Ferit Duka

Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)

14
Dec
0 comments | 0 recommendations

 

Ndryshimet  politike  dhe ekonomike-shoqërore  që u dukën  në trevat shqiptare me vendosjen  e sundimit osman, u ndoqën  edhe nga  ndryshime të mëdha  në strukturën  fetare të popullsisë. Një element i ri hyri në konstitucionin  shpirtëror të popullsisë shqiptare: besimi  islam. Përhapja  e islamit  në radhët  e popullsisë  shqiptare të Maqedonisë, ashtu  si në  mbarë  territorin  shqiptar, ishte  një  proces historik që u zhvillua  në mënyrë  të shkallëzuar, me intensitet  të ndryshueshëm në përputhje  me rrethanat  që përcaktuan zhvillimin e kësaj dukurie.

Çështja  e islamizimit  të popullsisë  shqiptare të Maqedonisë, ashtu sikundër  islamizimi  i popullsisë shqiptare në tërësi, përbën  një temë  mjaft  interesante  për historishkruesit  shqiptarë. Çështja në fjalë është  në vetvete  një problem  mjaft i vështirë e kompleks, që për  nga  karakteri  dhe përmasat i kapërcen kufijtë  e historisë fetare  dhe në të njëjtën  kohë  paraqitet  edhe si  përbërëse e rëndësishme  e historisë politike, kulturore e ekonomike-sociale e popullit shqiptar. shqiptare të kësaj treve  në aspektet shoqërore, kulturore, urbanistike etj.

Vrojtimet, analizat  dhe përfundimet tona rreth çështjeve në shqyrtim janë mbështetur  jo vetëm  në të  dhënat e shumta  të defterëve  osmanë  të shek.XV-XVI, të përpunuar prej  historianëve orientalistë maqedonas, por  edhe në shqyrtimin e mjaft  të dhënave që sjellin  dy defterë deri vonë të panjohur  në letërsinë historiografike: Defteri  i hollësishëm i sanxhakut të Ohrit i vitit 1022 H/1613, dhe një defter i hollësishëm  i taksës së avarizit të sanxhakëve të Ohrit dhe të Elbasanit të vitit 1137/1724.

Sikurse është  njohur, fillimi i islamizimit të popullsisë  shqiptare  lidhet me fillimet e sundimit  osman në trojet tona. Ndryshe  nga viset e tjera shqiptare, trevat  shqiptare të Maqedonisë ishin nga të parat që u ballafaquan  me pushtimin osman. Aty nga fundi i shek. XIV këto treva  pothuajse tërësisht kaluan nën sundimin osman. Qendrat  e njohura  të banuara  prej popullsisë  shqiptare  si Dibra, Tetova, Kërçova, Kumanova etj.  me vendosjen  e sundimit osman, u shndërruan  në qendra  vilajetesh a nahijesh të përfshira në njësi më të mëdha administrative, siç ishin Pasha  Sanxhaku, sanxhaku i Ohrit dhe ai i Shkupit.

Analiza  e dokumentacionit osman  tregon  qartë se shkalla e islamizimit të popullsisë  shqiptare të Maqedonisë në shek. XV ishte ende e ulët. Nga të  dhënat e defterit  emëror të vilajeteve të Dibrës, të Gollobordës (Dullgobordës), të Rekës dhe të çermenikës të vitit 1467, del se  në vilajetet e Dibrës  së Sipërme dhe të Rekës, deri në këtë  kohë, nuk figuronte  i regjistruar asnjë banor i islamizuar. Megjithatë, kjo  nuk do të  thotë  se në këtë  rajon  dukuria e islamizimit ishte krejt e panjohur. Funksionarët  dhe nëpunësit  e administratës lokale, ndërmjet  të cilëve  domosdo kishte edhe  mjaft shqiptarë, përbënin  kontingjentin e popullsisë myslimane të krahinës. Është për t’u theksuar gjithashtu  prania  e timarjotëve  të krishterë në vilajetin e Dibrës së Sipërme. Kjo kategori shoqërore ka rëndësi të vihet  në dukje, sepse  e ardhmja  e saj  ishte  përqafimi i fesë  islame  dhe përfshirja në radhët  e popullsisë  së islamizuar.

Disi  më e ndryshme paraqitej  në shek. XV  struktura  fetare e  popullsisë për  nahijen  e Tetovës (Kallkandelenit). Nga të  dhënat dokumentare  të vitit  1450, për këtë  nahije, mësohet  se në qytetin  e Tetovës  kishte  të regjistruar atë kohë  60 shtëpi  myslimane, kur  popullsia e  krishterë e qytetit  arrinte  deri në 153 shtëpi. Vetëm  18 vjet më vonë, në vitin 1468, vihet  re një prirje  interesante  për strukturën fetare të popullsisë. Ndërsa popullsia kristiane e qytetit të Tetovës  shtohej  dukshëm (nga  153 shtëpi në 180),  popullsia  myslimane ishte  pakësuar po ashtu  dukshëm  (nga  60 shtëpi në 41).

Gjithnjë sipas  të dhënave të sipërpërmendura, shihet  që shkalla e islamizimit të popullsisë së qytetit  të Tetovës, në shek. XV, ishte  jo e vogël (rreth 30 përqind). S’mund  të thuhet  e njëjta  gjë për  fshatrat e nahijes  me të  njëjtin emër. Nga e gjithë popullsia  fshatare e kësaj  nahijeje, në regjistrimin  e vitit 1468, janë  shënuar  vetëm 9 shtëpi  myslimane.

Përparime  jo të vogla  kishte bërë  islamizimi  i popullsisë  edhe në qytetin  e Kërçovës. Kjo duket  me shtimin e shtëpive  myslimane në harkun kohor  nga mesi i shek.XV deri afër  fundit  të këtij shekulli. Nga 13 shtëpi  myslimane rreth  mesit të shekullit, në vitet 70-80 janë regjistruar  45 të tilla. Pra në një kohë që popullsia myslimane e qytetit është rritur  3.5 herë  ose 350 përqind  popullsia kristiane është shtuar  vetëm  me një  shtëpi. Ndërkohë që popullsia  fshatare e nahijes së Kërçovës vijonte të ruante  në përgjithësi të paprekur  gjendjen fetare të krishterë. Në regjistrimin  e vitit 1481 janë shënuar vetëm  12 shtëpi myslimane fshatare, të vetmet në të  gjithë zonën fshatare të nahijes  në fjalë. Nga të 12 shtëpitë  myslimane  të sipërpërmendura, 8 syresh  ishin  të islamizuara  rishtas, gjë që shihet  se pranë  emrave  të kryefamiljarëve  janë vënë shënimet “myslimani i ri” a cilësimi  “bin Abdullah” (i biri  i robit  të zotit), ose ata  shënohen  me mbiemra kristianë.

Ndryshime jo të pakta  në strukturën  fetare të popullsisë, në të mirë  të shtrirjes  së fesë  islame, vërehen  që në shek.XV  edhe  në nahijen  e Përlepit. Brenda  gjysmës së dytë  të këtij  shekulli vërehet  një shtim i ndjeshëm  i popullsisë  myslimane të qytetit në vlerë absolute. Të  dhënat  dokumentare të periudhës 1445-1481 tregojnë  se popullsia  myslimane  e qytetit të Përlepit  në këtë periudhë  ishte  shtuar  mbi 10  herë  (nga 10 shtëpi  në 141),  ndërkohë  që popullsia  kristiane  e të njëjtin  qytet  s’ishte  shtuar  veçse  0,1 herë (nga 350 shtëpi  në 386).

Ndryshe nga  nahijet  e tjera  të sipërpërmendura, në nahijen  e Përlepit, vihet re se feja  islamike, që  nga gjysma  e parë e shek.XV, kishte  mundur  të shtrihej  edhe në zonat  fshatare. Regjistrimi osman  i vitit  1445 na bën  të njohur  për dy fshatra  me 62 shtëpi myslimane.

Po të  vështrohet  në rrafshin  krahasues,  dinamika e islamizimit në qytetet e banuara  prej popullsisë  shqiptare  në Maqedoni, siç ishin Tetova, Kërçova, etj., vihet  re se  struktura  fetare e këtyre  qyteteve  në shek. XV kishte  ndryshuar  më shpejt  në të  mirë të përhapjes  së fesë  islame, se sa në mjaft  qytete shqiptare  të brendshme, siç ishin Elbasani, Vlora, Berati, Gjirokastra etj.  Kjo dukuri  shpjegohet  jo vetëm me përfshirjen  më herët  të këtyre rajoneve  nën  sundimin osman, por edhe  me nevojën e theksimit dhe qartësimit të identitetit të popullsisë shqiptare përballë asaj sllave, si dhe me pozitën  gjeografike  më në lindje  të këtyre  qendrave, d.m.th. më afër  rrezes  së ndikimit të kulturës  islamike-orientale.

Arritje  të një rëndësie  vendimtare  u shënuan  në islamizimin  e popullsisë  shqiptare  të Maqedonisë  gjatë shek. XVI. Regjistrimet  e shumta  të bëra  prej administratës osmane gjatë  këtij shekulli japin  një material  të pasur  për të  kuptuar  dinamikën  e këtij procesi në këtë  periudhë. Ritmet më të larta  të islamizimit të popullsisë  edhe gjatë  këtij shekulli vijonin t’i ruanin  qytetet. Shprehja më e qartë  e kësaj  dukurie  ishin shtimi  në përpjesëtime  gjithnjë  e më të mëdha i popullsisë  myslimane  të qyteteve  jo vetëm  në krahasim  me shekullin  paraardhës, por edhe  gjatë  shekullit XVI. Kështu, p.sh.  qyteti i Dibrës, deri në vitin 1550, numëronte  190 myslimanë, ndërsa në vitin 1582, 665 myslimanë, në një  kohë kur në  vitin 1467 në këtë qendër  nuk është  regjistruar asnjë mysliman. Vetëm  brenda  një periudhe  11 vjeçare (1550-1582) popullsia  myslimane e qytetit  është  mbidyfishuar.

E njëjta  gjendje vërehet  edhe në qytetin e Strugës. Ndërsa  popullsia  myslimane  midis viteve 1550-1582 është  mbishtatëfishuar, në të  kundërtën,  popullsia  kristiane  e qytetit, për të  njëjtën  periudhë, ka njohur  pakësim  (nga 1100 banorë  në 915  banorë).

Në qytetin e Tetovës struktura  fetare e popullsisë gjatë shek. XVI është në ndryshim  të pandërprerë,  deri në barazimin  numerik të popullsisë myslimane  me atë  kristiane (në mesin e këtij  shekulli). Më  pas përmbysen krejt  përpjesëtimet midis popullsive të  dy  besimeve, duke  sjellë  si rrjedhojë që në  vitin 1582 popullsia  myslimane të jetë  rreth 3 herë  më e madhe se ajo  kristiane.

Edhe  në qytetin  e Kërçovës islamizimi  i popullsisë  gjatë  shek. XVI përparon  pa ndërprerje. Kjo shihet  jo në  shtimin  në vlerë absolute  të popullsisë  myslimane (përndryshe këtu  vihet re një dukuri interesante, që popullsitë  e të dy besimeve  vijnë  gjithnjë  duke  u pakësuar  gjatë  kësaj  periudhe), por se  kundrejt  popullsisë  së krishtere ajo  shtohet gjithnjë  e më shumë, derisa  në vitin 1582 numëronte  375 veta,  kundrejt  205 vetave  të popullsisë  së krishtere, në një kohë kur në vitet 1519-1523  ajo ishte në  numër  më të ulët kundrejt kësaj popullsie, në përpjesëtim  480 me 725.

Megjithëse shek. XVI shënon  një përparim  të mëtejshëm të islamizimit të popullsisë  fshatare të trevave  shqiptare të Maqedonisë, në  krahasim  me shek. XV,  ritmet e islamizimit në këtë  pjesë  të popullsisë, krahasuar me atë  qytetare, ishin të ngadalta. Kështu, p.sh. deri në mesin  e shek. XVI, në 53 fshatra të nahijes së Tetovës numëroheshin gjithsej  vetëm 184 shtëpi myslimane, ndërsa  në nahijen  e Kërçovës, po në të njëjtën periudhë numëroheshin  vetëm 47 shtëpi  myslimane, të shpërndara  në 21  fshatra.

Me ritme  tepër  të ngadalta ecte  islamizimi  gjatë shek. XVI edhe në  nahijet  e Dibrës së Sipërme dhe të Rekës. Megjithatë, në nahijen  e Dibrës së Sipërme shkalla e islamizimit të popullsisë fshatare, aty  nga fundi i këtij shekulli, paraqitej  më e lartë se në nahijet  e Tetovës dhe të Kërçovës. Në vitin  1583, në  43 fshatra  të kësaj  nahije  ishin të  regjistruar 271  vatra  myslimane, ndërsa në nahijen e Rekës, po në të  njëjtin vit, nga  43  fshatra  që kishte  gjithsej kjo nahije, dy syresh ishin  islamizuar  tërësisht.

Për ndonjë  trevë, siç  ishte ajo  e Dibrës së  Sipërme me qendër  Rahovnikun, ecuria  e islamizimit mund  të ndiqet  në mënyrë  të dokumentuar edhe në  dhjetëvjeçarët  e parë të shek. XVII. Sipas  Defterit  të hollësishëm  të regjistrimi  të livasë  së Ohrit, i vitit 1022 H/1613, në vetë  qytetin  e Dibrës (Rahovnikun) numëroheshin  gjithsej 127 shtëpi myslimane. gjë që  tregon  se numri  i shtëpive  myslimane ishte  rritur me 14 shtëpi  në krahasim  me vitin 1582. Duhet  theksuar  se këtu  jo vetëm  që ishte  një mëhallë e veçantë me banorë  myslimanë, por edhe  mëhallët  e krishtera të qytetit  kishin  filluar  të islamizoheshin. Kështu  60 shtëpi  myslimane ishin të shpërndara nëpër mëhallët e krishtera.

është  me interes  gjithashtu  të vihet  në dukje  se në vitin 1613, në qytetin e Dibrës  popullsia  kristiane  ishte shtuar  në përqindje  më të madhe se popullsia myslimane. Kështu  ndërsa  në vitin  1582 në këtë qytet numëroheshin  145 shtëpi  kristiane, në vitin  1613, numri i tyre kapte  shifrën  200. Kjo mund  të ketë lidhje  edhe me  zhvendosje të popullsisë kristiane  nga fshatrat përreth në drejtim të qytetit. Gjithnjë  sipas Defterit  të lartpërmendur, në zonën  fshatare të nahijes së Dibrës së Sipërme numëroheshin gjithsej 223  shtëpi myslimane, kundrejt 1271 shtëpive  kristiane. Në këtë  mënyrë  islamizimi i popullsisë fshatare të kësaj  nahijeje  në këtë  kohë ishte  më i ulët  se në  nahijen  fqinje  të Dibrës së Poshtme, ku  numëroheshin  863 shtëpi  myslimane, kundrejt  1382 shtëpive  kristiane.

Ecuria e islamizimit  të popullsisë  në disa treva shqiptare të Maqedonisë Perëndimore  gjatë  shek. XVII mund të  sqarohet  me të dhënat  e defterit  të hollësishëm    taksës së avarizit të sanxhakëve  të Ohrit  dhe të Elbasanit të vitit 1724. Sipas këtij dokumenti të rëndësishëm të zbuluar për herë të parë në njërën prej ekspeditave të herëshme kërkimore që kemi kryer në Arkivin Osman të Stambollit, në këtë kohë  popullsia e kazasë  së Dibrës  së Sipërme ishte islamizur në masën 42 përqind.  Struktura  fetare  e kësaj  nahijeje  edhe në  këtë kohë karakterizohej  nga mbizotërimi  numerik  i popullsisë së  krishterë  ndaj asaj  myslimane  në masën  748  me 541 shtëpi. Ajo  që ka  rëndësi  të theksohet  më shumë  është  që, ndërsa  në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XVII (viti 1613), qyteti  i Dibrës ishte  islamizuar  në masën  38 përqind, në dhjetëvjeçarët e parë të shek.XVIII (viti 1724), ishte islamizuar  tërësisht. Popullsia myslimane e qytetit  grupohej në  tri mëhallë ku më e madhja  ishte ajo  e Xhamisë Sherif të Ebu-el  Fatih Mehmet Hanit.

Interesante paraqitet  struktura  fetare e popullsisë  së qytetit  të Strugës në vitin 1724. Popullsia  e këtij qyteti, i cili  ishte në varësi    mukatasë së Durrësit, në këtë kohë ishte  në një shkallë të lartë  islamizimi. Popullsia  myslimane e qytetit  kishte arritur  pothuajse  të barazohej  numerikisht  me popullsinë e krishterë. Në  vitin 1724 në qytetet ishin  regjistruar 42 kryefamiljarë myslimanë, kundrejt  44 kryefamiljarëve  të krishterë.

Kalimi i një  pjese të madhe  të popullsisë shqiptare të Maqedonisë në fenë islame u shoqërua  me ndryshime të rëndësishme  në fizionominë shoqërore dhe në  formacionin kulturor të kësaj popullsie. Ndryshime  të tilla u  shfaqën qartë  në radhë të  parë  në qendrat  qytetare si në Dibër, Tetovë, Shkup, Ohër, Kumanovë, Përlep, Kërçovë etj. Një armatë e tërë klerikësh myslimanë, si myftinj, imamë, hatibë, muezinë etj., u bë  element i rëndësishëm  i strukturës  shoqërore të popullsisë. Në rrjedhën e kohës  u formua  e u zhvillua  kultura islamike shqiptare, e cila u bë  pjesë e pandarë  e kulturës  sonë  kombëtare dhe luajti  një rol të veçantë në pasurimin e jetës  shpirtërore  të shoqërisë. Veçanërisht në qytete u ngritën  një varg  monumentesh të fesë  islame  si xhami, medrese, teqe etj. Përveç  rëndësisë që kishin  në aspektin  fetar, ato i  shtuan  një përmasë të re  pamjes  urbanistike  të qendrave  të banuara. Si të tilla  mund të përmenden  xhamia e Isa Beut  në Shkup, xhamitë  e sulltan Fatih Mehmet  Hanit  dhe të  Kara Mustafa Pashës  në Dibër, xhamitë  e Allajbeut  dhe të  Asllan Pashës në Përlep, xhamia e Kumanovës, etj.

 

 

Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010

06
Dec
1 comments | 0 recommendations

Nisur nga karakteri i problematikës së trajtuar, lënda e këtij raporti do të parashtrohet sipas rubrikave të mëposhtëme:

1.      Feja dhe marrëdhëniet ndëretnike në hapësirën shqiptare

Në faqet e shtypit shqiptar kanë vijuar të evidentohen dhe të trajtohen një varg problemesh që lidhen me ruajtjen dhe forcimin e klimës tolerante dhe paqësore jo vetëm brenda arealit shqiptar, por edhe midis shqiptarëve dhe fqinjëve, si dhe rolin dhe kontributin që ofrojnë në këtë drejtim organet shtetërore, komunitetet fetare, klasa politike dhe shoqëria civile. Në këto suaza spikat një shkrim i së përditshmes shqiptare “Shqip” (25.08.2010) titulluar “Prishtina merr në mbrojtje manastiret serbe”, ku mes të tjerash, bëhet e ditur se qeveria e Kosovës merr nga KFOR-i kompetencat për mbrojtjen e manastireve serbe. Në shkrim theksohet se pavarësisht kundërshtimit të këtij vendimi nga qeveria e Beogradit dhe Kisha serbe, popullsia vendase e ka pritur me qetësi një vendim të tillë. Vihet në dukje gjithashtu se policia e Kosovës u kishte bërë thirrje banorëve serbë të atyshëm që të mos frikësoheshin nga forcimi i kompetencave të saj, duke i garantuar ata që ky institucion i kishte të gjitha kapacitetet për ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe historike serbe si dhe për sigurimin e një mjedisi të qetë për të gjithë qytretarët e Kosovës. Në shkrimin e lartpërmendur nuk lihet pa u theksuar se objektet e trashëgimisë serbe të dëmtuara gjatë trazirave të marsit 2004 ishin restauruar me fondet e qeverisë së Kosovës me arsyetimin se ato ishin pasuri e Kosovës dhe se si të tilla, duheshin ruajtur nga të gjithë.

 

Në lidhje me argumentin e mësipërm në media ka pasur edhe oponenca të fuqishme. Kjo duket qartë në shkrimin "Minuset që vijnë nga toleranca e tepërt", botuar në të përditshmen "Koha Jonë" (dt. 05.09.2010). Autori i shkrimit në fjalë Prof. Dr. Mehdi Hyseni, thekson se ruajtja e kishave serbe me polici është një minus i madh për sundimin e ligjit dhe të demokracisë në Kosovë. Më tej në këtë shkrim vihet në dukje se:

"…derisa në Kosovë sundon ligji, qetësia dhe siguria në kohë paqeje, logjikisht nuk ekziston kurrëfarë nevoje që me armë e roje të armatosura deri në dhëmbë, të mbrohen kishat dhe manastiret serbe, qoftë nga policia e Kosovës, qoftë nga KFOR-i, etj."

"Në paqë, vijon më tej autori i shkrimit, të drejtat dhe liritë e njeriut mbrohen me ligj, në mënyrë demokratike dhe paqësore, jo me pushkë në krah dhe me tanke. Pse dhe kush duhet t'i mbrojë kishat dhe manastiret e pakicës serbe në Kosovë, kur ato asnjëherë në historinë e derisotme të tyre, nuk kanë qenë të rrezikuara nga shqiptarët, përkundrazi, kanë qenë të mbrojtura."   

Në shtyp janë denoncuar gjithashtu edhe veprime që lëndojnë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Në këtë kuadër duhen veçuar dy shkrime në dy numra të gazetës së mësipërme (përkatësisht dt. 26 dhe 27 gusht), të shoqëruar edhe me intervista të studiuesve shqiptarë. Bëhet fjalë për një tekst maqedonas të gjeografisë ku në mënyrë tendencioze shqiptarët e Maqedonisë janë paraqitur si një popullsi e prejardhur nga romët, turqit, çerkezët dhe pjesërisht e prejardhur nga maqedonas të islamizuar.

2. Feja, toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar në viset shqiptare

Shtypi shqiptar i periudhës në shqyrtim ka trajtuar edhe mjaft probleme që lidhen me fenë, tolerancën e mirëkuptimin ndërfetar, si dhe çështje që lidhen me progresin dhe emancipimin e komuniteteve fetare në arealin shqiptar.

Këtu është e nevojëshme të tërhiqet vëmendja sidomos në pasqyrimin që kanë gjetur në shtyp informacione që lidhen me raste të cënimit të tolerancës dhe të mirëkuptimit ndërfetar e ndëretnik. Në këtë rrafsh lipset të theksohet se aty këtu janë vërejtur shfaqje të radikalizimit të besimit për qëllime të caktuara, por nga ana tjetër, edhe reagime të shpejta dhe të vendosura të institucioneve fetare përkatëse ndaj këtyre dukurive. Domethënëse në këtë drejtim është shfaqja e një videoje në internet ku këndohej në shqip një këngë që lavdëronte Bin Ladenin dhe u bënte thirrje shiptarëve myslimanë për t’u bashkuar me luftën e shenjtë (Xhihadin). Kësaj ngjarjeje i bën jehonë edhe një shkrim i “Gazetës Shqiptare” (30.08.2010), në të cilin bëhet i njohur gjithashtu edhe qëndrimi i njëzëshëm dënues i imamëve dhe Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Maqedonisë ndaj këtij incidenti të rëndë të shkaktuar nga një grup i vogël njerëzish, të cilët kishin adoptuar orientimin radikal vahabi të Islamit.

Në shtyp gjithashtu janë bërë evidente edhe probleme të përsëritura që shqetësojnë Komunitetin Mysliman Shqiptar.  Në një shkrim të gazetës “Shekulli” të dt. 27.09.2010 me autor Besnik Sinanin, vihet në dukje se kriza që manifestohet në gjirin e Komunitetit Mysliman nuk mund të shpjegohet me dikotominë “të rinjtë” kundër “të vjetërve”, “ekstremistët” kundër “tolerantëve” por me korrupsionin që bëhet me pronat e këtij komuniteti.

Ajo që ka rëndësi të theksohet është se autori i shkrimit ngre edhe disa probleme që lidhen me debatin e sotëm në lidhje me karakterin e Islamit që duhet të aplikohet në Shqipëri. Duke polemizuar me Mark Markun, autor i një shkrimi të botuar në gazetën MAPO të dt. 22.10.2010, si dhe me anlistë të tjerë që kanë komentuar problematikën e sotme të Islamit shqiptar në kontekstin e sigurisë në vend dhe në rajon, z. Sinani mbron idenë se shteti shqiptar nuk duhet të ndërhyjë në problemet e brendshme të Komunitetit Mysliman aq më tepër të imponojë se ç'variant i Islamit (arab, vahabist, etj.) duhet të praktikohet nga besimtarët shqiptarë. Më tej autori në fjalë ve në dukje se se "Islami arab" nuk duhet identifikuar me vahabizmin, sepse ky version i Islamit është një minoritet në në botën arabe.

Duke iu referuar diskursit të sotëm që zhvillohet në Shqipëri në lidhje me këto probleme, z. Sinani vëren se:

"Duke mos njohur natyrën dhe përmbajtjen teologjike që informon jetën fetare të besimtarëve, ky diskurs ka kriminalizuar një gamë të madhe të besimtarëve duke pretenduar se ata përbëjnë rrezik kombëtar, janë intolerant dhe nuk besojnë tek bashkëjetesa me njerëz të besimeve të tjera. Këto përgjithësime e supozime nuk janë të mbështetura as në studime e as në nohe të çështjeve që komentojnë, port ë kthyera në politika shtetërore dhe aksioma të mendimit shoqëror, ato rezultojnë në forma margjinalizimi dhe diskriminimi që duhet të shqetësojë çdo shoqëri që e merr seriozisht demokracinë."

Në shkrimin e lartpërmendur i kushtohet vëmendje edhe kuptimit të sekularizmit në kohën e sotme. Në këtë rast theksohet se ideja e sekularizmit ka pësuar transformime gjatë dhjetëvjeçarëve që kanë kaluar duke bërë të qartë se sot qoftë "sekularistët fundamentalistë" qoftë dhe "fundamentalistët fetarë", duke mos i kuptuar këto ndryshime, supozojnë se mënyra se si jetohet feja, ashtu edhe marrëdhëniet e shtetit me fenë, janë të pandryshueshme. 

Një vend të rëndësishëm kanë zënë në shtyp edhe debatet në lidhje me autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, me fokus të veçantë në pozitën dhe rolin e kreut të këtij institucioni, Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Në këtë debat ku kanë qenë përfshirë akademikë e politikanë të caktuar, kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare është cilësuar si i paligjshëm  në funksionin që mban, gjë që është shoqëruar edhe me kërkesën që Kisha Ortodokse të ketë tashmë në krye një klerik shqiptar. Nga ana tjetër, vetë Kryepeshkopi Janullatos i ka përgënjeshtruar akuzat e bëra ndaj tij, duke theksuar se jo vetëm që nuk është vendosur në krye të Kishës në mënyrë të parregullt, por ka kontribuar aktivisht në ringjalljen e Kishës dhe ndërtimin e marrëdhënieve paqësore midis komuniteteve fetare në Shqipëri (shih disa numra të Gazetës Shqiptare si dhe të organeve të shtypit shqiptar të muajit shtator 2010).

3. Islami dhe bota e sotme

Shtypi shqiptar i periudhës në shqyrtim u ka bërë jehonë edhe debateve që zhvillohen sot në shkallë europiane dhe globale në lidhje me perceptimin, rolin dhe ndikimin e Islamit në zhvillimet politike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës sonë. Në këto suaza një vend të rëndësishëm zënë informacionet në lidhje me urrejtjen, qëndrimet radikale ndaj fesë islame dhe ndjekësve të saj. Vlen të përmenden me këtë rast orvatja e një pastori amerikan për të djegur publikisht librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin (shih mes të tjerash gazetën “Standard”, dt. 09.09.2010), djegien e një xhamie dhe të kopjeve të Kuranit nga grupe radikale hebrenjsh në Betlehem (“Tirana Observer”, 05.10.2010), etj.

Por në shtyp janë botuar gjithashtu komente dhe shkrime të personaliteteve të ndryshme në lidhje me nevojën e rregullimit të bashkëjetesës  mes Islamit dhe Perëndimit. Është me interes këtu të përmendet një shkrim i ministrit të jashtëm italian Franko Fratini i titulluar “Strategji europiane për bashkëjetesën mes Islamit dhe Perëndimit” (gazeta “Shqip”, 17.09.2010). Autori trajton elementët thelbësorë të strategjisë europiane për rregullimin e marrëdhënieve të Perëndimit me botën islamike. Fratini vë në dukje katër elementë të tillë, të cilët sipas tij janë: përparësia dhe universalizmi i të drejtave, një politikë emigracioni e përbashkët, vijimi i luftës kundër terrorizmit dhe hapja e Turqisë. Përsa i përket elementit të fundit, autori midis të tjerash, thekson:

Author info
image Ferit Duka -Profesor Doktor-Përgjegjës i Departamentit të Studimeve Mesjetare dhe Osmane në Qendren e Studimeve Albanologjike.