakti që shumë njerëz kanë votuar për mua dhe këtu flas për heteroseksualë, sepse menduan se jam një njeri i ndershëm, që e di se çfarë dua, se nuk kam sekrete, isha mendjehapur dhe duhet të më besonin. Gjatë viteve që kam qenë në Parlament, nuk kam pasur asnjë problem, por sigurisht që nuk kam folur mbi homoseksualitetin çdo ditë, pasi isha lideri i një partie politike dhe kisha një program për të ndjekur, mbi çështje ekonomike, mbi zhvillimin, etj. Por në fillim të karrierës sime politike mendoja që njerëzit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe në drejtim të martesës, kështu që hodha idenë e martesave mes seksit të njëjtë, çka e propozova në Parlament në 1994. Në fillim njerëzit ishin kundër dhe thoshin se një çift homoseksual nuk ka përse të martohet, por me kalimin e kohës menduan se kjo mund të ishte edhe e arsyeshme dhe në fund unë mora shumicën për propozimin tim. Këtë çështje e kanë ndjekur edhe shumë vende të tjera, ku ligji im është një shembull dhe jam i kënaqur ta shoh këtë përkundër gjithë atij kriticizmi dhe skepticizmi, me të cilin u përballëm, duke qenë të parët. Por unë i shkova deri në fund dhe kjo më ka shërbyer si një leksion jete, sepse nëse beson në diçka dhe ke argumente të mira, atëherë duhet t’i shkosh deri në fund.

Ishte dëshira për të mbrojtur të drejtat e njerëzve me orientime të ndryshme seksuale, një arsye pse ju i hytë politikës?
Jo. Kisha shumë ideale dhe dëshiroja të bëja disa ndryshime në shoqërinë holandeze. Kam qëndruar në politikë për 12 vjet. Kam qenë lider i partisë sime dhe në 2003-shin, pas zgjedhjeve të tjera, bashkë me kryeministrin dhe liderin e një partie tjetër krijuam një qeveri të re. Gjatë karrierës sime politike jam munduar të ndryshoj shumë gjëra në shoqërinë holandeze.

Në hartën e vendeve evropiane, cili është vendi më problematik në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut?
Them se në këtë drejtim Maqedonia është një vend më problematik se Shqipëria. Ligji shkoi në Parlament dhe politikanët nuk ishin gati për të mbrojtur njerëzit me orientime të ndryshme seksuale, duke thënë se nuk janë gati për një hap të tillë. Ata kanë një ligj të keq. Shumë grupe të të drejtave të njeriut dhe në Maqedoni e vende të tjera, do të bëjnë një fushatë aty.

Po vendet më të hapura?
Në shumë vende tanimë homoseksualiteti nuk përbën një problem. Sigurisht që gjithnjë do të ketë njerëz që diskriminojnë të tjerët, por flas në drejtim të ligjit, politikës. Bëhet fjalë për Vendit e Ulëta, Portugalia, Anglia, Franca, Belgjika, Holanda, Spanja, etj.

Ndoshta Italia dhe Greqia janë më poshtë në këtë listë, apo jo?
Keni shumë të drejtë. Në Itali, është shumë i fortë ndikimi i Kishës së Romës mbi politikën. Nuk ka një ndarje mes fesë dhe shtetit dhe kjo është diçka e mirë. Kështu që edhe aty ka shumë homofobi, jo sa në Shqipëri, por ka ende shumë probleme, për të cilat duhet të shqetësohemi. Në Greqi ndërkohë ka shumë probleme. Në ato vende evropiane ku ende vazhdon të ketë homofobi, ndikimi i kishës është shumë i madh, si në rastin e kishës ortodokse në Rusi, Serbi, Greqi..

Cili do të ishte mesazhi juaj drejtuar shqiptarëve, në ditën kundër homofobisë?
Nesër do të jemi të gjitha organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qofshin këto për fëmijët, orientimin seksual, etj. për t’i dhënë publikut shqiptar mesazhin: përpiquni të dëgjoni dhe të kuptoni njerëzit me orientime të ndryshme seksuale. Hapni veten tuaj dhe mos diskriminoni.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image: