Sami Neza
LGBT dhe shoqëria myslimane
Aktet e dhunshme në Beograd gjatë manifestimit të Gay Pride 2010, aktivitet ky që prej më shumë se dyzet vitesh zhvendoset nga një qytet i botës në tjetrin në mbrojtje të lirive e të drejtave të personave LGBT, përcjellin në opinionin kolektiv realitetin e një bashkëjetese të vështirë midis tyre e një pjese të rëndësishme të shoqërisë ballkanike e myslimane. Dhuna e ushtruar mbi më shumë se njëqind manifestues është veçse një grimcë e dukshme e një sjelljeje homofobike, e justifikuar nga ligje e fatkeqësisht një fenomen i përhapur në shoqëritë e mjaft vendeve të botës e jo vetëm në Ballkan e në popullsitë myslimane. Edhe pse teorikisht personat LGBT mbrohen nga traktate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, midis të cilave Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Politike e Civile dhe Pakti Internacional për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, personat gay, lesbike, travestitë e transseksualë burgosen, dhunohen madje dhe eliminohen fizikisht pothuajse rregullisht çdo ditë.
Në disa prej këtyre vendeve autoritetet e patolerueshme refuzojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të homoseksualëve, kurse në disa të tjera qeveritë e tyre janë në linjë të parë kundër personave LGBT ose vetautorë të kësaj dhune. Janë mbi 70 shtete në botë që praktikojnë ligje që dënojnë aktet seksuale me personat e të njëjtit seks e në katër prej tyre praktikohet dënimi me vdekje: Arabia Saudite, Irani, Sudani e Muaritania. Dyzet prej këtyre shteteve kanë ligje të rregulluara nga e drejta islamike, e drejtë kjo e justifikuar si e përcaktuar nga Zoti e nga besimi mysliman. Shteti udhëhiqet nga një kompleks normash fetare, juridike e sociale të bazuara në doktrinën e Kuranit që bashkëjetojnë me rregullat teologjike, morale, etike e rituale, të njohura në Perëndim si e drejta private. Juritë e gjykatave dorëzojnë ekskluzivisht fuqinë e tyre në duart e fesë e në katër burimet e saj kryesore: Kurani, Suneti (tradita e shenjtë), opinioni aprovues e interpretimi analog. Aplikohet Sheriati (rruga që duhet ndjekur) e nuk ka një dallim midis mëkatit e krimit.
Ndërsa në shoqëritë perëndimore herë pas here njerëz të politikës, personalitete të artit e kulturës, personazhe të botës së spektaklit e të sportit bëjnë "outing" duke deklaruar orientimin e tyre homoseksual, shoqëria ballkanike e myslimane fryhet me sjellje hipokrite e dukshmërisht kontradiktore. Toleranca e jotoleranca, të bësh e të heshtësh, të shohësh e të mbyllësh sytë, të dëgjosh e të harrosh krijojnë paradoksin e jetës seksuale të botës myslimane. Kënaqësia seksuale e jetuar midis argëtimit e turpit, homoseksuale o heteroseksuale është përherë e fshehur. "Gabimi i fshehur është gjysmë i falur", - thotë një proverb arab e në shoqërinë fanatike myslimane ballkanike o kudo qoftë ajo jeta seksuale e çdo orientimi duhet të gëzohet në mënyrë klandestine, ndryshe mund të pësojë të kthehet në krim e në një turp për familjen. Tolerohen ekzistenca e një personi gay në familje, me kushtin e vetëm që për shoqërinë të rezultojë me një jetë normale, i martuar e me fëmijë. Fshihet e mbulohet e vërteta, injorohet e shtiret përballë evidencës, mjaft që të mos turpërohet familja. "Në botën myslimane joshja e dashuria janë të kodifikuara e duhen përulur përballë ekzigjencës së ligjit social që reagon si një veshje e tmerrshme plumbi", - thotë antropologu egjiptian Malek Chebel.
