Mbrojtësit e Besimit
Përpjekjet për të na qetësuar se fondamentalistët e krishterë, myslimanë apo hindu vetëm po shpërdorojnë dhe shfytyrojnë kumtet fisnike shpirtërore të besimeve të tyre tingëllojnë gjithnjë e më të zbrazëta.
Përse nuk mendojmë të rikthejmë dinjitetin e ateizmit, njërës prej trashëgimive më të mëdha të Europës dhe mbase mundësisë tonë të vetme për paqe?
Për shekuj me radhë na është thënë se pa besimin fetar ne s'jemi asgjë më shumë se ca kafshë egoiste që luftojmë të përlajmë copën tonë, ndërsa morali ynë i vetëm është ai i kopesë së ujqërve; vetëm feja, na është thënë, mund të na ngrejë në një nivel më të lartë shpirtëror.
Sot kur feja po shfaqet kudo në botë si burim i dhunës vrasëse, përpjekjet për të na qetësuar se fondamentalistët e krishterë, myslimanë apo hindu vetëm po shpërdorojnë dhe shfytyrojnë kumtet fisnike shpirtërore të besimeve të tyre tingëllojnë gjithnjë e më të zbrazëta.
Përse nuk mendojmë të rikthejmë dinjitetin e ateizmit, njërës prej trashëgimive më të mëdha të Europës dhe mbase mundësisë tonë të vetme për paqe?
Më shumë se një shekull më parë, te "Vëllezërit Karamazov" dhe vepra të tjera, Dostojevski paralajmëronte për rreziqet e nihilizmit moral e të pafé, duke thënë në thelb se, nëse Perëndia nuk ekziston, atëherë gjithçka lejohet.
Filozofi francez André Glucksmann madje përshtati kritikën e nihilizmit të pafé të Dostojevskit ndaj ngjarjes së 11 shtatorit, siç e tregon edhe titulli i librit të tij "Dostojevski në Manhatan."
Kjo pandehmë është kryekëput e gabuar. Mësimi i terrorizmit të sotëm është se nëse Zoti ekziston, atëherë gjithçka, përfshirë këtu edhe hedhjen në erë të mijëra kalimtarëve të pafajshëm, lejohet - të paktën për ata që mëtojnë se veprojnë drejtpërdrejt në emër të Zotit dhe përderisa duket qartë se një lidhje e drejtpërdrejtë me Zotin përligj dhunimin e çdo kufiri dhe rregulli njerëzor.
Thënë shkurt, fondamentalistët nuk kanë ndonjë ndryshim nga komunistët stalinistë "të pafé", për të cilët gjithçka lejohej sepse ata e shihnin vetveten si instrumente të drejtpërdrejtë të hyjnisë së tyre, Nevojës Historike për Progres drejt Komunizmit.
Gjatë Kryqëzatës së shtatë që u udhëhoq nga Luigji i Shenjtë, Iv le Breton tregon se si njëherë takoi një grua plakë që ecte në rrugë me një enë me zjarr në dorën e djathtë dhe një tas me ujë në të majtën.
E pyetur përse i mbante ajo u përgjigj se me zjarrin do të digjte Parajsën deri sa asgjë të mos mbetej prej saj, ndërsa me ujin do të shuante zjarrin e Ferrit deri sa të zhdukeshin krejt: "sepse nuk dua askënd të bëjë diçka që të marrë më pas shpërblim në Parajsë apo nga frika e Ferrit; por vetëm nga dashuria për Zotin."
Sot, ky qëndrim etik mirëfilli i krishterë mbijeton më së shumti në ateizëm.
Fondamentalistët bëjnë atë çfarë ata e perceptojnë si të mirë me qëllimin për të përmbushur vullnetin e Zotit dhe të përfitojnë shëlbimin; ateistët i bëjnë thjesht sepse për ta është gjëja e duhur për t'u bërë.
A nuk është kjo përvoja jonë më elementare e moralitetit? Kur bëj një vepër të mirë, e bëj jo me një sy drejtuar nga Zoti për të përfituar favoret e tij; por sepse përndryshe nuk mund të shoh dot veten time në pasqyrë.
Një vepër e mirë moralisht është njëkohësisht edhe vetë shpërblimi i saj. David Hjum, një besimtar, e përcakton këtë në mënyrë tepër goditëse kur shkruan se e vetmja mënyrë për të treguar respekt të vërtetë ndaj Zotit është të bësh vepra të mira duke harruar ekzistencën e Tij.
Dy vjet më parë, europianët po diskutonin nëse në parathënien e Kushtetutës së Europës duhej përmendur krishtërimi si një nga elementet përbërës kyç të trashëgimisë europiane. Si zakonisht u ra në ujdi, duke iu referuar në terma të përgjithshëm si "trashëgimia fetare" e Europës.
Po ku është trashëgimia më e çmuar e Europës moderne, ateizmi? Ajo që e bën krejt të veçantë Europën është fakti se mund të quhet qytetërimi i parë dhe i vetëm në të cilin ateizmi është një zgjedhje krejt e ligjshme, dhe nuk përbën aspak pengesë për poste publike.
Ateizmi është një trashëgimi europiane për të cilën ia vlen të luftosh, jo vetëm sepse krijon një hapësirë të sigurt për besimtarët. Po kujtoj debatin që shpërtheu në Ljubljanë, kryeqyteti i Sllovenisë, atdheut tim, kur u shfaq problemi ligjor kushtetues: a duhej të lejoheshin të ndërtonin xhami myslimanët (shumica punëtorë emigrantë nga ish-republikat jugosllave)?
Ndërsa konservatorët e kundërshtonin xhaminë për arsye kulturore, politike, madje edhe arkitekturore, gazeta e përjavshme "Mladina", doli vazhdimisht hapur në mbështetje të xhamisë, duke i dhënë zë shqetësimit për shkeljen e të drejtave të qytetarëve nga ish republikat e tjera jugosllave.
Nuk duhet çuditur se, pikërisht për shkak të qëndrimeve të saj liberale, "Mladina" ishte po ashtu njëra nga ato pak botime sllovene që ribotoi karikaturat fyese të Muhametit. Dhe ndonëse nuk ta rrok mendja, ata që treguan "mirëkuptim më të madh" për protestat e dhunshme myslimane që shkaktuan ato karikatura ishin po ata që rregullisht shprehnin shqetësimin e tyre për fatin e krishtërimit në Europë.
Këto aleanca të pazakonta i përballin myslimanët e Europës me një zgjedhje të vështirë: e vetmja forcë politike që nuk i ul ata në qytetarë të kategorisë së dytë dhe u lejon hapësirë që të shprehin identitetin e tyre fetar janë ateistët liberale "të pafé", ndërsa ata që ndihen më pranë tyre në praktikat e tyre fetare e shoqërore, imazhi i tyre i pasqyruar, të krishterët, janë armiqtë e tyre më të mëdhenj politikë.
Paradoksi është se aleatët e vërtetë të myslimanëve nuk janë ata që i botuan të parët karikaturat për vlerën e bujës që shkaktuan, por ata që, në mbështetje të idealit të lirisë së shprehjes, i ribotuan ato.
Ndërsa një ateist i vërtetë nuk ka nevojë të mburret me qëndrimin e tij duke provokuar besimtarët me blasfemi, ai nuk pranon gjithashtu ta reduktojë problemin e karikaturave të Muhametit vetëm te respekti për besimin e të tjerëve.
Respekti për besimin e të tjerëve si vlera më e lartë do të thotë njërën nga këto dy gjëra: ose e trajtojmë tjetrin në mënyrë paternaliste dhe përpiqemi të mos e prekim që të mos shkatërrojmë iluzionet e tij, ose përshtasim një qëndrim relativist të "regjimeve të shumëfishta të së vërtetës", duke shpërfillur si imponim të dhunshëm çdo këmbëngulje të vendosur mbi të vërtetën.
Po sikur t'ia nënshtrojmë Islamin - së bashku me besimet e tjera - një analize kritike plot respekt, por për këtë arsye, jo më pak të pamëshirshme? Kjo, dhe vetëm kjo është mënyra të tregojmë respekt të vërtetë për myslimanët: t'i trajtojmë si të rritur seriozë të përgjegjshëm për besimet e tyre.
Slavoj Zhizhek
- Grupi Dora-Dores
- Alliance of Civilizations: Experiences and Challenges - Press and inter- religious co-habitation in Albania
- Megi Mulita_ Winner of the first prize of the AoC Essay competition
- Krerë të Komuniteteve fetare kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë Myslimanët: Mos ndaloni shaminë në shkolla
- Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare (25 Nëntor 2009 - 3 Shkurt 2010)
- Raporti i DASH: Shqipëria respekton liritë fetare
- Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)
- Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010
- AFALC organizon trajnimin e katert per Gazetarine Nderkulturore
- Fillimet e erës osmane në qytetin e Gjirokastrës



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment