Qyteti shqiptar dhe procesi i islamizimit në periudhën osmane
Prof. Dr. Ferit Duka
Qyteti shqiptar dhe procesi i islamizimit në periudhën osmane
Depërtimi në shkallë të gjerë i fesë islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete. Me vendosjen e sundimit osman, qytetet shqiptare filluan të funksionojnë si qendra administrative, ekonomike dhe kulturore të sistemit të ri politik. Në përshtatje me rolin e tyre ekonomik e shoqëror, në qytete u përqendrua jo vetëm shumica e personelit administrativ e ushtarak osman, por edhe kleri islamik bashkë me institucionet e kultit që u shumuan me shpejtësi.
Qytetet kryesore shqiptare, si Elbasani, Berati, Prizreni, Shkodra, Vuçiterna(sot: Vushtria-F.D.), etj. u bënë seli e dinjitarëve kryesorë të pushtetit provincial osman si, e sanxhakbejlerëve, allajbejlerëve, kadijve, etj. Qytete të tjera më të vogla u shndërruan në qendra të kazave ose të nahijeve. Nga ana tjetër, degët kryesore të veprimtarisë ekonomike në qytete, zejtaria dhe tregtia, filluan të modelohen në përputhje me kërkesat e ushtrisë dhe të funksionarëve të pushtetit osman në provinca dhe në qendër. Në këto rrethana, fillimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe shoqërore të qyteteve shqiptare në fund të shek. XV dhe fillim të shek. XVI, përkon në kohë edhe me fillimet e depërtimit të Islamit në masën e gjerë të popullsisë qytetare. Ndërsa për mjaft qendra qytetare fillimet e këtij procesi konstatohen vetëm në vitet ‘20-30 të shek. XVI, për disa të tjera duket se feja e re ka nisur të “zbresë” nga parësia e islamizuar në masën e popullsisë qytetare të krishterë, të paktën që nga vitet 80 të shek. XV.
Kështu p.sh. qytetet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Beratit, ende në fillim të shek. XVI nuk kishin të regjistruar asnjë shtëpi myslimane (këtu përjashtohet klasa ushtarake-administrative pjesëtarët e së cilës nuk regjistroheshin në defterët osmanë,sepse nuk bënin pjesë në popullsinë taksapaguese). Ndryshe nga qytetet e lartpërmendura, që në vitin 1485 qyteti i Shkodrës numëronte 26 shtëpi myslimane, ndërsa qyteti i Pejës 23 syresh. Për më tej, në qytetin e Vuçiternës më 1487, ekzistonte “bashkësia e myslimanëve” me 33 shtëpi nga 107 shtëpi që kishte qyteti; po këtë vit në qytetin e Prishtinës numëroheshin 51 shtëpi të islamizuara nga 299 shtëpi që kishte gjithsej qyteti; ndërsa qyteti i Tetovës që më 1468 kishte të regjistruara 41 shtëpi të kthyera në Islam nga 164 shtëpi që numëronte gjithsej ky qytet.
Islamizimi i popullsisë së qyteteve shqiptare realizohej përmes dy rrugëve: e para, nëpërmjet kalimit në Islam të vetë popullsisë banuese nëpër qytete dhe e dyta, përmes lëvizjes mekanike të popullsisë fshatare drejt qyteteve. Veçanërisht për disa qytete rruga e dytë, d.m.th. ardhja në qytet e elementëve të sapoislamizuar nga rrethinat fshatare, evidentohet qartë në dokumentacionin historik të kohës. Gjallërimi i veprimtarisë ekonomike në qytete krijoi mundësi për ardhjen dhe punësimin këtu të zejtarëve të specialiteteve të ndryshme nga fshatrat përreth. Mirëpo për personat e ardhur nga fshati përqafimi paraprak i Islamit donte të thoshte lehtësim i hyrjes së tyre në qytet, pas së cilës ata fitonin edhe statusin e “qytetarit” (shehirliut).
Shembullin më të qartë të shtimit të popullsisë qytetare me kontingjente njerëzish të islamizuar me prejardhje nga fshati, rrjedhimisht, të përparimit të procesit të islamizimit në qytetet shqiptare, na e japin qyteti i Beratit dhe ai i Elbasanit. Në vitin 1583 në të parin janë regjistruar 185 zejtarë myslimanë të ardhur nga fshatra të ndryshëm si Fratar, Gjerbës, Tozhar, Dobronik, Gjeqar, etj., ndërsa në Elbasan janë regjistruar 39 zejtarë të tillë (hajmanagan).
Edhe pse zhvendosja e mjaft elementëve zejtarë nga rrethinat fshatare drejt qyteteve luajti rol jo të pakët në formimin e popullsisë myslimane të qyteteve, vendin kryesor në këtë proces e zinte islamizimi gradual i vetë popullsisë qytetare. Këtë e tregon më së miri shtesa natyrore e popullsisë së krishterë,e cila sa vinte e pakësohej, pasi një pjesë e rëndësishme e kësaj popullsie rezulton të jetë kthyer në besimin islam. Një karakteristikë e dukshme e pamjes fetare të popullsisë qytetare gjatë shek. XVI-XVII ishte edhe fakti se zejtarët formonin përqindjen kryesore të popullsisë së islamizuar, gjë që flet për rolin e rëndësishëm të zejtarisë në jetën ekonomike të qyteteve shqiptare pas vendosjes së sundimit osman. Kjo pjesë e popullsisë dallohet qartë në regjistrimet osmane, sepse pas, ose përpara emrave të banorëve myslimanë të regjistruar, shënohen emrat e zejeve përkatëse.
Ndërsa në pjesën qytetare të popullsisë shqiptare feja islame u përhap me ritme relativisht të shpejta, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI, dukuria e apostazisë (lëshimit të fesë) ende kësaj kohe nuk ishte karakteristike për popullsinë fshatare. Dallimet e mëdha midis popullsisë qytetare dhe asaj fshatare përsa i përket shkallës së islamizmit, duken në faktin se aty nga fundi i shek. XVI përqindja e islamizmit të së parës kapte shifrën 49 në një kohë që e dyta ishte islamizuar vetëm në rreth 17% të saj. Megjithatë, kalimi total në Islam i parësisë shqiptare, konsolidimi i pozitave të fesë islame në qytete nëpërmjet depërtimit masiv të saj në radhët e popullsisë qytetare, ishin premisa të fuqishme për shpejtimin e ritmeve të islamizimit edhe në pjesën rurale të popullsisë.
- Grupi Dora-Dores
- Alliance of Civilizations: Experiences and Challenges - Press and inter- religious co-habitation in Albania
- Megi Mulita_ Winner of the first prize of the AoC Essay competition
- Krerë të Komuniteteve fetare kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë Myslimanët: Mos ndaloni shaminë në shkolla
- Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare (25 Nëntor 2009 - 3 Shkurt 2010)
- Raporti i DASH: Shqipëria respekton liritë fetare
- Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)
- Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010
- AFALC organizon trajnimin e katert per Gazetarine Nderkulturore
- Fillimet e erës osmane në qytetin e Gjirokastrës



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment