E drejta e paragjykimit mbi regjistrimin e etnisë
Ndriçim Kulla
Historia është mësuesja e jetës", është sentenca më e famshme e Herodotit, historianit grek më të famshëm të antikitetit. Dhe ana tjetër ajo është një sentencë që i ka qëndruar e pashkatërrueshme kohës, për ta konsideruar ende dhe sot dijen historike, si dijen e rangut më të lartë. E po ta shohim historinë tonë më të re, atë pas viteve ‘90-të, në prizmin e shumë gjërave themelore, sidomos në raportin me Greqinë, emigrantët shqiptarë dhe lidhjen e tyre shpesh jo transparente me minoritetin grek në Shqipëri, do të shohim se politika shqiptare ka qenë gjithmonë politika e lënies së gjërave të rrjedhin.
Kurrë nuk është bërë një qëndresë deri në fund e kurrë nuk i është përgjigjur me po të njëjtin intensitet kushteve nga më të ndryshme, qoftë në rastin e presioneve në fillim për hirësinë e tij Janullatos, qoftë me përdorimin e emigrantëve si gur peshoreje balancues, për problemin e rëndë çam, qoftë me ndërhyrjet nëpër fushatat zgjedhore, pastaj për shkollat, varrezat, deri tek provokimet e rënda të Gejxhit apo Bollanos.
Pra, po të bazohemi tek historia, pozicionimi dhe reagimi ynë s'është kryer kurrë në pozita të barabarta. Prandaj për një qytetar që do të donte të kishte shikimin e Kandidit dhe si në rrëfimin e famshëm të Volterit, do të donte t'i shihte gjërat ashtu siç janë dhe jo ashtu siç duhet të ishin, rasti i regjistrimit të shqiptarëve mbi bazën e etnisë apo të fesë ka shijen e pabarazive të mëparshme. Për të vazhduar rrëfimin e Volterit, Kandidi shihte një tërmet, sepse i ndjente pasojat, aty ku i mençuri profesor Pangloss nuk shikonte veçse incidente të anashkalueshme.
Ka shumë folës e shkrues që ngrenë tymnaja dhe e etiketojnë qëndrimin paragjykues në lidhje me komplikimet që sjell koha e zgjedhur për këtë regjistrim si, anti-grek, ksenofob e ku di unë çfarë, dhe në thelb ata paragjykojnë të pohojnë se "historia nuk kthehet mbrapsht". E megjithatë, nuk dihet se ku e marrin këtë siguri granitike, pangolossiane, paksa komuniste dhe shumë dinake këta debatues, kur dija historike e 20 viteve të fundit flet ndryshe. Ka të tjerë, më të moderuar, që thonë në thelb se ëndërrojnë "një Shqipëri ku nuk ekzistojnë paragjykime të tilla", duke i vënë theksin ndërgjegjes shqiptare. Mirëpo, paragjykimi është një fjalë që sa herë që përdoret duhet analizuar që nga fillimi, nëse nuk duam të biem në grackën e arrogancës dhe dëmshmërisë së padijes. E në këtë situatë, është e ligjshme të pyetet: Po pse vallë përkujdesja dhe dyshimi i ligjshëm, konstruktiv dhe mbështetja në dijen historike të vendit tënd na qënkërka ksenofobi. Po pse vallë, në Europë duhet të shkojmë pa kurrfarë grime paragjykimi dhe qëndrimi kombëtar, por plotësisht kozmopolit! Po pse s'na thonë edhe ne të tjerëve se deri ku shkon perceptimi i thjeshtë, intelektual dhe politik për Europën? A do jetë një bashkim kalimtar, afatgjatë apo fare i përjetshëm? Mos vallë nga ngutja e mirë për të arritur shokët, ne shkelim mbi pakujdesi dhe lëmë gjymtyrët rrugës? Ku është parë, që të mbrosh etninë dhe fenë tënde, të kërkosh të shprehesh i qetë, pa trysni materiale dhe konsullore, pa një situatë të ngarkuar nga shembujt e parave të dhëna për pensionistët, të ligjit më të ri të nënshtetësisë, e plot elementë të tjerë ala bollano, apo në mbrojtje të problemit çam, do të thotë që të jesh anti-grek! Shkatërrimi i arsyes arrin shkallën më të lartë kur etiketohesh si anti-grek, sepse shpreh me etikë idetë e tua në raport me kohën që është zgjedhur për regjistrimin e shqiptarëve, pasi e bën këtë regjistrim të pa saktë dhe lë shumë tokë pjellore për lulëzimin e paragjykimeve. është thënë se ky regjistrim s'ka vlerë juridike, pra nuk e ndryshon etninë, po atëherë pse duhet bërë tashti? Po kështu edhe për fenë. ç'prioritet në politikën shqiptare mund të sjellin këto dy statistika në këto kushte sociale që jemi, përveçse turbullirës dhe prishjes së një harmonie fetare, që aq shumë zili na e ka kushdo. Madje do të thoshim që është ajo vlerë e madhe e një shteti laik dhe harmonjoz në fenë e vet, të gërshetuar në 4 besime kryesore e shumë të tjera protestante, që bie në aq kontrast me situatën në shtetin fqinj, një shtet ende i pandarë nga feja dhe ku kjo e fundit ende vazhdon të ketë fuqi të pakontestueshme.
Atëherë kur nuk është prioritet, duke shprehur mirëkuptimin në parim, për t'u bërë mund të zgjedhim një kohë të ardhshme 3-4 vjeçare për ta bërë. është vërtet diçka emancipuese një regjistrim i tillë dhe është e vlerësueshme predispozita e Qeverisë për rregullsi statistikore, por mendoj që jo në këto kushte të pabarabarta që jemi.
Me kërkesën e vetëshpalljes së kombësisë, sipas dëshirës individuale të njerëzve, duhej të ishte konsideruar dhe aspekti social. Dyshoj se do bëhemi "gazi i botës" për trajtimin pa seriozitet të çështjes, kur mund të shihnim, që mbi 500 000 shqiptarë, me qëllim të hyrjes sa më shpejtë në Europë, të vetëshpallen me kombësi greke, gjermane, italiane, britanike apo amerikane. çdo të ndodhte, a do ta njihte Qeveria gjermane, britanike dhe amerikane minoritetin e saj respektiv në Shqipëri!!
Ose të vendosen forma të forta reale të objektivitetit të etnisë, duke respektuar regjistrimet historike, ose të lihet atëherë kur Shqipëria të hyjë në BE, pra të jetë e barabartë mes të barabartëve. Përndryshe do të kishim gjithmonë mbi krye hijen e paragjykimit. E ky është një koncept që jo gjithmonë mbart një kuptim negativ. Në rrethana të caktuara paragjykimi, sipas filozofëve të së drejtës, është moralisht i mirëpritur: nuk ka asgjë të keqe të jesh në mënyrë paragjykuese kundër vjedhjeve (në këtë rast mund të jetë ai i identitetit me anë të një vize, një karte apo një pensioni), padënueshmërisë (si në rastin flagrant të Bollanos), të përzierjes së interesave personale me ato ekonomike, të 500 mijë emigrantëve shqiptarë që mund të futen në skemën e shtetit grek, bashkë me fijet e shumta të dukshme e të padukshme monetare, që mund t'i lidhin qytetarët shqiptarë të mos shprehen lirisht. Aq më tepër, kur thuhet se kjo ka vetëm vlerë statistikore.
Duket qartë që ka vend për paragjykime, madje në një rast të tillë me kaq shumë skenarë parregullsie, mund t'u bënim edhe elozhe këtyre paragjykimeve. Dija jonë historike na e përforcon këtë mendim. Mund të jetë një rekomandim i Europës, por derisa nuk është detyrues, duhet të diktohet nga prioriteti i politikës shqiptare dhe nga vënia më në fund e shqiptarëve në raporte barazie.
- Grupi Dora-Dores
- Alliance of Civilizations: Experiences and Challenges - Press and inter- religious co-habitation in Albania
- Megi Mulita_ Winner of the first prize of the AoC Essay competition
- Krerë të Komuniteteve fetare kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë Myslimanët: Mos ndaloni shaminë në shkolla
- Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare (25 Nëntor 2009 - 3 Shkurt 2010)
- Raporti i DASH: Shqipëria respekton liritë fetare
- Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)
- Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010
- AFALC organizon trajnimin e katert per Gazetarine Nderkulturore
- Fillimet e erës osmane në qytetin e Gjirokastrës



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment