Ferit Duka
Hebrenjtë dhe shqiptarët në shekujt e Mesjetës
Hulumtimi dhe ndriçimi i së kaluarës historike të hebrenjve të Shqipërisë merr një rëndësi të të veçantë, po të kemi parasysh se studimi i historisë së shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa ndriçimin e historisë së komuniteteve joshqiptare, të cilat për shekuj të tërë jetuan së bashku me popullsinë vendase duke i shtuar një përmasë të re dhe mjaft interesante historisë së kësaj të fundit.
Diaspora hebraike ka qenë një faktor i rëndësishëm i historisë antike dhe mesjetare të Evropës. Kalvari i hebrenjve i cili fillon të përshkallëzohet që nga koha e sundimit romak, është i mbushur me shpërngulje masive nga vendbanimet e tyre historike drejt vendeve të ndryshme të Perëndimit apo të Lindjes. Nga kjo pikëpamje, tokat shqiptare, për vetë pozitën e tyre gjeopolitike (urë kalimi nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas), pa dyshim që jo vetëm nuk mbetën anash, por u shndërruan edhe në një nga koridoret kryesore të eksodit hebraik drejt Perëndimit që nga kohët e hershme.
Gjurmë të pakta por mjaft domethënëse të mbetura nga kohët e hershme të zhvillimit të këtij procesi, mund të konsiderohen toponime ose mikrotoponime që ekzistojnë ende sot e kësaj dite në pjesë të ndryshme të territorit shqiptar. Kështu për shembull, studiuesit e historisë së hebrenjve janë të prirur që disa emra vendbanimesh në Shqipërinë Jugore si Palasa, Orikumi dhe Finiqi, t’i lidhin përkatësisht me emrat e vendbanimeve të vjetra hebraike si Palestina, Jeriko dhe Fenikia, çka konsiderohet si shenjë e pranisë hebreje në territoret shqiptare që në kohë të vjetra.
Vendngulime hebrenjsh në Shqipëri duhet të kenë ekzistuar që nga koha romake. Sipas një legjende, mbi dy mijë vjet më parë, një anije plot me skllevër hebrenj nga Palestina humbi kursin gjatë rrugës duke shkuar për në Romë dhe u ankorua në brigjet e Shqipërisë së sotme, duke zbarkuar këtu të gjithë pasagjerët. Këta të fundit mundën t’u shpëtojnë ndjekjeve të pushtetit romak duke u fshehur në viset malore të køtij vendi.
Gjurmë të pakta por mjaft domethënëse të pranisë hebreje që nga kohët e vjetra mund të konsiderohen gjithashtu edhe toponime ose mikrotoponime që ekzistojnë ende sot e kësaj dite në pjesë të ndryshme të territorit shqiptar. Kështu për shembull, studiuesit e historisë së hebrenjve janë të prirur që disa emra vendbanimesh në Shqipërinë Jugore si Palasa e Orikumi, t’i lidhin përkatësisht me emrat e vendbanimeve të vjetra hebraike Palestina e Jeriko.
Një ekip shqiptaro-izraelit arkeologësh kanë zbuluar në Sarandë (emra të atëhershëm të qytetit ishin edhe Anchiasmon ose Onchesmos) një objekt kulti mjaft interesant i cili kohësisht datonte në shek. V-VI pas Krishtit dhe që kryente një funksion të dyfishtë duke shërbyer edhe si faltore hebreje (sinagogë) edhe si faltore e krishterë (kishë).
Praninë e një komuniteti të fuqishëm hebre në qytetin bregdetar të Sarandës e vërteton edhe një mbishkrim i vitit 521 gjetur në një gur varri të një varreze hebreje në Venoza të Italisë, ku përmendet emri Augusta që e mbante vajza e Yishait, kreut të komunitetit hebre të Anchiasmos-it (Sarandës).
Pas një mungese disashekullore të informacioneve nga burimet historike mesjetare, vijmë në vitin 1170 kur historiani hebre Beniamini i Tudelës, midis njoftimeve në lidhje me hebrenjtë e Ballkanit, përmend edhe banorë të disa viseve shqiptare që jetonin në male, që nuk ishin të besimit të krishterë dhe që fëmijëve u vinin emra me prejardhje hebraike, ngaqë rridhnin prej hebrenjve, të cilët i konsideronin vëllezër. Njoftime të tilla japin shkas të mendohet se prania e hebrenjve në vise të caktuara të hapësirës shqiptare ka qenë dukuri e hershme edhe e historisë mesjetare të Shqipërisë. Interesant në këto njoftime është gjithashtu fakti se bëhet fjalë për praninë e hebrenjve edhe në pjesën rurale të vendit.
Me gjithë rëndësinë që kanë njoftime të tilla, thelbin e traditës hebraike në Shqipëri e përbëjnë bashkësitë e hebrenjve që u vendosën dhe jetuan në disa qytete kryesore shqiptare, në radhë të parë në ato të Durrësit dhe Vlorës.
Njoftimet e para dokumentare në lidhje me bashkësinë e hebrenjve të qytetit të Durrësit i përkasin shek. XIII. Studiues të shquar të historisë mesjetare të Shqipërisë kanë zbuluar dhe paraqitur të dhëna interesante në lidhje me bashkësinë në fjalë. Këto të dhëna i përkasin sferës tregtare, ku siç dihet, hebrenjtë shquheshin si subjekte mjaft vepruese.
Edhe gjatë shek. XIV hebrenjtë e Durrësit, ndonëse të pakësuar numerikisht, vijonin të luanin një rol të rëndësishëm në tregtinë me Raguzën dhe Venedikun. Në duart e tyre gjendej sidomos eksport-importi i kripës, një nga mallrat kryesore në shkëmbimet tregtare të pellgut të Adriatikut në Mesjetë. Megjithatë, si rezultat i ndryshimit të rrethanave politike, roli i bashkësisë së hebrenjve të Durrësit erdhi duke rënë derisa në fillimet e shek. XV ajo përmendet në burimet e kohës si “e paktë në numër dhe skajshmërisht e varfëruar”. Ka shumë gjasa që aty rreth mesit të shek. XV Durrësi të jetë braktisur tërësisht nga banorët hebrenj.
Pjesë e historisë mesjetare të hebrenjve në trevat shqiptare është edhe qyteti i Vlorës, qendra ekonomike më e rëndësishme e bregdetit të Shqipërisë Jugore. Kolonia hebreje e Vlorës duhet të jetë po aq e hershme sa dhe ajo e Durrësit. Megjithëse shfaqja në burimet historike të publikuara deri më sot e hebrenjve të Vlorës është më e rrallë se sa e atyre të Durrësit, edhe ato pak njoftime që kemi, mjaftojnë për të arritur në përfundimin se bashkësia hebreje e Vlorës në mesjetë është pjesë e rëndësishme e popullsisë së këtij qyteti dhe faktor me peshë në marrëdhëniet tregtare të tij me qendrat kryesore të hapësirës adriatike.
Në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek. XV hebrenjtë vlonjatë kishin një rol të veçantë në tregtinë me Raguzën (Dubrovniku i sotëm). Ata eksportonin për në Raguzë indigon dhe garancën (bimë ngjyrosëse - F.D.), mallra këto që më pas rieksportoheshin për në Siçili. Nga ana tjetër, pjesëtarë të bashkësisë së hebrenjve të Vlorës në gjysmën e parë të shek. XV shquheshin për rolin e tyre të rëndësishëm në tregtinë e kripës në tërë pellgun e Adriatikut dhe të Jonit.
BASHKËSITË HEBREJE NË SHQIPËRINË OSMANE: RASTI I VLORËS
Periudha osmane përbën një nga kapitujt më interesantë të historisë së hebrenjve shqiptarë dhe atyre ballkanas në tërësi, studimi i të cilit përbën një detyrim të pashmangshëm për historianët e fushës së osmanologjisë. Një shembull mjaft domethënës i bashkëjetesës së popullsisë shqiptare dhe asaj hebreje gjatë periudhës së mësipërme ka qenë Vlora. Në vitin 1417 qyteti i Vlorës u pushtua prej turqve osmanë. Megjithatë fuqia ekonomike dhe prestigji shoqëror i individëve nga bashkësia hebraike ekzistuese e qytetit duket se nuk ishte nënvleftësuar nga administrata e re, përderisa ndonjërin prej tyre e shohim të integruar edhe në sistemin e ri osman të timarit. Në defterin e regjistrimit të sanxhakut shqiptar të vitit 1431/2 një hebre me emrin Hajo, është regjistruar si ruajtës i kalasë (mustahfiz) së Kaninës, shërbim për të cilin atij i ishte dhënë timari me të ardhura prej 761 akçesh po në vilajetin e Kaninës. Sipas një shënimi anësor të vitit 1452 në defterin e lartpërmendur, ky timar kalonte në duart e të birit të islamizuar të Hajos, i cili kryente të njëjtin shërbim si i ati, veçse jo në Kaninë, por në kështjellën e sapondërtuar të Rumeli Hisarit në Stamboll. Ky shembull është domethënës edhe nga një pikëpamje tjetër: me vendosjen e sundimit osman në Ballkan edhe hebrenjtë e vendosur këtu iu nënshtruan proceseve karakteristike të periudhës së re, siç ishin integrimi në strukturat e reja ekonomike dhe ushtarako-administrative osmane, islamizimi etj.
Hulumtimet e kryera nga studiues të njohur të historisë mesjetare shqiptare, veçanërisht të temës hebreje, si A. Dyselier, G. Veinstein etj., i kanë çuar këta të fundit në përfundimin se në mbarim të viteve 40 të shek.XV hebrenjtë e Vlorës zhduken nga burimet historike. Disa të dhëna dokumentare të shek. XVI e bëjnë të besueshëm mendimin se pjesëtarë të bashkësisë hebreje të Vlorës rreth mesit të shek. XV u zhvendosën për në Stamboll. Sipas një të dhëne tjetër, në vitet 1482-1484 një hebre nga Vlora përmendet midis garantëve të sipërmarrësve hebrenj të doganës së Stambollit, gjë që e bën më të qëndrueshëm mendimin e shprehur më lart. Veçse arsyet e zhvendosjes së hebrenjve vlonjatë për në kryeqytetin e shtetit osman ende mbeten të paqarta. Studiuesit i lidhin ato me koniunkturën e re politike që krijoi në Shqipëri lufta antiosmane e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por nuk përjashtojnë edhe ndikimin që mund të ketë pasur në këtë mes politika e re e deportimeve (sürgünler) të ndjekur prej sulltan Mehmetit II për ripopullimin e Stambollit menjëherë pas pushtimit të tij në vitin 1453.
Gjithçka u shtjellua më sipër tregon se mesi i shek. XV shënon mbylljen e periudhës mesjetare të bashkësisë hebraike të Vlorës për të ardhur më pas në fundin e këtij shekulli dhe fillimin e shekullit pasardhës, kur çelet një edicion i ri dhe mjaft interesant i jetës hebreje në këtë qytet. Fillimet e kësaj periudhe kanë lidhje me një shpërngulje masive të hebrenjve, veçse këtë herë me drejtim perëndim-lindje. Fuqizimi i qarqeve antisemitike në Evropën Perëndimore nxiti në shkallë të paparë ndjekjet dhe persekutimet kundër hebrenjve. Gjeografia e furtunës antihebraike përfshiu pothuajse tërë hapësirën evropiano-katolike, duke filluar nga gadishulli Iberik e deri në Hungari. Aksionet politike për homogjenizimin fetar nëpërmjet krishterizimit total të popullsisë, të shoqëruara edhe nga praktika e inkuizicionit, i shtrënguan hebrenjtë të braktisnin vendbanimet e tyre duke emigruar drejt Ballkanit.
Gjatë eksodit të ri hebraik (Perëndim-Lindje), valët e të cilit erdhën duke u shtuar gjatë shek. XVI, tokat shqiptare u shndërruan jo vetëm në urë kalimi për refugjatët hebrenj drejt Lindjes, por edhe në vendpritje e vendngulime të rëndësishme për ta. Pikërisht qyteti i Vlorës, i cili jo vetëm kishte një traditë hebraike si element përbërës të historisë së tij mesjetare, por tashmë përfaqësonte një nga portet më në zë të Perandorisë Osmane në Adriatik, u bë njëkohësisht edhe një nga vendngulimet kryesore të refugjatëve hebrenj të fundit të shek. XV dhe të fillimit të shek.XVI në arealin ballkanik.
Që nga fundi i shek. XV, por sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit vijues, numri i hebrenjve të larguar nga Spanja e Portugalia, sa vinte e shtohej. Këtyre iu shtuan edhe grupe refugjatësh të zhvendosur nga Sicilia, Kalabria, Pulja etj., të cilët, pasi kaluan Otranton, u vendosën në Vlorë. E njëjta gjë vijoi edhe më pas, kur, me dëbimin e parë zyrtar nga Mbretëria e Napolit (vitet 1510-1511), një masë e konsiderueshme hebrenjsh të shpërngulur nga territori i kësaj mbretërie, zbarkoi në mjaft pika të bregdetit shqiptar, duke u përqendruar kryesisht në qytetin e Vlorës. Të gjitha këto kontigjente hebrenjsh të vendosur rishtas në këtë qytet, ose krijuan bashkësi të reja ose iu bashkëngjitën asaj ekzistuese, duke përtërirë dhe zgjeruar radhët e saj tashmë të tkurrura tej mase. Të dhënat e burimeve osmane të fillimit të shek.XVI për qytetin e Vlorës janë shumë domethënëse për të kuptuar lidhjen e drejtpërdrejtë midis dinamikës interesante të migrimit hebre nga Perëndimi drejt Ballkanit dhe evolucionit të shpejtë të gjendjes social-demografike të qytetit në fjalë.
Sipas defterit përmbledhës (mücmel) të regjistrimit të livasë (sanxhakut-F.D.) së Vlorës të vitit 912/1506-1507 (i pari dokument i kësaj natyre që kemi për shek.XVI në lidhje me sanxhakun e lartpërmendur), kolonia hebreje e qytetit kishte arritur në 97 shtëpi kundrejt 665 shtëpive shqiptare të krishtera.
Mirëpo, brenda një kohe të shkurtër, pikërisht në fund të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të mësipërm, rritja numerike e popullsisë hebreje të Vlorës duket tepër befasuese. Sipas një defteri tjetër osman të livasë së Vlorës, në vitin 1520 në qytet numëroheshin 531 shtëpi hebrenjsh kundrejt 836 shtëpive të krishtera (shqiptare). Sipas të dhënave të sipërpërmendura, në vitin 1520 kolonia hebreje e vendosur në Vlorë përbënte 39% të popullsisë qytetare (njehsuar duke marrë për bazë numrin e shtëpive). Vlerësuar nga ky tregues (përqindja e popullsisë hebreje) Vlora linte prapa në këtë kohë qendra të rëndësishme të Perandorisë Osmane të banuara nga hebrenjtë, siç ishin për shembull vetë kryeqyteti i Perandorisë Stambolli, Manastiri, Shkupi, Terhalla, Serezi, Edirneja (Adrianopoli), Bursa etj., duke u renditur menjëherë pas kryeqendrës hebreje të Ballkanit, Selanikut.
Kolonia hebreje e Vlorës së gjysmës së parë të shek.XVI paraqitej në formën e një mozaiku bashkësish të ndryshme nga njëra-tjetra në pikëpamje social-kulturore, gjë e cila reflektonte në njëfarë mënyre tërë gjeografinë e shpërnguljeve të hebrenjve iberikë dhe atyre italikë. 531 shtëpitë hebreje të regjistruara në vitin 1520 në qytet gjendeshin të grupuara në 14 mëhallë të veçanta.
Përveç bashkësive hebreje të ardhura nga vende të ndryshme të Gadishullit Iberik dhe atij Apenin, pjesë e kolonisë hebreje të Vlorës në vitin 1520 ishte edhe një bashkësi e ardhur nga Mezistra e Moresë. Ka shumë të ngjarë që ky kontigjent hebrenjsh të ketë ardhur gjithashtu nga Gadishulli Iberik dhe të jetë vendosur vetëm përkohësisht në Moré për të ardhur më pas në qytetin e Vlorës.
Fluksi i madh i imigracionit hebre drejt Vlorës në fillimet e shek. XVI është i lidhur para së gjithash me ritmet e shpejta të zhvillimit të qytetit gjatë kësaj kohe. Vlora tashmë ishte shndërruar në portin kryesor osman të Adriatikut, në qendër të rëndësishme të tregtisë shqiptare me Perëndimin, si dhe në një nga pikat strategjike me rol të veçantë për shtetin osman. Kësisoj, kapacitetet pranuese të qytetit për imigrantët hebrenj ishin zgjeruar së tepërmi, sidomos për të tillë imigrantë të cilët gëzonin aftësi të veçanta për t’u përfshirë me sukses në këtë dinamikë të shpejtë të jetës ekonomike të qytetit.
Mirëpo, ndërsa në vitet 20 të shek.XVI prania hebreje në Vlorë shënoi maksimumin e vet, më vonë ajo erdhi duke rënë, derisa 60 vjet më pas, në vitin 1583, ajo shfaqet e pakësuar në mënyrë të ndjeshme. Nga të dhënat e defterit të hollësishëm osman të livasë së Vlorës të përpiluar në vitin e mësipërm, mësojmë se numri i përgjithshëm i kryefamiljarëve hebrenj të qytetit të Vlorës ishte 212 veta (afërsisht po aq edhe shtëpi). Banorët hebrenj, ndryshe nga viti 1520 kur ishin të regjistruar në trajtën e disa bashkësive, tashmë ishin grupuar në një të vetme, nën emërtimin “bashkësia e hebrenjve të qytetit të Vlorës (cemaat-i yahudiyân-i nefs-i Avlonya)”, e vendosur në gjashtë mëhallë të veçanta banimi: mëhalla Dhaskal (Vangal, Vasal?) me 54 kryefamiljarë, mëhalla Shelemo Ahron me 41 kryefamiljarë, mëhalla Kadush (Temedush?) me 37 kryefamiljarë, mëhalla Moseliç me 31 kryefamiljarë, mëhalla Moisi Perolzekali(?) me 25 veta dhe së fundi, mëhalla Moisi Heqimi (Mjeku-F.D.) me 24 veta.
Ritmet e larta të rënies numerike të bashkësisë së banorëve hebrenj të Vlorës në rrjedhën e shek.XVI (pas viteve 20) vihen re edhe në vitet e fundit të këtij shekulli. Një defter osman i vitit 1597 ka të regjistruar vetëm 50 kryefamiljarë hebrenj.
Studiuesit janë përpjekur që të zbulojnë edhe shkaqet e tkurrjes së bashkësisë së hebrenjve të Vlorës gjatë shekullit të lartpërmendur. Ndikues në këtë drejtim janë largimet e herëpashershme të hebrenjve vlonjatë për në vende të tjera për shkak të kushteve të papërshtatshme klimatike, shoqërore dhe ekonomike të qytetit. Një rol i veçantë në këtë mes i jepet edhe epidemisë së murtajës që preku Vlorën në vitin 1557.
Me gjithë rëndësinë e padiskutueshme të faktorëve të mësipërm, ne mendojmë se rolin kryesor në tkurrjen e bashkësisë hebreje të Vlorës në rrjedhën e shek.XVI e kishin ngjarjet e stuhishme që shkaktonin konfliktet periodike të shtetit osman me shtetet e Perëndimit, në radhë të parë me Venedikun. Vlora ishte një nga qytetet që, për hir të pozitës strategjike të tij, mbante barrën më të rëndë të ballafaqimeve ushtarake osmano-venedikase. Dihet se Vlora ka qenë gjithashtu “viktimë” e këtyre ballafaqimeve si në vitet 30 ashtu edhe në vitet 70 të shekullit të mësipërm, rrjedhimisht, një gjendje e tillë lufte e tensioni shkaktonte largime masive të banorëve hebrenj të qytetit për në vendbanime të tjera më të qeta. Tani për tani na mungojnë të dhëna dokumentare konkrete në lidhje me eksodin hebraik nga Vlora drejt vendeve të tjera për shkak të ngjarjeve të tilla në vitet e sipërshënuara.
Megjithatë ne mund të gjykojmë për efektin e jashtëzakonshëm të këtyre ngjarjeve për zhvendosjet e mëdha të hebrenjve të qytetit nëpërmjet të dhënave dokumentare të shek. XVII. Në vitin 1685 sulmet shkatërruese të koalicionit antiosman perëndimor kundër Vlorës shkaktuan shpërnguljen e mjaft familjeve hebreje të këtij qyteti drejt Beratit, ku qëndruan tre muaj pranë bashkëkombasve të tyre beratas.
Ky proces tkurrjeje të bashkësisë hebreje të Vlorës në rrjedhën e kohës është pasqyruar edhe në një regjistrim osman të vitit 1695, në të cilin bashkësia e mësipërme gjëndet e regjistruar si mëhallë më vete (mëhalla e hebrenjve, osmanisht: mahalle-i yahudiyân) me 61 kryefamiljarë (po kaq mund të llogaritet edhe numri i shtëpive).
Sikundër shihet, bashkësia hebreje e Vlorës gjatë kohës prej afër njëshekullore (1597-1695) del të jetë shtuar vetëm me 11 shtëpi, shtesë, e cila, ndonëse nuk është e madhe, tregon qartë se kurba demografike e bashkësisë së lartpërmendur gjatë shek.XVII ka njohur një farë ngjitjeje, ndryshe nga shekulli paraardhës gjatë të cilit ajo njohu rënie drastike.
