Vatikani, 10 rregulla kundër pedofilisë
Papa Benedikti XVI ka publikuar disa ditë më parë dhjetë rregulltat e reja të antipedofilisë
Momenti i shumëpritur erdhi, shuplaka e rëndë ndaj priftërinjve pedofilë që muajt e fundit kanë përlyer imazhin e Kishës Katolike, më në fund mori formën zyrtare nga Selia e Shenjtë e Vatikanit. Papa Benedikti XVI ka publikuar disa ditë më parë dhjetë rregulltat e reja të antipedofilisë, duke dëshiruar të shpëtojë me to imazhin e Kishës Katolike dhe besimin e humbur ndaj priftërinjve të ndershëm. Në SHBA, Gjermani, Itali, Gjermani, Irlandë e kudo gjetkë, të shumta qenë rastet e katolicizmit pedofil me një numër viktimash përditshmërisht në rritje. Jo pak herë Vatikani e Papa Ratzinger kanë reaguar me fjalë e deklarata shtypi në mbrojtje të të pafajshmëve e familjeve të tyre, kanë dënuar përgjithësisht tipologjinë e priftit pedofil, por mbi të gjitha kanë kërkuar të mbrojnë besimin e krishterë me kupolën e saj më të lartë, Selinë e Shenjtë. Pritej me kohë një reagim konkret, zyrtar; pritej nga viktimat, nga besimtarët, nga opinioni publik e politik e nga media ndërkombëtare laike e fetare.
Papa Benedikti XVI dhe Selia e Shenjtë vulosën më 14 korrik dhjetë normativat kundër pedofilisë që përmirësojnë tekstin e mëparshëm të hartuar në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II. Ky tekst i quajtur Delicta Graviora rendiste listën e fajeve më të rënda të urdhërit klerikal e shpesh kritikohej pasi impononte sekretin fetar ndaj tyre. Zëdhënësi i shtypit i Papës Ratzinger, prifti Federico Lombardi e imzot Charles Scicluca, promotori i drejtësisë së këtyre rregullave, prezantoi dje në Vatikan dhjetë rregullat që Selia e Shenjtë angazhohet t'i zbatojë për të varrosur një herë e përgjithmonë kritikat ndaj saj si mbrojtëse e fshehtë e pedofilisë klerikale. Për herë të parë këto rregulla vendosin si kardinalët e patriarkët barazisht me të njëjtat rregulla si çdokush që akuzohet për pedopornografi. Ky dokument i ri papal me normativat e tij përshpejton proceset dënuese, ashpërson dënimet e zvogëlon tentativat e mbajtjes fshehur të krimit të urryer të pedofilisë.
Rregullat e reja kundër pedofilisë të miratuara nga Vatikani
1-Krijimi i fajit të pedopornografisë, duke përfshirë këdo nga minorenët deri tek personat handikapatë
2-Riti i shkurtuar në vend të procesit të mëparshëm normal
3-Përdorimi i shtetit laik për fajet pedopornografike
4-Dënimi i blerjes e zotërimi i imazheve pedopornografike ndaj minorenëve deri më 14 vjeç
5-Dënimi i krimit pedofil nga 10 vjet që ishte më parë në 20 vjet
6-Lejimi i hetimit të autoriteteve ndaj rasteve të veçanta civile
7- Shndërrimi nga një konfesim i thjeshtë në një faj të rëndë ndaj kujtdo që ndaj të rriturve apo minorenëve ka dhunuar Komandamentin e Shtatë
8-Të gjykueshëm në Kongregacion si kardinalë, ashtu dhe patriarkë, peshkopë e nuncë.
9- Sekreti kanonik ndaj priftërinjve pedofil nuk mund të ndalojë denoncimin e autoriteteve civile
10-Pjesëmarrja e laikëve në gjykatat klerikale që gjykojnë rastet e pedofilisë
Reagimi i shtypit të huaj
E natyrisht nuk munguan komentet e mediave më të rëndësishme ndërkombëtare që vazhdojnë të jenë kritike e të kënaqura nga dhjetë rregullat e reja të Selisë së Shenjtë.
New York Times: "Një rishikim kuptimplotë që zhgënjen avokatët e viktimave"
El Pais: "Norma të ashpra e një rikthim në të kaluar"
Le Monde: "Vatikani ashpërson rregullat kundër pedofilisë, por lë të pakënaqur organizatat e viktimave"
Washington Post rendit vendimet kundërshtare ndaj rregullave të reja të Vatikanit duke i quajtur shumë më të dobëta sesa gjejnë zbatim në SHBA
Repubblica: "Pedofilia, Vatikani e çon drejt zgjidhjes. Një krim me një dënim të dyfishuar
Çfarë ka ndodhur deri tani!?
Mjafton të lexoje ditarin e lajmeve të një jave dhe e kupton dramaticitetin e alarmit “Abuzim minoren” dhe sa e pafuqishme është fuqia që pretendon nga Zoti. Priftërinj pedofilë gjermanë, irlandezë, italianë, shije seksuale të dokumentuara, epshe perverse me veshje hyjnore, superepshe të heshtura nën idealizmin e hierarkisë, abuzues të fjalës e veprës së Zotit. Viktima të dërrmuara psikologjikisht, të vetëvrara nga aroma e turpit që mbanin në trup, viktima që kishin harruar të flisnin e portrete fëmijësh në kujtime të rriturish. Statistika rrëqethëse, një tregti e neveritshme e pranishme në çdo popull e në çdo klasë sociale, një dramë e çdo shoqërie të civilizuar apo jo, një alarm i lançuar me kohë e që rikthehet përherë e më i frikshëm nën të njëjtin emër, “Abuzim minoren”. Fëmijë të rrëmbyer, të humbur, të shitur, të shfrytëzuar në mekanizmin e luftës, vjedhjes e punës së detyruar, të përfshirë në trafikun ilegal të organeve, të prostitucionit e të adoptimit. Fëmijë të dhunuar, të filmuar, të masakruar. 800 milionë konsiderohet numri i tyre në botë, miliona e miliona dollarë stimohet biznesi që u mbush xhepat përdoruesve të tyre e mijëra e mijëra konsiderohen viktimat e përvitshme të këtij fenomeni, përfshirë dhe ata që u përpoqën t’i jepnin një emër e një fytyrë kësaj tregtie. Mijëra persona zhduken çdo vit e midis tyre nuk mungon kurrë lista e fëmijëve të humbur. Disa prej tyre gjenden, të tjerë nuk kthehen kurrë. Sipas të dhënave të Interpolit, 20% e rasteve mbeten pa zgjidhje e një përqindje e lartë e 80% të gjetjeve pëson trauma dramatike. Familje në pritje të një lajmi, të një shprese në përpjeke për të mos menduar një krim të konsumuar mizorisht. E ndërsa dhimbja nuk gjen shërim, statistikat nënvizojnë se kjo dramë, mbi të gjitha në Evropë, po rritet frikshëm e me një udhërrëfyes të përhershëm, pedofilinë. Pedofilia në familje, në shkollë, në rreth miqësor, në internet. Kujdes! Të ruhemi, t’i vëzhgojmë, t’i mbrojmë kudo e me sa të mundemi. Po pedofilin nuk mundemi ta njohim. Psikologjia thotë se ai ka një maskë fshehëse efikase. Kërkojmë ndihmë e fuqi. O Zot na ndihmo ta njohim! Shpesh i pafajshmi që ka mundur ta njohë, hesht e hesht o flet e flet i lodhur pas vite e vitesh. O Zot, bëj ç’është e mundur që dikush të ketë fuqi të flasë. Jepi fuqinë e domosdoshme çdokujt që kërkon t’i drejtojë gishtin. Por sa fuqi duhet? Ciceroni britanik, Edmund Burke, thotë se “sa më e madhe është fuqia, aq më i madh është abuzimi”. E, a ka abuzim më të madh se ai ndaj një fëmije e fuqi më të madhe se ajo që proklamohet se komandohet nga Zoti? Mjafton të lexosh ditarin e lajmeve të një jave e kupton dramaticitetin e alarmit “Abuzim minoren” e sa e pafuqishme është ndihma që po i kërkon Zotit. Priftërinj pedofilë gjermanë, irlandezë, italianë, shije seksuale të dokumentuara, epshe perverse me veshje hyjnore, superepshe të heshtura nën idealizmin e hierarkisë. Viktima të dërrmuara psikologjikisht, të vetëvrara nga aroma e turpit që mbanin në trup, viktima që kish harruar të flisnin e portrete fëmijësh në kujtime të rriturish. Disa e imagjinonin, disa as dhe e kishin menduar se ndodhte, disa të tjerë akoma preferojnë “no comment”. E rëndësishme është se nisi të flitet. Ditë pas dite e ngjarje pas ngjarjeje u zbulua. Pedofilia apo priftofilia? Të dyja bashkë. Komunitet i indinjuar e priftërinj kokëvarur. Ndihma e fuqia kanë ndërruar rolet. Sigurisht, më mirë kështu.
Pedofilia e priftofilia në lajmet e javës së fundit shkurt 2010: Samiti i Vatikanit kundër pedofilisë; Mbyllen në Vatikan punimet e samitit dedikuar skandalit të pedofilisë në Irlandë. Papa Benedekti XVI, funksionarë të lartë të Kishës Katolike e 24 peshkopë irlandezë u mblodhën për të diskutuar për skandalin e raportit “Murphy”, ku dënohen abuzime ndaj fëmijëve, të kryera nga priftërinj pedofilë irlandezë. Raporti “Murphy”, publikuar në nëntorin e kaluar dëshmon se Kisha i ka mbajtur fshehur qëllimisht abuzimet e kryera në Arqipeshkopinë e Dublinit nga viti 1975 në 2004, duke ndjekur e vënë në praktikë politikën “mos pyet e mos fol”. Gjithnjë sipas këtij raporti, të gjithë peshkopët e Dublinit ishin në dijeni të këtyre ngjarjeve e preokupimi i tyre qe vetëm ruajtja e reputacionit të katolicizmit irlandez. Shtatëqind faqe dëshmish të paimagjinueshme, treqind e njëzet viktima e një seri e pafundme skenash horrori. Dyzet e gjashtë është numri i priftërinjve të akuzuar e për çdonjërin prej tyre një dosje e detajuar në kapituj akuzash e dëshmish. Çdo kapitull ka një histori impulsesh seksuale perverse pedofilizmi e sadizmi. E një nga rastet më të përfolura është ai i imzot Noel Reynolds, i cili dëshmon se ka abuzuar me mbi njëqind fëmijë. Spostuar për punë nga një kishë në tjetrën ai krijonte terren të ri për të shuar etjen e tij seksuale. Nënat i besonin fëmijët e askush nuk dyshonte tek ai e dedikimi i tij hyjnor. Imzot Terentius është një tjetër dosje e pranishme në raportin “Myrphy” dhe e pagëlltitshme në të lexuar. Për njëzet e pesë vjet ai kish abuzuar çdo pesëmbëdhjetë ditë me një fëmijë të ndryshëm. I dehte e më pas i dhunonte duke e përsëritur këtë gjë sistematikisht çdo dy javë e çdo herë më një viktimë të re. Pas çdo prifti pedofil qe të paktën figura e një peshkopi të Dublinit që ish në dijeni e siç lexohet në raport: “Preokupimi i vetëm i të cilëve qe ruajtja e sekretit, evitimi i skandalit e ruajtja e emrit të Kishës e të të mirave të saj. Gjithçka tjetër, përfshirë mirëqenien e fëmijëve e drejtësinë ndaj viktimave, injorohej përballë kësaj nevojshmërie”. Katër peshkopët e fundit që kanë udhëhequr dioqezën e Dublinit kish të përbashkët një rregull: të fshihnin abuzimet, abuzuesit, të mbulonin e të mohonin çdo gjë.
Në Vatikan më 16 shkurt 2010 peshkopët irlandezë dalin në një konferencë shtypi. Imzot Denis Brenann deklaroi: “Pranojmë dhe e meritojmë revoltën e viktimave dhe të familjarëve të tyre. Shpesh e kemi administruar keq këtë situatë, por tani inkurajimi i Papës Benedikti XVI është për ne një motiv i madh ngushëllues”. Imzot Joseph Duffy, peshkop i Clogher shtoi: “Vijmë nga një kulturë sekretesh, por tashmë duhet të mësojmë të ndajmë me shpirtin jo vetëm unitetin, por dhe të vërtetën e përçmimin. Ne nuk pretendojmë asgjë, viktimave u takon fjala e fundit e për të rifituar besimin jemi të gatshëm ndaj përçmimit e ta dëshmojmë me jetën e besimin që reklamojmë ndaj zotit”. Imzot Michael Smith, peshkop i Meathit, përfundoi se në çdo kishë janë hapur qendra dëgjimi e janë impenjuar dhjetëra persona “në mbrojtje të fëmijëve e për të ndaluar përsëritjen e abuzimeve të tilla”.
- Grupi Dora-Dores
- Alliance of Civilizations: Experiences and Challenges - Press and inter- religious co-habitation in Albania
- Megi Mulita_ Winner of the first prize of the AoC Essay competition
- Krerë të Komuniteteve fetare kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë Myslimanët: Mos ndaloni shaminë në shkolla
- Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare (25 Nëntor 2009 - 3 Shkurt 2010)
- Raporti i DASH: Shqipëria respekton liritë fetare
- Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)
- Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010
- AFALC organizon trajnimin e katert per Gazetarine Nderkulturore
- Fillimet e erës osmane në qytetin e Gjirokastrës



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment