Sami Neza

Terrorizem, jo islamizem

16
Sep
0 comments | 0 recommendations

Ditët përreth datës 11 shtator janë ato kur më shumë se çdo herë tjetër diskutohet për terrorizmin dhe për islamizmin. Vazhdon edhe mbas 9 vitesh të shikohet islamizmi si e njëjta gjë me terrorizmin. Këtë këndvështrim e tregon edhe një herë mendimi i pastorit amerikan që për ditën e sulmit terrorist në Amerikë donte të digjte Kuranin. Kjo vjen, ngaqë njerëzit, fatkeqësisht, i kanë barazuar me njëra-tjetrën. Ajo që unë dëshiroj të kthej në vëmendje, është fakti që nuk ka asnjë lidhje mes asaj që predikon feja islame dhe asaj që bën dhe predikon terrorizmi. Pa dyshim që 11 Shtatori ishte ngjarje e madhe njerëzore dhe një kthesë e fortë e regjistruar në histori, ku vendi i demokracisë, bashkëjetesës paqësore, lirive dhe të drejtave u sulmua në mënyrë të papritur dhe makabre nga njerëz terroristë që kryenin vetëvrasje dhe që më vonë u deklaruan se i përkisnin fesë islame. Osama Bin Laden, drejtues i një grupi të fuqishëm terrorist, e paraqet veten si islamik që kryen Xhihadin sipas porosisë së Muhamedit në librin e shenjtë të Kuranit. Hap pas hapi do të tregohet fare qartë se nuk ka asnjë lidhje me fenë islame të vërtetë dhe porositë e Kuranit.

 

Terrorizëm është një term pa një përcaktim të gjithëpranuar nga qeveritë ose analistët akademikë, por pothuaj gjithmonë i përdorur në kuptimin keqësues, më shpesh për të përshkruar veprime kërcënuese të kryera nga grupe nënshtetërore, të vetemëruara dhe të motivuara politikisht. Qëllimi i terrorizmit është ulja e moralit të popullsisë qytetare, me qëllim që pakënaqësia e saj të përdoret si mjet ndikimi mbi qeveritë ose palët e tjera në konflikt.

 

Fillesat e islamizmit, aktualisht feja e dytë më e ndjekur në botë, ndërthuren pjesërisht me ato të Krishterimit. Islamizmi buron nga mësimet e profetit Muhamed në shekullin VII të erës sonë. Zot i vetëm i islamizmit, Allahu, besohet se qëndron mbi të gjithë jetën njerëzore dhe natyrore. I gjithë projekti mysliman dhe gjithçka që ka të bëjë me fenë dhe normat islamike, janë të shkruara në Kuran, që është kushtetuta e paprekshme, guri i themelit për të gjithë islamikët.

 

Për shumë arsye, si pasojë e formimit të kushteve negative, si: prapambetja ekonomike; ndarjet politike dhe sociale si dhe normat e caktuara kulturore, kanë përgatitur terrenin për formimin e organizatave terroriste në botën islame dhe veçanërisht në vendet e Lindjes së Mesme. Prandaj, fakti që terrori lulëzon në një mjedis të tillë, nuk është surprizë. Me fjalë të tjera, edhe nëse njerëzit që jetojnë në këto anë nuk do të ishin myslimanë, në rrethana të tilla do të kishin lindur me shumë mundësi të njëjtat reagime; këto janë rrethanat ideale për krijimin e organizatave terroriste.

 

Është e qartë se përdorimi i disa vlerave islame nga organizata terroriste dhe individët të cilët kanë gisht në aktet e terrorit (kryesisht përdorimi i konceptit të Xhihadit) si slogane, ka bërë vendosjen spekulative nga njerëzit të lidhjeve midis Islamit dhe terrorit. Meqë disa grupe terroriste i quajnë aktet e tyre Xhihad, më parë po sqarojmë këtë koncept. Xhihadi është emri i të gjitha përpjekjeve, mundimeve dhe qëndresës që duhet të demonstrojë çdo mysliman, në mënyrë që të fitojë kënaqësinë e Zotit. Në këtë aspekt, Xhihadi është një formë adhurimi. Kështu që, duke u bazuar tek Kurani dhe Suneti, elementi thelbësor i marrëdhënieve ndërkombëtare është paqja, kurse lufta është një situatë e pazakontë. Disa nga rregullat që kanë lidhje me aspektin e luftës në Xhihad, janë:

 

    * Trajtimi i armikut me mëshirë

    * Ndalimi i torturës

    * Respektimi i armikut të vdekur

    * Mossulmimi i civilëve dhe i të pafajshmëve

    * Mosvënia në shënjestër e myslimanëve

    * Veprime me urdhra hierarkikë dhe me komandë

    * Ndihma humanitare ndaj armikut

    * Lufta si zgjidhje e fundit

 

Cili nga këto koncepte u zbatua nga terroristët në sulmet e tyre që i quajnë luftë për Xhihad? Sulmi i tyre ishte në kundërshtim të plotë me parimin e mossulmimin e civilëve dhe të pafajshme, kur të gjithë ata që u sulmuan tek kullat binjake, por edhe në vende të tjera ishin civilë dhe të pafajshëm në punën e tyre. Atje brenda kishte njerëz të të gjitha feve dhe më këtë fakt ata bien në kundërshtim edhe me një parim tjetër që lidhet me mosvënien në shënjestër të sulmeve myslimanë. E njëjta gjë edhe me faktin që lidhet me ndihmën humanitare ndaj atij që e quajnë armik dhe luftën si zgjidhjen e fundit. Mjafton një parim të mos zbatohet dhe sulmi nuk ka më asnjë lidhje me atë që thotë feja myslimane, dhe jo më një seri e tërë parimesh.

 

Terrorizmi është krim kundër njerëzimit. Feja dhe terrori janë dy koncepte që kurrë nuk mund të vihen së bashku. Terrori në vetvete nuk është vetëm një krim, në të përfshihen pesë krime të tjera. Një terrorist kryen krime kundër krijuesit, kundër njerëzimit, kundër individëve të veçantë, ndaj të cilëve është adresuar terrori, kundër vetvetes dhe kundër komunitetit, pjesëtar i të cilit është. Sipas Islamit, meqenëse “Zoti është ai që të jep jetën dhe vdekjen”, është e ndaluar të vrasësh. E drejta për të jetuar konsiderohet si e drejtë që i përket Zotit dhe jo e drejtë që u përket individëve. Gjithashtu, Kurani thotë “se të vrasësh një njeri është njëlloj sikur të vrasësh të gjithë njerëzimin”.

 

Vetë fjala islam rrjedh nga fjala “silm” që do të thotë pajtim, nënshtrim dhe shpëtim. Islami është një fe e unitetit. Është për t’u theksuar fakti se Islami është një fe e bazuar në besimin vetëm tek Zoti i Plotfuqishëm dhe i Gjithëmëshirshëm. Uniteti si term i bazuar në vizionin botëror në këndvështrimin e jetës dhe në sistemin shoqëror presupozon bashkësinë e njerëzve vëllezër dhe motra, barazi në të drejtat themelore dhe eliminimin e diskriminimit në bazë të gjinisë, ngjyrës, racës ose familjes dhe farefisit.

 

Feja urdhëron për dashuri, mëshirë dhe paqe. Terrori nga ana tjetër është e kundërta e fesë, është mizor, i pamëshirshëm dhe kërkon gjakderdhje e mjerim. Morali islam e sheh jetën të mbushur me paqe, mirëqenie, dashuri dhe hare për të gjithë njerëzit, ndërsa terrorizmi dëshiron një shoqëri ku të mbretërojë dhuna, frika, ankthi dhe kaosi. Koncepti i faljes dhe i tolerancës, i përshkruar në Kuran me fjalët “bëni lëshime ndaj njerëzve”, është një nga parimet më themelore të Islamit. Terrorizmi, i cili është kaq shqetësues për botën sot, është vepër e njerëzve të paditur, të cilët veprojnë në kundërshtim me moralin kuranor. Terrori dhe Islami janë në kundërvënie të plotë me njëri-tjetrin. Terrorizmi ndjek rrugën e agresionit, dhunës dhe barbarisë. Kurani këshillon për dëshirën e mirë dhe marrëveshje, ai e ndalon terrorin dhe i dënon ata që kryejnë veprime të tilla.

 

Një nga cilësitë më të rëndësishme të terrorizmit është se ai i zgjedh objektivat e tij pa bërë dallime. Fakti se ai i përcakton këto objektiva pa bërë dallim, është një nga arsyet më të rëndësishme për përhapjen e frikës, sepse askush nuk mund të ndihet i sigurt. Nëse njerëzit e dinë se janë objektiva të mundshëm pa pasur ndonjë arsye, askush nuk mund të ndihet i sigurt nga terroristët. Nuk ka asgjë që objektivat potenciale mund të bëjnë për t’u vetëmbrojtur, përderisa terroristët veprojnë sipas qëllimeve, në një kohë dhe vend që e zgjedhin vetë. Në këtë mënyrë, veprimet e terrorit në shoqëri janë arbitrare dhe të paparashikueshme. Ndërsa tek islamizmi nuk ekzistojnë objektiva surprizë dhe të gjithë e dinë se çfarë i pret dhe çfarë synojnë për të mirën dhe zhvillimin e botës së tyre sipas librit të shenjtë të Kuranit që paraqet gjithçka dhe që nuk lë shteg për krijime të tjera rishtazi plotësuese të tij që mund të ndryshojnë thelbin e vet apo të të gjithë moralit islam.

 

Si përfundim, mund të them që terrori është veprim i disa personave që nuk mbështeten kurrsesi në Kuran dhe në islamizëm. Kjo, sepse: Islami përgjithmonë, domethënë gjatë të gjitha kohërave, sanksionon paqe; Kurani e konsideron jetën njerëzore të lartësuar dhe të paprekshme; Islami e konsideron vrasjen si një nga mëkatet më të mëdha dhe si një krim kapital; në islam, edhe në kohë lufte ekzistojnë rregulla të cilat duhen zbatuar: njerëzit e pafajshëm të cilët nuk marrin pjesë në luftën nuk mund të vriten; në tërë historinë e luftërave, profeti Muhamed ishte personi i parën i cili vendosi rregulla për mënyrën e luftimit; Islami i konsideron sulmet vetëvrasëse si vrasje të tmerrshme; myslimanët kurrë nuk mund të vrasin njerëz të tjerë myslimanë; ata kanë respekt dhe dashuri për Zotin dhe respektojnë rregullat morale; dhe se çdo besimtar i fesë nuk mund të flasë dhe të bëjë asgjë që nuk e mendon dhe nuk e di vetë me siguri, nuk duhet të udhëhiqet nga askush tjetër veçse nga mendja dhe zemra e tij.

 

Nga Ina Zhupa

Author info
image Sami Neza -Pedagog i Gazetarise- Kryeredaktor gazetes "Standard"-E:mail saminezaus@yahoo.com