Ferit Duka
Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)
Ndryshimet politike dhe ekonomike-shoqërore që u dukën në trevat shqiptare me vendosjen e sundimit osman, u ndoqën edhe nga ndryshime të mëdha në strukturën fetare të popullsisë. Një element i ri hyri në konstitucionin shpirtëror të popullsisë shqiptare: besimi islam. Përhapja e islamit në radhët e popullsisë shqiptare të Maqedonisë, ashtu si në mbarë territorin shqiptar, ishte një proces historik që u zhvillua në mënyrë të shkallëzuar, me intensitet të ndryshueshëm në përputhje me rrethanat që përcaktuan zhvillimin e kësaj dukurie.
Çështja e islamizimit të popullsisë shqiptare të Maqedonisë, ashtu sikundër islamizimi i popullsisë shqiptare në tërësi, përbën një temë mjaft interesante për historishkruesit shqiptarë. Çështja në fjalë është në vetvete një problem mjaft i vështirë e kompleks, që për nga karakteri dhe përmasat i kapërcen kufijtë e historisë fetare dhe në të njëjtën kohë paraqitet edhe si përbërëse e rëndësishme e historisë politike, kulturore e ekonomike-sociale e popullit shqiptar. shqiptare të kësaj treve në aspektet shoqërore, kulturore, urbanistike etj.
Vrojtimet, analizat dhe përfundimet tona rreth çështjeve në shqyrtim janë mbështetur jo vetëm në të dhënat e shumta të defterëve osmanë të shek.XV-XVI, të përpunuar prej historianëve orientalistë maqedonas, por edhe në shqyrtimin e mjaft të dhënave që sjellin dy defterë deri vonë të panjohur në letërsinë historiografike: Defteri i hollësishëm i sanxhakut të Ohrit i vitit 1022 H/1613, dhe një defter i hollësishëm i taksës së avarizit të sanxhakëve të Ohrit dhe të Elbasanit të vitit 1137/1724.
Sikurse është njohur, fillimi i islamizimit të popullsisë shqiptare lidhet me fillimet e sundimit osman në trojet tona. Ndryshe nga viset e tjera shqiptare, trevat shqiptare të Maqedonisë ishin nga të parat që u ballafaquan me pushtimin osman. Aty nga fundi i shek. XIV këto treva pothuajse tërësisht kaluan nën sundimin osman. Qendrat e njohura të banuara prej popullsisë shqiptare si Dibra, Tetova, Kërçova, Kumanova etj. me vendosjen e sundimit osman, u shndërruan në qendra vilajetesh a nahijesh të përfshira në njësi më të mëdha administrative, siç ishin Pasha Sanxhaku, sanxhaku i Ohrit dhe ai i Shkupit.
Analiza e dokumentacionit osman tregon qartë se shkalla e islamizimit të popullsisë shqiptare të Maqedonisë në shek. XV ishte ende e ulët. Nga të dhënat e defterit emëror të vilajeteve të Dibrës, të Gollobordës (Dullgobordës), të Rekës dhe të çermenikës të vitit 1467, del se në vilajetet e Dibrës së Sipërme dhe të Rekës, deri në këtë kohë, nuk figuronte i regjistruar asnjë banor i islamizuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në këtë rajon dukuria e islamizimit ishte krejt e panjohur. Funksionarët dhe nëpunësit e administratës lokale, ndërmjet të cilëve domosdo kishte edhe mjaft shqiptarë, përbënin kontingjentin e popullsisë myslimane të krahinës. Është për t’u theksuar gjithashtu prania e timarjotëve të krishterë në vilajetin e Dibrës së Sipërme. Kjo kategori shoqërore ka rëndësi të vihet në dukje, sepse e ardhmja e saj ishte përqafimi i fesë islame dhe përfshirja në radhët e popullsisë së islamizuar.
Disi më e ndryshme paraqitej në shek. XV struktura fetare e popullsisë për nahijen e Tetovës (Kallkandelenit). Nga të dhënat dokumentare të vitit 1450, për këtë nahije, mësohet se në qytetin e Tetovës kishte të regjistruar atë kohë 60 shtëpi myslimane, kur popullsia e krishterë e qytetit arrinte deri në 153 shtëpi. Vetëm 18 vjet më vonë, në vitin 1468, vihet re një prirje interesante për strukturën fetare të popullsisë. Ndërsa popullsia kristiane e qytetit të Tetovës shtohej dukshëm (nga 153 shtëpi në 180), popullsia myslimane ishte pakësuar po ashtu dukshëm (nga 60 shtëpi në 41).
Gjithnjë sipas të dhënave të sipërpërmendura, shihet që shkalla e islamizimit të popullsisë së qytetit të Tetovës, në shek. XV, ishte jo e vogël (rreth 30 përqind). S’mund të thuhet e njëjta gjë për fshatrat e nahijes me të njëjtin emër. Nga e gjithë popullsia fshatare e kësaj nahijeje, në regjistrimin e vitit 1468, janë shënuar vetëm 9 shtëpi myslimane.
Përparime jo të vogla kishte bërë islamizimi i popullsisë edhe në qytetin e Kërçovës. Kjo duket me shtimin e shtëpive myslimane në harkun kohor nga mesi i shek.XV deri afër fundit të këtij shekulli. Nga 13 shtëpi myslimane rreth mesit të shekullit, në vitet 70-80 janë regjistruar 45 të tilla. Pra në një kohë që popullsia myslimane e qytetit është rritur 3.5 herë ose 350 përqind popullsia kristiane është shtuar vetëm me një shtëpi. Ndërkohë që popullsia fshatare e nahijes së Kërçovës vijonte të ruante në përgjithësi të paprekur gjendjen fetare të krishterë. Në regjistrimin e vitit 1481 janë shënuar vetëm 12 shtëpi myslimane fshatare, të vetmet në të gjithë zonën fshatare të nahijes në fjalë. Nga të 12 shtëpitë myslimane të sipërpërmendura, 8 syresh ishin të islamizuara rishtas, gjë që shihet se pranë emrave të kryefamiljarëve janë vënë shënimet “myslimani i ri” a cilësimi “bin Abdullah” (i biri i robit të zotit), ose ata shënohen me mbiemra kristianë.
Ndryshime jo të pakta në strukturën fetare të popullsisë, në të mirë të shtrirjes së fesë islame, vërehen që në shek.XV edhe në nahijen e Përlepit. Brenda gjysmës së dytë të këtij shekulli vërehet një shtim i ndjeshëm i popullsisë myslimane të qytetit në vlerë absolute. Të dhënat dokumentare të periudhës 1445-1481 tregojnë se popullsia myslimane e qytetit të Përlepit në këtë periudhë ishte shtuar mbi 10 herë (nga 10 shtëpi në 141), ndërkohë që popullsia kristiane e të njëjtin qytet s’ishte shtuar veçse 0,1 herë (nga 350 shtëpi në 386).
Ndryshe nga nahijet e tjera të sipërpërmendura, në nahijen e Përlepit, vihet re se feja islamike, që nga gjysma e parë e shek.XV, kishte mundur të shtrihej edhe në zonat fshatare. Regjistrimi osman i vitit 1445 na bën të njohur për dy fshatra me 62 shtëpi myslimane.
Po të vështrohet në rrafshin krahasues, dinamika e islamizimit në qytetet e banuara prej popullsisë shqiptare në Maqedoni, siç ishin Tetova, Kërçova, etj., vihet re se struktura fetare e këtyre qyteteve në shek. XV kishte ndryshuar më shpejt në të mirë të përhapjes së fesë islame, se sa në mjaft qytete shqiptare të brendshme, siç ishin Elbasani, Vlora, Berati, Gjirokastra etj. Kjo dukuri shpjegohet jo vetëm me përfshirjen më herët të këtyre rajoneve nën sundimin osman, por edhe me nevojën e theksimit dhe qartësimit të identitetit të popullsisë shqiptare përballë asaj sllave, si dhe me pozitën gjeografike më në lindje të këtyre qendrave, d.m.th. më afër rrezes së ndikimit të kulturës islamike-orientale.
Arritje të një rëndësie vendimtare u shënuan në islamizimin e popullsisë shqiptare të Maqedonisë gjatë shek. XVI. Regjistrimet e shumta të bëra prej administratës osmane gjatë këtij shekulli japin një material të pasur për të kuptuar dinamikën e këtij procesi në këtë periudhë. Ritmet më të larta të islamizimit të popullsisë edhe gjatë këtij shekulli vijonin t’i ruanin qytetet. Shprehja më e qartë e kësaj dukurie ishin shtimi në përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha i popullsisë myslimane të qyteteve jo vetëm në krahasim me shekullin paraardhës, por edhe gjatë shekullit XVI. Kështu, p.sh. qyteti i Dibrës, deri në vitin 1550, numëronte 190 myslimanë, ndërsa në vitin 1582, 665 myslimanë, në një kohë kur në vitin 1467 në këtë qendër nuk është regjistruar asnjë mysliman. Vetëm brenda një periudhe 11 vjeçare (1550-1582) popullsia myslimane e qytetit është mbidyfishuar.
E njëjta gjendje vërehet edhe në qytetin e Strugës. Ndërsa popullsia myslimane midis viteve 1550-1582 është mbishtatëfishuar, në të kundërtën, popullsia kristiane e qytetit, për të njëjtën periudhë, ka njohur pakësim (nga 1100 banorë në 915 banorë).
Në qytetin e Tetovës struktura fetare e popullsisë gjatë shek. XVI është në ndryshim të pandërprerë, deri në barazimin numerik të popullsisë myslimane me atë kristiane (në mesin e këtij shekulli). Më pas përmbysen krejt përpjesëtimet midis popullsive të dy besimeve, duke sjellë si rrjedhojë që në vitin 1582 popullsia myslimane të jetë rreth 3 herë më e madhe se ajo kristiane.
Edhe në qytetin e Kërçovës islamizimi i popullsisë gjatë shek. XVI përparon pa ndërprerje. Kjo shihet jo në shtimin në vlerë absolute të popullsisë myslimane (përndryshe këtu vihet re një dukuri interesante, që popullsitë e të dy besimeve vijnë gjithnjë duke u pakësuar gjatë kësaj periudhe), por se kundrejt popullsisë së krishtere ajo shtohet gjithnjë e më shumë, derisa në vitin 1582 numëronte 375 veta, kundrejt 205 vetave të popullsisë së krishtere, në një kohë kur në vitet 1519-1523 ajo ishte në numër më të ulët kundrejt kësaj popullsie, në përpjesëtim 480 me 725.
Megjithëse shek. XVI shënon një përparim të mëtejshëm të islamizimit të popullsisë fshatare të trevave shqiptare të Maqedonisë, në krahasim me shek. XV, ritmet e islamizimit në këtë pjesë të popullsisë, krahasuar me atë qytetare, ishin të ngadalta. Kështu, p.sh. deri në mesin e shek. XVI, në 53 fshatra të nahijes së Tetovës numëroheshin gjithsej vetëm 184 shtëpi myslimane, ndërsa në nahijen e Kërçovës, po në të njëjtën periudhë numëroheshin vetëm 47 shtëpi myslimane, të shpërndara në 21 fshatra.
Me ritme tepër të ngadalta ecte islamizimi gjatë shek. XVI edhe në nahijet e Dibrës së Sipërme dhe të Rekës. Megjithatë, në nahijen e Dibrës së Sipërme shkalla e islamizimit të popullsisë fshatare, aty nga fundi i këtij shekulli, paraqitej më e lartë se në nahijet e Tetovës dhe të Kërçovës. Në vitin 1583, në 43 fshatra të kësaj nahije ishin të regjistruar 271 vatra myslimane, ndërsa në nahijen e Rekës, po në të njëjtin vit, nga 43 fshatra që kishte gjithsej kjo nahije, dy syresh ishin islamizuar tërësisht.
Për ndonjë trevë, siç ishte ajo e Dibrës së Sipërme me qendër Rahovnikun, ecuria e islamizimit mund të ndiqet në mënyrë të dokumentuar edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVII. Sipas Defterit të hollësishëm të regjistrimi të livasë së Ohrit, i vitit 1022 H/1613, në vetë qytetin e Dibrës (Rahovnikun) numëroheshin gjithsej 127 shtëpi myslimane. gjë që tregon se numri i shtëpive myslimane ishte rritur me 14 shtëpi në krahasim me vitin 1582. Duhet theksuar se këtu jo vetëm që ishte një mëhallë e veçantë me banorë myslimanë, por edhe mëhallët e krishtera të qytetit kishin filluar të islamizoheshin. Kështu 60 shtëpi myslimane ishin të shpërndara nëpër mëhallët e krishtera.
është me interes gjithashtu të vihet në dukje se në vitin 1613, në qytetin e Dibrës popullsia kristiane ishte shtuar në përqindje më të madhe se popullsia myslimane. Kështu ndërsa në vitin 1582 në këtë qytet numëroheshin 145 shtëpi kristiane, në vitin 1613, numri i tyre kapte shifrën 200. Kjo mund të ketë lidhje edhe me zhvendosje të popullsisë kristiane nga fshatrat përreth në drejtim të qytetit. Gjithnjë sipas Defterit të lartpërmendur, në zonën fshatare të nahijes së Dibrës së Sipërme numëroheshin gjithsej 223 shtëpi myslimane, kundrejt 1271 shtëpive kristiane. Në këtë mënyrë islamizimi i popullsisë fshatare të kësaj nahijeje në këtë kohë ishte më i ulët se në nahijen fqinje të Dibrës së Poshtme, ku numëroheshin 863 shtëpi myslimane, kundrejt 1382 shtëpive kristiane.
Ecuria e islamizimit të popullsisë në disa treva shqiptare të Maqedonisë Perëndimore gjatë shek. XVII mund të sqarohet me të dhënat e defterit të hollësishëm të taksës së avarizit të sanxhakëve të Ohrit dhe të Elbasanit të vitit 1724. Sipas këtij dokumenti të rëndësishëm të zbuluar për herë të parë në njërën prej ekspeditave të herëshme kërkimore që kemi kryer në Arkivin Osman të Stambollit, në këtë kohë popullsia e kazasë së Dibrës së Sipërme ishte islamizur në masën 42 përqind. Struktura fetare e kësaj nahijeje edhe në këtë kohë karakterizohej nga mbizotërimi numerik i popullsisë së krishterë ndaj asaj myslimane në masën 748 me 541 shtëpi. Ajo që ka rëndësi të theksohet më shumë është që, ndërsa në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XVII (viti 1613), qyteti i Dibrës ishte islamizuar në masën 38 përqind, në dhjetëvjeçarët e parë të shek.XVIII (viti 1724), ishte islamizuar tërësisht. Popullsia myslimane e qytetit grupohej në tri mëhallë ku më e madhja ishte ajo e Xhamisë Sherif të Ebu-el Fatih Mehmet Hanit.
Interesante paraqitet struktura fetare e popullsisë së qytetit të Strugës në vitin 1724. Popullsia e këtij qyteti, i cili ishte në varësi të mukatasë së Durrësit, në këtë kohë ishte në një shkallë të lartë islamizimi. Popullsia myslimane e qytetit kishte arritur pothuajse të barazohej numerikisht me popullsinë e krishterë. Në vitin 1724 në qytetet ishin regjistruar 42 kryefamiljarë myslimanë, kundrejt 44 kryefamiljarëve të krishterë.
Kalimi i një pjese të madhe të popullsisë shqiptare të Maqedonisë në fenë islame u shoqërua me ndryshime të rëndësishme në fizionominë shoqërore dhe në formacionin kulturor të kësaj popullsie. Ndryshime të tilla u shfaqën qartë në radhë të parë në qendrat qytetare si në Dibër, Tetovë, Shkup, Ohër, Kumanovë, Përlep, Kërçovë etj. Një armatë e tërë klerikësh myslimanë, si myftinj, imamë, hatibë, muezinë etj., u bë element i rëndësishëm i strukturës shoqërore të popullsisë. Në rrjedhën e kohës u formua e u zhvillua kultura islamike shqiptare, e cila u bë pjesë e pandarë e kulturës sonë kombëtare dhe luajti një rol të veçantë në pasurimin e jetës shpirtërore të shoqërisë. Veçanërisht në qytete u ngritën një varg monumentesh të fesë islame si xhami, medrese, teqe etj. Përveç rëndësisë që kishin në aspektin fetar, ato i shtuan një përmasë të re pamjes urbanistike të qendrave të banuara. Si të tilla mund të përmenden xhamia e Isa Beut në Shkup, xhamitë e sulltan Fatih Mehmet Hanit dhe të Kara Mustafa Pashës në Dibër, xhamitë e Allajbeut dhe të Asllan Pashës në Përlep, xhamia e Kumanovës, etj.
Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010
Nisur nga karakteri i problematikës së trajtuar, lënda e këtij raporti do të parashtrohet sipas rubrikave të mëposhtëme:
1. Feja dhe marrëdhëniet ndëretnike në hapësirën shqiptare
Në faqet e shtypit shqiptar kanë vijuar të evidentohen dhe të trajtohen një varg problemesh që lidhen me ruajtjen dhe forcimin e klimës tolerante dhe paqësore jo vetëm brenda arealit shqiptar, por edhe midis shqiptarëve dhe fqinjëve, si dhe rolin dhe kontributin që ofrojnë në këtë drejtim organet shtetërore, komunitetet fetare, klasa politike dhe shoqëria civile. Në këto suaza spikat një shkrim i së përditshmes shqiptare “Shqip” (25.08.2010) titulluar “Prishtina merr në mbrojtje manastiret serbe”, ku mes të tjerash, bëhet e ditur se qeveria e Kosovës merr nga KFOR-i kompetencat për mbrojtjen e manastireve serbe. Në shkrim theksohet se pavarësisht kundërshtimit të këtij vendimi nga qeveria e Beogradit dhe Kisha serbe, popullsia vendase e ka pritur me qetësi një vendim të tillë. Vihet në dukje gjithashtu se policia e Kosovës u kishte bërë thirrje banorëve serbë të atyshëm që të mos frikësoheshin nga forcimi i kompetencave të saj, duke i garantuar ata që ky institucion i kishte të gjitha kapacitetet për ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe historike serbe si dhe për sigurimin e një mjedisi të qetë për të gjithë qytretarët e Kosovës. Në shkrimin e lartpërmendur nuk lihet pa u theksuar se objektet e trashëgimisë serbe të dëmtuara gjatë trazirave të marsit 2004 ishin restauruar me fondet e qeverisë së Kosovës me arsyetimin se ato ishin pasuri e Kosovës dhe se si të tilla, duheshin ruajtur nga të gjithë.
Në lidhje me argumentin e mësipërm në media ka pasur edhe oponenca të fuqishme. Kjo duket qartë në shkrimin "Minuset që vijnë nga toleranca e tepërt", botuar në të përditshmen "Koha Jonë" (dt. 05.09.2010). Autori i shkrimit në fjalë Prof. Dr. Mehdi Hyseni, thekson se ruajtja e kishave serbe me polici është një minus i madh për sundimin e ligjit dhe të demokracisë në Kosovë. Më tej në këtë shkrim vihet në dukje se:
"…derisa në Kosovë sundon ligji, qetësia dhe siguria në kohë paqeje, logjikisht nuk ekziston kurrëfarë nevoje që me armë e roje të armatosura deri në dhëmbë, të mbrohen kishat dhe manastiret serbe, qoftë nga policia e Kosovës, qoftë nga KFOR-i, etj."
"Në paqë, vijon më tej autori i shkrimit, të drejtat dhe liritë e njeriut mbrohen me ligj, në mënyrë demokratike dhe paqësore, jo me pushkë në krah dhe me tanke. Pse dhe kush duhet t'i mbrojë kishat dhe manastiret e pakicës serbe në Kosovë, kur ato asnjëherë në historinë e derisotme të tyre, nuk kanë qenë të rrezikuara nga shqiptarët, përkundrazi, kanë qenë të mbrojtura."
Në shtyp janë denoncuar gjithashtu edhe veprime që lëndojnë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Në këtë kuadër duhen veçuar dy shkrime në dy numra të gazetës së mësipërme (përkatësisht dt. 26 dhe 27 gusht), të shoqëruar edhe me intervista të studiuesve shqiptarë. Bëhet fjalë për një tekst maqedonas të gjeografisë ku në mënyrë tendencioze shqiptarët e Maqedonisë janë paraqitur si një popullsi e prejardhur nga romët, turqit, çerkezët dhe pjesërisht e prejardhur nga maqedonas të islamizuar.
2. Feja, toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar në viset shqiptare
Shtypi shqiptar i periudhës në shqyrtim ka trajtuar edhe mjaft probleme që lidhen me fenë, tolerancën e mirëkuptimin ndërfetar, si dhe çështje që lidhen me progresin dhe emancipimin e komuniteteve fetare në arealin shqiptar.
Këtu është e nevojëshme të tërhiqet vëmendja sidomos në pasqyrimin që kanë gjetur në shtyp informacione që lidhen me raste të cënimit të tolerancës dhe të mirëkuptimit ndërfetar e ndëretnik. Në këtë rrafsh lipset të theksohet se aty këtu janë vërejtur shfaqje të radikalizimit të besimit për qëllime të caktuara, por nga ana tjetër, edhe reagime të shpejta dhe të vendosura të institucioneve fetare përkatëse ndaj këtyre dukurive. Domethënëse në këtë drejtim është shfaqja e një videoje në internet ku këndohej në shqip një këngë që lavdëronte Bin Ladenin dhe u bënte thirrje shiptarëve myslimanë për t’u bashkuar me luftën e shenjtë (Xhihadin). Kësaj ngjarjeje i bën jehonë edhe një shkrim i “Gazetës Shqiptare” (30.08.2010), në të cilin bëhet i njohur gjithashtu edhe qëndrimi i njëzëshëm dënues i imamëve dhe Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Maqedonisë ndaj këtij incidenti të rëndë të shkaktuar nga një grup i vogël njerëzish, të cilët kishin adoptuar orientimin radikal vahabi të Islamit.
Në shtyp gjithashtu janë bërë evidente edhe probleme të përsëritura që shqetësojnë Komunitetin Mysliman Shqiptar. Në një shkrim të gazetës “Shekulli” të dt. 27.09.2010 me autor Besnik Sinanin, vihet në dukje se kriza që manifestohet në gjirin e Komunitetit Mysliman nuk mund të shpjegohet me dikotominë “të rinjtë” kundër “të vjetërve”, “ekstremistët” kundër “tolerantëve” por me korrupsionin që bëhet me pronat e këtij komuniteti.
Ajo që ka rëndësi të theksohet është se autori i shkrimit ngre edhe disa probleme që lidhen me debatin e sotëm në lidhje me karakterin e Islamit që duhet të aplikohet në Shqipëri. Duke polemizuar me Mark Markun, autor i një shkrimi të botuar në gazetën MAPO të dt. 22.10.2010, si dhe me anlistë të tjerë që kanë komentuar problematikën e sotme të Islamit shqiptar në kontekstin e sigurisë në vend dhe në rajon, z. Sinani mbron idenë se shteti shqiptar nuk duhet të ndërhyjë në problemet e brendshme të Komunitetit Mysliman aq më tepër të imponojë se ç'variant i Islamit (arab, vahabist, etj.) duhet të praktikohet nga besimtarët shqiptarë. Më tej autori në fjalë ve në dukje se se "Islami arab" nuk duhet identifikuar me vahabizmin, sepse ky version i Islamit është një minoritet në në botën arabe.
Duke iu referuar diskursit të sotëm që zhvillohet në Shqipëri në lidhje me këto probleme, z. Sinani vëren se:
"Duke mos njohur natyrën dhe përmbajtjen teologjike që informon jetën fetare të besimtarëve, ky diskurs ka kriminalizuar një gamë të madhe të besimtarëve duke pretenduar se ata përbëjnë rrezik kombëtar, janë intolerant dhe nuk besojnë tek bashkëjetesa me njerëz të besimeve të tjera. Këto përgjithësime e supozime nuk janë të mbështetura as në studime e as në nohe të çështjeve që komentojnë, port ë kthyera në politika shtetërore dhe aksioma të mendimit shoqëror, ato rezultojnë në forma margjinalizimi dhe diskriminimi që duhet të shqetësojë çdo shoqëri që e merr seriozisht demokracinë."
Në shkrimin e lartpërmendur i kushtohet vëmendje edhe kuptimit të sekularizmit në kohën e sotme. Në këtë rast theksohet se ideja e sekularizmit ka pësuar transformime gjatë dhjetëvjeçarëve që kanë kaluar duke bërë të qartë se sot qoftë "sekularistët fundamentalistë" qoftë dhe "fundamentalistët fetarë", duke mos i kuptuar këto ndryshime, supozojnë se mënyra se si jetohet feja, ashtu edhe marrëdhëniet e shtetit me fenë, janë të pandryshueshme.
Një vend të rëndësishëm kanë zënë në shtyp edhe debatet në lidhje me autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, me fokus të veçantë në pozitën dhe rolin e kreut të këtij institucioni, Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në këtë debat ku kanë qenë përfshirë akademikë e politikanë të caktuar, kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare është cilësuar si i paligjshëm në funksionin që mban, gjë që është shoqëruar edhe me kërkesën që Kisha Ortodokse të ketë tashmë në krye një klerik shqiptar. Nga ana tjetër, vetë Kryepeshkopi Janullatos i ka përgënjeshtruar akuzat e bëra ndaj tij, duke theksuar se jo vetëm që nuk është vendosur në krye të Kishës në mënyrë të parregullt, por ka kontribuar aktivisht në ringjalljen e Kishës dhe ndërtimin e marrëdhënieve paqësore midis komuniteteve fetare në Shqipëri (shih disa numra të Gazetës Shqiptare si dhe të organeve të shtypit shqiptar të muajit shtator 2010).
3. Islami dhe bota e sotme
Shtypi shqiptar i periudhës në shqyrtim u ka bërë jehonë edhe debateve që zhvillohen sot në shkallë europiane dhe globale në lidhje me perceptimin, rolin dhe ndikimin e Islamit në zhvillimet politike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës sonë. Në këto suaza një vend të rëndësishëm zënë informacionet në lidhje me urrejtjen, qëndrimet radikale ndaj fesë islame dhe ndjekësve të saj. Vlen të përmenden me këtë rast orvatja e një pastori amerikan për të djegur publikisht librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin (shih mes të tjerash gazetën “Standard”, dt. 09.09.2010), djegien e një xhamie dhe të kopjeve të Kuranit nga grupe radikale hebrenjsh në Betlehem (“Tirana Observer”, 05.10.2010), etj.
Por në shtyp janë botuar gjithashtu komente dhe shkrime të personaliteteve të ndryshme në lidhje me nevojën e rregullimit të bashkëjetesës mes Islamit dhe Perëndimit. Është me interes këtu të përmendet një shkrim i ministrit të jashtëm italian Franko Fratini i titulluar “Strategji europiane për bashkëjetesën mes Islamit dhe Perëndimit” (gazeta “Shqip”, 17.09.2010). Autori trajton elementët thelbësorë të strategjisë europiane për rregullimin e marrëdhënieve të Perëndimit me botën islamike. Fratini vë në dukje katër elementë të tillë, të cilët sipas tij janë: përparësia dhe universalizmi i të drejtave, një politikë emigracioni e përbashkët, vijimi i luftës kundër terrorizmit dhe hapja e Turqisë. Përsa i përket elementit të fundit, autori midis të tjerash, thekson:
Fillimet e erës osmane në qytetin e Gjirokastrës
Qyteti i Gjirokastrës ka një histori të gjatë dhe mjaft interesante. Veçanërisht pozita strategjike e lakmueshme e këtij qyteti (kontrollonte të gjitha rrugët që hynin e dilnin në luginën e Drinos) e ka bërë atë mjaft të parapëlqyer për sundimtarët vendës e të huaj, për të vendosur këtu selitë e tyre, duke i dhënë kështu Gjirokastrës atributet e qendrës administrative të njësive të ndryshme politike të krijuara në këto anë. Të paktën që nga thellësitë e mesjetës, ky qytet ka zënë vend në kronika e dëshmi të tjera historike që hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të zhvillimeve politike, ekonomike e kulturore që kanë ndodhur në rrjedhën e shekujve në Shqipëri, veçmas në pjesën jugore të saj (Epir).
S’ka asnjë dyshim se shtjellimi i çështjeve të lartpërmendura nuk do të kishte plotësinë e duhur pa dhënë disa sqarime, qoftë edhe në trajtë të përmbledhur, rreth historisë së familjes së Zenebishëve, me të cilën është e lidhur fort pjesa më interesante e historisë paraosmane dhe osmane të Gjirokastrës. Fama dhe lavdia e familjes në fjalë morën shkëlqim të veçantë aty nga fundi i shek.XIV, kur mbi rrënojat e Despotatit të Epirit, Gjin Zenebishi shpalli krijimin e një principate të re, që përfshinte brenda saj Gjirokastrën me rrethinat, Vajonetën bashkë me qytetet bregdetare çame, Pargën dhe Sajadhën. Në vitin 1400 ky pinjoll i shquar i Zenebishëve përmendet si sebastokrator (qeveritar) i Vajonetës dhe senjor (zotëri, princ - F.D.) i Pargës dhe i Sajadhës.
Me pushtimin përfundimtar të Gjirokastrës dhe të krahinave të tjera shqiptare nga osmanllinjtë dhe vendosjen e sundimit osman në këto treva, qyteti në fjalë, nga kryeqendër e principatës së Gjin Zenebishit u kthye në kryeqendër të sanxhakut shqiptar, ndërsa ish-sundimtari i këtyre anëve do të ndërronte jetë në vitin 1418. Megjithatë, fundi i Gjinit nuk shënoi edhe fundin e historisë së Zenebishëve. Përveç emrit me të cilin osmanlinjtë e pagëzuan vilajetin e Gjirokastrës (vilajet-i Zenebish), pinjollë të tjerë të kësaj familjeje, pasardhës të Gjinit, vijuan të ishin aktorë me peshë në historinë shqiptare të shek.XV. Njëri prej djemve të tij u dërgua si içogllan pranë pallatit sulltanor në Stamboll, ku u islamizua dhe u edukua me normat dhe rregullat e jetës turke-islame duke marrë emrin e ri Hamza. Hamzai zuri poste të rëndësishme në hierarkinë ushtarako-administrative osmane, duke u ngjitur deri në funksionin e lartë të sanxhakbeut (përmendet si sanxhakbej i Mezistrës në More).
Një tjetër përfaqësues i islamizuar i familjes së Zenebishëve shfaqet disa dhjetëvjeçarë më pas (vitet 1467-8/hixhri 872) si subash (qeveritar) i vilajetit të Fanarit në livanë e Tërhallës (Thesali). Të tjerë pinjollë të kësaj familjeje vijuan të qeverisnin në Epir pas vendosjes aty të sundimit osman. Megjithatë pjesa tjetër e trashëgimtarëve të familjes së Zenebishëve nuk e pranuan ndërrimin e fesë, duke mbetur besnikë të traditës së tyre të krishterë dhe në kundërvënie me sundimin osman. Në këtë mënyrë ata u bënë protagonistë të shquar të historisë shqiptare të shek. XV. Njëri syresh, Simon Zenebishi, shfaqet si sundimtar i Kastrovilarit (ishull përballë Korfuzit), por, në të njëjtën kohë, ai nuk mungonte të rivendikonte të drejtat trashëgimore mbi Gjirokastrën. Duke qenë në të njëjtën vijë politike me Skënderbeun, kjo pjesë e familjes së Zenebishëve i forcoi gjithnjë e më tepër marrëdhëniet me shtetet e Perëndimit. Simon Zenebishi u bë vasal i mbretit të Aragonës dhe të Napolit, Alfonsit V, shteti i të cilit ishte ndër fuqitë kryesore të Mesdheut të kësaj kohe. Ndërsa një djalë i Simonit, i dërguar në oborrin e sulltanit, mundi të arratisej prej andej duke gjetur strehim në Napoli. Në vitin 1455 Alfonsi V e pagëzoi atë duke i dhënë emrin e vet.
Pinjollë të tjerë të Zenebishëve do të shquhen edhe si pjesëmarrës dhe udhëheqës të drejtpërdrejtë të qëndresës shqiptare kundër vendosjes së sundimit osman. Njëri prej tyre, Topia Zenebishi (i përmendur në burimet bizantine me emrin Debas), i priu kryengritjes kundërosmane për rimarrjen e Gjirokastrës dhe të tokave të tjera të pushtuara rreth 20 vjet më parë dhe për rivendosjen e sundimit të Zenebishëve në zotërimet e veta të dikurshme. Kjo kryengritje, e cila shoqëroi atë të fisnikut të njohur shqiptar të kohës, Gjergj Aranitit (shqiptohet edhe në versionin “Arianiti”), u zhvillua sipas të gjitha gjasave, në vitet 1434-1435. Edhe pse forcat osmane, të dërguara prej Muratit II nën komandën e Turhan beut, rrethuan rrethuesit shqiptarë të qytetit duke u shkaktuar një disfatë të tmerrshme, ku më pas do të humbte jetën edhe vetë prijësi i kryengritjes, Topia Zenebishi, kjo ndërmarrje e guximshme e pasardhësit të Zenebishëve e tronditi seriozisht sundimin osman në pjesën jugore të Shqipërisë.
Fundi tragjik i aksionit ushtarak të Topia Zenebishit nuk e pengoi një tjetër pasardhës të kësaj familjeje që, këtë herë në suazat e luftës çlirimtare kundërosmane të shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu, të bënte dy orvatje (njëra në vitin 1444 dhe tjetra në vitin 1454) për të shtënë në dorë Gjirokastrën. Është fjala për Gjin Zenebishin (i Riu), dy aksionet e lartpërmendura të të cilit tregojnë sheshit se ëndrra e Zenebishëve për të rifituar zotërimet e tyre të kohës paraosmane ende nuk ishte shuar, pavarësisht se edhe kësaj here ato nuk patën sukses.
Me dështimin edhe të këtyre përpjekjeve për të dëbuar osmanllinjtë nga tokat e tyre merr fund edhe protagonizmi i Zenebishëve në ngjarjet e mëdha të historisë shqiptare të shek. XV. Megjithatë burimet osmane të shek. XV ruajtën gjurmë të pranisë së tyre të mëparshme si sundimtarë dhe zotërues të tokave që përfshinin Gjirokastrën dhe krahina të tjera përreth. Ajo dëshmohet jo vetëm nga fakti që vilajeti i Gjirokastrës si pjesë përbërëse e Sanxhakut të Shqipërisë, në defterin osman të viteve 1431-1432 përmendet edhe si “vilajeti i Zenebishit”, por edhe nga fakti tjetër që në të njëjtin defter shënohet si toponim i veçantë “vreshta e Zenebishit”, vendndodhjen e saktë të së cilës nuk kemi mundur ta identifikojmë.
Caku i sotëm i njohurive që kemi në lidhje me burimet osmane për viset shqiptare, na shtyn të pohojmë se defteri i regjistrimit të Sanxhakut Shqiptar të viteve 1431-1432 është i pari dokument osman ku gjenden shënime me të dhëna për qytetin e Gjirokastrës. Këtë dokument shumë të rëndësishëm për studimet albanologjike për shek. XV e zbuloi dhe e publikoi për herë të parë në vitin 1954 osmanologu turk me famë botërore Prof. Halil Inalcık. Në defterin osman të viteve 1431-1432 janë regjistruar të gjitha viset shqiptare që nga Konispoli në jug e deri në Krujë në veri, vise me të cilat u krijua Sanxhaku Shqiptar (Sancak-i Arvanid, Sancak-i Arbanija), e para njësi administrative që krijuan osmanlinjtë me tokat e pushtuara në Shqipëri dhe një nga të parat e këtij lloji në pjesën europiane të Perandorisë Osmane. Në këtë formacion të ri të krijuar në tokat shqiptare, qytetit të Gjirokastrës iu konfirmua sërishmi roli i rëndësishëm që luante në hapësirën shqiptare, duke u përveçuar nga sunduesit e rinj si kryeqendër administrative. Në lidhje me të dhënat e defterit të Sanxhakut Shqiptar për qytetin e Gjirokastrës, çka përbën edhe interesin tonë të drejtpërdrejtë, është me dobi ta fillojmë analizën me emrin e qytetit. Emri i qytetit është regjistruar në defter në disa variante: Argjirokasro, Argjirokasri, Arjurokasri dhe Arjorikasri. Më shpesh është shënuar në formën “Argjirikasri”. Ky version i fundit mbeti në përdorimin e përditshëm të administratës osmane veçse me një ndryshim të vogël fonetik. Për shkak të harmonisë vokale që është një nga parimet fonetike bazë të turqishtes, “a”-në fillestare të emrit turqit e kthyen në “e”, në mënyrë që të përshtatej fonetikisht me “i”-në e rrokjes vijuese, duke e quajtur Gjirokastrën “Ergjirikasri” ose shkurt “Ergjiri”.
Megjithëse emri i qytetit është shënuar në disa forma, ato s’janë gjë tjetër veçse variante pak të ndryshueshme nga njëri-tjetri dhe që kanë në themel emrin e qytetit të trashëguar nga periudha paraosmane: Argjirokastra (kështjella e Argjiros), emër të cilin me kohë vendasit e reduktuan në formën e sotme “Gjirokastra”. Kjo do të thotë se shënimet në defterin osman të viteve 1431-1432 nuk na lejojnë të bëjmë hamendësime të tjera në lidhje me etimologjinë e emrit të qytetit, siç mund të na shkonte mendja, fjala vjen, te ndonjë lidhje e mundshme me emrin e sundimtarit të këtushëm, Gjin Zenebishit (Gjinokastra - kështjella e Gjinit, nga e cila natyrshëm do të arrihej në variantin toskërisht “Gjirokastra”).
Gjithnjë sipas shënimeve të të njëjtit defter, Gjirokastra nuk ishte vetëm qendër administrative e Sanxhakut Shqiptar, por edhe qendër e një vilajeti të veçantë në përbërje të sanxhakut të sipërpërmendur. Vilajeti në fjalë emërtohet “vilajeti i Gjirokastrës”, por, sikurse vumë në dukje më parë, në defter shënohet gjithashtu se këtij vilajeti i thonë edhe “vilajeti i Zenebishit”, duke nënkuptuar me këtë se sundimtarë të mëparshëm të krahinës ishin pinjollë të familjes së njohur të Zenebishëve.
Duke qenë defter përmbledhës, shënimet që i përkasin vetë qytetit të Gjirokastrës janë të kursyera. Mësohet se qyteti kishte në këtë kohë 121 shtëpi (hane), 15 beqarë (myxherred) dhe 27 gra të veja (bive). Nga pikëpamja ekonomike qyteti ishte pjesë e hasit të kreut të sanxhakut, Ali beut, dhe jepte një sasi të ardhurash prej 4 000 akçesh që nxirreshin si taksa të tregut (këst-i bazar) dhe të nijabetit (detyrime që paguheshin për shkelje dhe faje të ndryshme) në favor të zotëruesve të hasit.
Duket qartë se treguesit demografikë dhe ekonomikë të qytetit në fillimet e erës osmane në Shqipëri ishin tepër modestë. Nga kjo pikëpamje Gjirokastra mbetej pas qyteteve të tjera të kohës të regjistruara në këtë defter. Kështu p.sh. Kanina numëronte 216 shtëpi, Berati 175, etj. Kjo do të thotë se roli politik dhe administrativ i qytetit të Gjirokastrës në këtë kohë nuk përputhej me nivelin ende të ulët të zhvillimit ekonomik e demografik të qytetit.
Një dinamikë interesante vihet re në zhvillimet e qytetit të Gjirokastrës gjatë shek. XVI. Sipas një defteri të hollësishëm të regjistrimit të livasë (sanxhakut) së Vlorës (Gjirokastra tashmë ishte pjesë e kësaj njësie administrative), i përpiluar në vitin 1583, na e paraqet të plotë dhe të qartë pamjen urbanistike, demografike, sociale dhe fetare të qytetit në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVI.
Ndryshe nga regjistrimet e mëparshme, në defterin e vitit 1583 është regjistruar si pjesë përbërëse e veçantë e popullsisë qytetare Bashkësia (xhemaati) e Myslimanëve të qytetit. Ajo numëron 63 veta (kryefamiljarë). Pranë shumicës së këtyre emrave janë shënuar edhe profesionet dhe zejet që ata ushtronin. Në krye të listës emërore ndodhen klerikët e besimit islam të qytetit: Ahmedi, hatib; Mustafa Çam-i, halife; Mehmed Leka, imam; Mustafa Rustem-i, muezin; Mustafa Balliu, imam dhe Mehmed Balliu, imam. Nga këto shënime del e qartë se tashmë është formësuar jo vetëm bashkësia myslimane në kuadër të popullsisë qytetare, por edhe hierarkia fetare islame. Kjo do të thotë se, pavarësisht se nuk pasqyrohen në defter për shkak të natyrës së vetë dokumentit, në qytet duhet të ekzistojnë dhe të funksionojnë edhe objekte të kultit islam, si xhami, mesxhide etj.
Përveç grupit të popullsisë qytetare, që në defter regjistrohet me emërtimin “bashkësia e myslimanëve”, një pjesë e vogël e banorëve të islamizuar janë regjistruar në një mëhallë më vete, e cila mban emrin “Martollos” (mahalle-i Martolos). Në këtë rast emri i mëhallës duhet të lidhet me vetë funksionin që kishin kryer më parë banorët e saj. Megjithëse nga pikëpamja sasiore popullsia myslimane e qytetit të Gjirokastrës ishte shumë më e pakët (rreth 60 shtëpi) në krahasim me atë të krishterë (232 shtëpi), pozitat e saj ekonomike ishin shumë më të fuqishme. Krahas funksioneve që mbante në të gjitha nivelet e administratës osmane, ajo ishte zotëruesja kryesore e burimeve ekonomike të përfshira në kuadër të sistemit të ri pronësor (timaret, zeametet dhe haset). Siç u theksua edhe më parë, një pjesë e mirë e zejeve kryesore që ushtroheshin në qytet ishin në duart e banorëve myslimanë. Jo vetëm kaq, por spahinjve dhe pjesëtarëve të tjerë të klasës ushtarake-administrative, me banim në Gjirokastër, u ishin dhënë në formën e beneficeve një numër çifligjesh në fshatrat e rrethinës bujqësore të qytetit.
Himara në shekujt e parë të periudhës osmane: popullsia dhe religjioni
Himara bashkë me disa vendbanime të tjera të afërta të njohura me emërtimin e përgjithshëm gjeografiko-etnografik Bregu, zë një pjesë të rëndësishme të bregdetit jonian midis qyteteve të Vlorës dhe të Sarandës. Krahina në fjalë dhe sidomos vetë kryeqendra e saj, Himara, të gjendura në një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik, ka luajtur një rol mjaft domethënës në zhvillimet ekonomike, shoqërore dhe politike, që kanë karakterizuar historinë shqiptare në rrjedhë të shekujve.
Përpjekjet e banorëve të këtyre anëve për të siguruar mbijetesën në një terren bregdetar përgjithësisht shkëmbor, qenia si urë komunikimi midis brendësisë së tokave shqiptare të Jugut dhe botës joniane e përtejjoniane, qëndresa kundër sunduesve të ndryshëm për të ruajtur lirinë dhe identitetin, që shpesh ka shkuar deri në kufijtë e sakrificës sublime, kanë përcaktuar tiparet social-psikologjike dhe mënyrën e jetesës së himarjotëve.
Pas vendosjes së sundimit osman në Shqipërinë e Jugut dhe në Shqipërinë e Mesme që në fillimet e shek. XV, Himara u bë pjesë e së parës njësi administrative të krijuar në anën perëndimore të Ballkanit, e sanxhakut Shqiptar. Sanxhaku kishte kryeqendër Gjirokastrën, krijuar aty nga fundi i dhjetëvjeçarit të dytë ose nga fillimi i viteve 20-të të shek. XV, megjithatë i vetmi dokument që ka mbërritur deri në ditët tona është defteri përmbledhës i regjistrimit të viteve 1431-1432.
Kjo njësi administrative me shtrirje të gjerë territoriale është shënuar në këtë dokument të rëndësishëm me emërtime të ndryshme, si “Sanxhaku i Shqipërisë” (sancak-i Arvanya), “Sanxhaku shqiptar” (sancak-i Arvanid), “Vendi i shqiptarëve” (Arvanid-ili ose Arnavud-ili), “Vilajeti i Shqipërisë” (vilayet-i Arvanya), “Vilajeti i shqiptarëve” (Arvanid-vilayeti) etj., por që të gjitha këto emërtime të përdorura nga administrata osmane tregojnë qartë dhe pa asnjë mëdyshje përkatësinë etnike shqiptare të banorëve të tij.
Shqyrtimi i gjendjes demografike të vendbanimeve të trevës së Himarës në rrjedhën e shekujve të parë të sundimit osman në Shqipëri ka interes të veçantë për njohjen e historisë së saj. Të dhënat dokumentare, që kemi nga gjysma e parë e shek. XV (vitet 1431-1432) për disa fshatra të Himarës, tregojnë se disa prej tyre kishin popullsi të pakët, çka shihet në numrin e vogël të shtëpive (haneve). Vunoi kishte 22 shtëpi, Fterra 12, Piluri 13, Qeparoi 10, ndërsa Lukova 12 shtëpi. Të tjerë fshatra si Piqerasi (mbi 42 shtëpi), Palasa (35), Borshi (55), Çorraj (74) dhe Sopoti (60) kishin popullsi më të madhe.
Himara, që në këtë kohë ishte kryeqendër e nahijes me të njëjtin emër, paraqitej me numrin më të madh të banorëve (117 shtëpi). Në këtë mënyrë ajo ishte e krahasueshme me qytete të tjera shqiptare, si Gjirokastra (121 shtëpi), Këlcyra (100 shtëpi), Kruja (125 shtëpi) etj., dhe linte prapa Delvinën (vetëm 60 shtëpi), e cila atëherë ishte ende fshat.
Mungesa e burimeve osmane e bën pothuajse të pamundur njohjen e tipareve të evolucionit demografik të krahinës së Himarës gjatë gjysmës së dytë të shek. XV. Puna e studiuesit në këtë drejtim lehtësohet vetëm kur kapërcehet në shekullin vijues. Për gjysmën e parë të këtij shekulli si burim të dhënash për këtë çështje janë defterët osmanë të regjistrimit të sanxhakut të Vlorës: dy defterë përmbledhës (mücmel) që u përkasin viteve 1506 e 1520 dhe një i hollësishëm (mufassal) që i përket po vitit 1520. Në regjistrimin e vitit 1506 (fillimi i shek. XVI) ndonjë fshat i Himarës ka një pakësim drastik të numrit të popullsisë. Kështu Borshi, që në defter është përmendur me emrin “Orasha”, nga 55 shtëpi që kishte në vitet 1431-1432, në vitin 1506 kishte vetëm 15 shtëpi. Në të kundërt numri i shtëpive të fshatrave Qeparo dhe Palasë është i dyfishuar (20 shtëpi dhe 70 syresh nga 10 e 35 që kishin pasur përkatësisht në vitin 1431-1432). Lukova e ka numrin e popullsisë pothuajse të njëjtë (në vitin 1506 kishte 13 shtëpi nga 12 që kishte në vitet 1431-1432). Ndërsa fshatrat Shën Vasil e Hunaçovë shfaqen për herë të parë (të paktën me këto emra) në vitin 1506, sepse në regjistrimin e viteve 1431-1432 mungojnë. Ato kishin përkatësisht nga 20 dhe 13 shtëpi. Për vendbanimet e tjera të Himarës, si Vunoi, Dhërmiu (Dhërmat), si dhe për vetë Himarën, të dhënat demografike mungojnë fare në dokumentin osman të sipërpërmendur të vitit 1506.
Të dhënat dokumentare të gjysmës së parë të shek. XVI për gjendjen demografike të vendbanimeve të Himarës (kemi parasysh kohën pas vitit 1506) janë shumë të varfëra, çka i zbeh njohuritë tona për këtë çështje. Defterët osmanë të regjistrimit të vitit 1520 për sanxhakun e Vlorës kanë pasqyruar pjesën më të madhe të këtyre vendbanimeve, me përjashtim të Shën Vasilit, Hunaçovës, Lukovës dhe Piqerasit. tre fshatrat e parë shfaqin rritje të theksuar të numrit të popullsisë në krahasim me vitin 1506. Të dhënat e defterëve osmanë të gjysmës së parë të shek. XV dhe të gjysmës së parë të shek. XVI, me gjithë vlerën e tyre të padiskutueshme, janë të pamjaftueshme për të na dhënë pamje të plota për gjendjen demografike të vendbanimeve të Himarës si dhe për dinamikën e popullsisë gjatë kësaj kohe. Ndërsa informacioni që ofrojnë regjistrimet osmane të gjysmës së dytë të shek. XVI, për çështjen në shqyrtim, plotësohet në atë shkallë sa që e eliminon tërësisht shqetësimin e theksuar më sipër.
Pa dyshim se një gjë e tillë lidhet me konsolidimin dhe fuqizimin e sundimit osman në krahinë rreth mesit të shek. XVI, rrjedhimisht edhe me shtimin e mundësive të shtetit osman për të normalizuar e përmirësuar administrimin e këtyre viseve. Rol të veçantë luajti këtu edhe krijimi i sanxhakut të Delvinës, pjesë e të cilit u bënë vendbanimet e Himarës. Pasqyrim i drejtpërdrejtë i këtij realiteti të ri janë edhe dy regjistrime të hollësishme të pronave dhe të popullsisë së sanxhakut të lartpërmendur, të konkretizuara me përpilimin e dy defterëve: defteri i hollësishëm i sanxhakut të Delvinës i vitit 1551 dhe ai i vitit 1583.
Krahasimi i të dhënave që japin burimet e sipërpërmendura, tregon qartë se, duke filluar të paktën që nga mesi i shek. XVI, vendbanimet e krahinës së Himarës paraqiten shumë më të shumë më të populluara sesa në periudhën pararendëse (shek. XV - gjysma e parë e shek. XVI). Madje në ndonjë fshat janë regjistruar edhe banorë të ardhur nga vendbanime të tjera (yabancılar). Kështu, në fshatin Piqeras të ardhurit ishin vendosur në një mëhallë të veçantë të quajtur Nivicë.
Krahas treguesve kryesorë të popullsisë së Himarës gjatë shek. XV-XVI, me shumë interes janë edhe disa veçori thelbësore të antroponimisë së popullsisë së krahinës. Për këtë japin të dhëna mjaft të çmueshme defterët osmanë të gjysmës së dytë të shek. XVI.
Vëzhgimet në listat emërore të banorëve të Himarës dhe të vendbanimeve të tjera të krahinës, ndonëse ato janë të kufizuara në paraqitjen e emrave dhe të mbiemrave jo të të gjithë banorëve, por vetëm të kategorive përfaqësuese të popullsisë, siç ishin kryefamiljarët dhe beqarët, nxjerrin në pah një të vërtetë të pakundërshtueshme: fondi i emrave të kësaj popullsie pasqyron qartë përkatësinë etnike shqiptare të saj.
Emrat karakteristikë shqiptarë si Gjon, Gjin, Martin, Pal, Nika, Gjoka, Meksh (Menksh), Gjika, Laluç (Lalush), Leka, Deda ose Dedë etj., ndeshen me shumicë në listat emërore të sipërpërmendura. Kështu, p.sh., në vitin 1551 në fshatin Piqeras emrin “Gjin” e mbanin si emër ose mbiemër 20% e individëve të regjistruar në defterin e sanxhakut të Delvinës të këtij viti, emrin “Gjon” më se 10%, “Gjoka” rreth 9%, “Martin” rreth 10%, “Meksh” e “Pal” 5%, etj.
Emrat dhe mbiemrat e tjerë kanë po ashtu trajtën shqiptare të antroponimisë së krishterë, si Mingul, Komnin, Pjetri (ose Bitri), Mëhill, Hilla, Shtin, Vlash, Lula (Lola?), Duka (Doka), Rus-i (Rush-i ose Rosh-i), Tupe, Gjorgj, Thoma (Thomai), Todër, Qesar, Kond etj. Aty-këtu shihen edhe ndikime të antroponimisë sllave, por gjithsesi edhe kjo del në trajtë të shqiptarizuar. Kështu, p.sh. mund të përmenden emra ose mbiemra të tillë, si Zhupa, Brat, Vllade etj. Edhe në regjistrimin e vitit 1583 tiparet e sipërpërmendura janë karakteristike për antroponiminë e fshatit Piqeras.
Ndërsa paraqitej kompakte nga pikëpamja etnike, përkatësia fetare (tërësisht e krishterë) e popullsisë së trevës së Himarës, si rrjedhojë e ndryshimeve politike dhe social-ekonomike që solli vendosja e sundimit osman në këto anë, filloi të ndryshojë në dobi të përhapjes së besimit islam. Në radhë të parë besimi i ri, i ardhur në Shqipëri bashkë me sunduesit e rinj, u përqafua nga elementët e parisë së fshatrave të Himarës, të cilët për motive të ndryshme të natyrës politike dhe ekonomike, aderuan në Islam, duke i hapur kështu rrugën integrimit të tyre në strukturat ekonomike dhe ushtarako-administrative osmane. Deri më tani ne nuk kemi të dhëna konkrete nga burimet historike të kohës për të identifikuar individët nga treva e Himarës të cilët zgjodhën rrugën e sipërpërmendur, me përjashtim të një njeriu, i cili në këtë mënyrë arriti të ngjitej deri në postin e Vezirit të Madh (Kryeministrit) të Perandorisë Osmane, duke u bërë kështu personi më i fuqishëm i shtetit më të fuqishëm të botës pas sulltanit. Ky ishte Ajaz Pasha, i mirënjohur në historinë shqiptare, midis të tjerash, edhe për kryesimin e ekspeditave osmane kundër kryengritjeve himarjote në vitin 1537 (koha e sundimit të Sulltan Sulejmanit I-Madhështorit).
Përqafimi i islamit nga individët e lartpërmendur, me gjithë rëndësinë e madhe që kishte për nxitjen e këtij procesi, nuk solli ndonjë ndryshim të dukshëm në strukturën fetare të popullsisë për shkak të numrit të vogël të këtyre individëve. Nga ana tjetër, ata nuk kanë gjetur pasqyrim në listat e emrave të banorëve të krahinës së Himarës të defterëve të hollësishëm osmanë të viteve 1520, 1551 e 1583, sepse nuk bënin pjesë në popullsinë taksapaguese që shënohej në këta defterë.
Përhapja e fesë Islame në masën e gjerë të popullsisë shihet se filloi pas mesit të shek. XVI. Kjo dukuri megjithatë mbeti ende e zbehtë dhe e kufizuar vetëm në dy fshatra: Fterrë dhe Çorraj (Çernogoricë). Një gjë të tillë na e bën të njohur defteri osman i regjistrimit të sanxhakut të Delvinës i vitit 1583. Në fshatin Fterrë, krahas 20 shtëpive të krishtera janë regjistruar edhe 9 shtëpi myslimane, ndërsa në Çorraj kishte vetëm një shtëpi myslimane kundrejt 44 shtëpive të krishtera.
Në vendbanimet e tjera të Himarës, duke përfshirë dhe vetë këtë të fundit, përpara vitit 1583 nuk ka asnjë gjurmë të islamizimit të popullsisë. Kuptohet qartë se masivizimi i këtij procesi në ndonjë fshat të kësaj treve, siç ishte p.sh. Borshi, ka ndodhur në fundin e shek. XVI ose në shekujt vijues. Një tjetër veçori dalluese, që bie në sy gjatë shqyrtimit të materialit dokumentar të lartpërmendur, është prania e ndonjë individi të regjistruar në defter, si në fshatrat Fterrë e Çorraj ashtu edhe në fshatin Vuno, që mbante emër të krishterë dhe mbiemër mysliman (si p.sh. Gjin Hasani në Fterrë, Minella Ahmedi në Çorraj, Gjin Mehmedi në Vuno). Kjo dëshmon se islami ndonëse ishte përqafuar nga ndonjë paraardhës i familjeve të tyre, duke u dhënë dhe emra myslimanë këtyre familjeve, më pas ky besim ishte braktisur nga pasardhësit.
Kruja dhe Skënderbeu
Kruja ka qenë ndër të parat qytete shqiptare që ranë nën sundimin osman. Në kohën e mbretërimit të sulltan Bajazitit I, midis viteve 1394-1396, qyteti në fjalë kishte hyrë në rrezen e administrimit të shtetit të Gjysmë-Hënës, përderisa në burimet osmane të mëvonshme është shënuar se Jakup Pasha dhe Hoxha Firuz Pasha (të dy bejlerbejlerë të Rumelisë në kohë të ndryshme gjatë dekadës së fundit të shek. XIV), kishin lëshuar autorizime sipas të cilave banorëve të Krujës u faleshin taksat.
Më 1415, osmanët e futën përsëri qytetin nën sundimin e tyre. Si qeveritarë lokalë të Krujës osmane përmenden Murat Beu e Ali Beu, përkatësisht në vitet 1415 e 1432, ndërsa në vitin 1443 në këtë funksion ishte Hasan Beu, i biri i Ajdin Beut dhe Helena Muzakës. Qyteti në fjalë u bë pjesë e zotërimeve të Kastriotëve vetëm pas ardhjes këtu të Skënderbeut në nëntor të vitit 1443, i cili e shpalli Krujën qendër të principatës së tij dhe prej këtej publikoi projektin për një kryengritje çlirimtare kundërosmane.
Megjithatë lidhjet e Krujës me Skënderbeun kanë një fillesë më të hershme. Kryeqendra e re e Kastriotëve, bashkë me rrethin e saj, ishte bërë kohë më parë pjesë e Sanxhakut Shqiptar, një nga të parat njësi administrative të krijuara në Gadishullin Ballkanik nga shteti osman. Sanxhaku i lartpërmendur përfshinte pjesën më të madhe të tokave të Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme të pushtuara nga osmanët. Defteri osman i regjistrimit të pronave dhe i popullsisë i vitit 1431, ofron të dhëna mjaft të çmuara për gjendjen ekonomiko-shoqërore dhe politike të viseve që përfshinte sanxhaku i lartpërmendur.
Kruja me rrethin (këtu përfshihej edhe territori i sotëm i rrethit të Tiranës, përjashto krahinën e Kërrabës, e cila bënte pjesë në vilajetin e Pavllo Kurtiqit-F.D.) formonte një vilajet më vete në kuadrin e Sanxhakut Shqiptar. Kreu i vilajetit në këtë etapë fillestare të sundimit osman quhej subash, ndaj dhe vilajeti quhej ndryshe edhe subashllëk. Qyteti i Krujës, kryeqendër e këtij vilajeti, në vitin 1431-2 kishte 125 shtëpi të krishtera, të cilat ishin të detyruara të mbronin kështjellën e gurtë, prandaj dhe ishin të përjashtuara nga pagesa e taksave, me përjashtim të xhizjes. Në kështjellë kishte gjithashtu edhe një garnizon ushtarësh të ngarkuar jo vetëm me mbrojtjen e këtij objekti, por edhe me detyrën plotësuese për ruajtjen e rendit në qytet.
Një shqyrtim i kujdesshëm i të dhënave të defterit të Sanxhakut Shqiptar të viteve 1431-1432 nxjerr në pah me qartësi të veçantë disa tipare të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Krujës dhe të zonës rreth saj në fillimet e sundimit osman. Vendbanimet përgjithësisht kanë numër të kufizuar shtëpish, gjë që tregon se viset në fjalë, këso kohe gjendeshin në një shkallë modeste të zhvillimit ekonomik. Madje kishte fshatra që ishin rrënuar tërësisht, ndoshta si rrjedhojë e konflikteve ushtarake që kishin shoqëruar vendosjen e sundimit osman në këtë zonë. Megjithatë, duhet theksuar se në pjesën më të madhe të zonës së përfshirë brenda vilajetit të Krujës, të regjistruar nga osmanët në vitin 1431, vijonin të kultivoheshin ullinjtë dhe rrushi, gjë që duket në faktin se në shumë fshatra janë shënuar edhe sasitë përkatëse të drurëve të ullirit dhe të vreshtave.
Zotwruesit e timareve të vilajetit tw Krujws (timaret ishin kategori kryesore e pronwsisw gjatw sundimit osman-F.D.) ishin në shumicën e tyre vendas, megjithatë në defterin e lartpërmendur janë regjistruar edhe timarlinj me prejardhje turke. Kështu nga 59 timarlinj, që kishte gjithsej vilajeti, 22 syresh ishin turq nga provincat e Koxhaelisë dhe Saruhanit në Anadoll. Megjithëse të pakët në numër, në radhët e timarlinjve shqiptarë kishte edhe syresh nga vise të tjera larg Krujës si p.sh. Iliazi nga Tetova (Kalkandelen), Aliu bashkë me të birin si dhe Halili, nga Kërçova etj.
Kur është fjala për përkatësinë fetare të klasës së timarlinjve të vilajetit të Krujës të gjysmës së parë të shek. XV, mund të thuhet se shumica e tyre ishin myslimanë, megjithatë ekzistonin si kategori e veçantë edhe timarlinjtë e krishterë. Nga këta të fundit mund të përmenden pinjollë të familjeve tradicionale vendase si Andrea Karlo, ndoshta stërnip i Karl Topisë, sundimtar i dikurshëm i Shqipërisë së Mesme. Sipas shënimeve të bëra në defterin e Sanxhakut Shqiptar, pinjolli i lartpërmendur i Topiajve, në maj të vitit 1438, kishte si timar fshatrat Donian (mund të jetë fjala për fshatin Domjan ose Domje në rrethin e Tiranës-F.D).
Timarit të Andrea Karlos i ishin shtuar gjithashtu edhe nëntë fshatra të shkëputura nga timari i Skënderbeut që ndodhej në vilajetin e Dhimitër Gjonimës (Jonimës). Midis timariotëve të krishterë, të regjistruar në defterin e Sanxhakut Shqiptar, nuk mund të mos përmenden edhe individë të tillë si p.sh, Urani, me siguri bashkëluftëtari i ardhshëm i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i quajtur Vrana Konti ose Kont Urani.
Me shumë interes është gjithashtu të theksohet se figura të njohura të historisë shqiptare të kësaj kohe spikasin edhe në radhët e timarlinjve myslimanë. I pari që meriton vëmendje me këtë rast është vetë Skënderbeu.
Pasi ishte dërguar nё oborrin sulltanor si “içoglan”, ai ishte islamizuar duke marrё emrin mysliman “Iskёnder” dhe mё vonё edhe titullin “bej”. Sipas kronistit osman Neshri, sulltani i kishte dhёnё si timar kёtij pinjolli tё njё princi shqiptar tokat atërore. Kronisti tjetër osman, Hoxha Sadedini, vë në dukje të njëjtën gjë kur shkruante se sulltani e bëri Skënderbeun vali të atij vilajeti (vilajetit të Gjon Kastriotit-F.D.) duke i dhënë fronin e të atit.
Sikurse del edhe nga shёnimet e defterit tё Sanxhakut Shqiptar, aty rreth vitit 1438, Skёnderbeu ishte ngjitur nё pozitёn e subashit tё vilajetit tё Krujёs pёrderisa u lëshon autorizim (mektup ose biti) pёr zotёrim timari individëve të caktuar. Kёshtu nё njё rast, nё defterin e lartpёrmendur ёshtё shënuar se me autorizim tё Skёnderbeut, të birit tё Jovanit (në këtë trajtë është shkruar emri i Gjonit, babait të Skënderbeut-F.D.), fshati Mamurras i jepej si timar Uranit (mund tё lexohet edhe “Vrane” ose “Vrana” dhe duhet tё jetё fjala, sikurse u përmend edhe më sipër, pёr Kont Uranin ose Vrana Kontin).
Nё njё shёnim tjetёr tё tё njёjtit defter, pёrsёri Skёnderbeu kёtё herё bashkё me kadiun e Krujёs, i lёshojnё njё autorizim (mektup) Uranit (Vranit) pёrsёri pёr fshatin Mamurras, por këtë herë për pjesёn tjetër të këtij fshati prej 17 shtëpish.
Vilajeti i Krujёs ishte njё rajon kufitar qё ndante sanxhakun shqiptar nga vilajeti i formuar me tokat e Gjon Kastriotit (Jovan-ili). Pikёrisht kёtu e kishte timarin e vet Skёnderbeu, timar i cili i ishte dhёnё pёr detyrat qё kryente si funksionar i lartë i administratёs osmane nё vilajetin e Krujёs (subash i vilajetit). Mirёpo ky pozicion i privilegjuar bashkë me statusin e timarliut qё mbante Skёnderbeu, nuk vazhdoi gjatё. Nёpёrmjet shёnimit tё fundit tё defterit osman tё viteve 1431-1432 mёsojmё, sikundër e kemi përmendur edhe më parë, se atij i hoqёn nёntё fshatra qё i kishte si timar nё tokat e Dhimitёr Jonimёs dhe iu dhanё Andrea Karlos. Njё gjё nuk ёshtё shumё e qartё nё kёtё rast: sa ka ndikuar njё gjё e tillё nё rebelimin e Skёnderbeut kundёr sundimit osman. Sidoqoftё, kjo masё e autoriteteve sunduese mund tё ketё qenё nxitje fillestare pёr ta shtyrё timarliun shqiptar drejt kryengritjes kundërosmane.
Njё tjetёr personazh i rёndёsishёm në vilajetin e Krujës të shek. XV, një nga protagonistët kryesorë të ngjarjeve historike tё kohёs sё Skёnderbeut, i pёrmendur jo rrallё nё defterin e Sanxhakut Shqiptar tё viteve 1431-2, ka qenë edhe Ballaban Beu (mё vonё Ballaban Pasha), i cili u shqua si udhёheqёs i ekspeditave osmane kundёr luftёs çlirimtare tё shqiptarёve tё udhёhequr nga Skёnderbeu. Duket se Ballaban Beu mbante poste tё rёndёsishme nё administratёn osmane tё vilajetit, ndoshta deri nё nivelin e subashit.
Sikurse u përmend mw parw, mё 1443 Skёnderbeu e mori Krujёn nga osmanёt duke e shndёrruar kёtё tё fundit pёr herё tё parё nё kryeqendёr tё principatёs sё rilindur tё Kastriotёve, e cila pёrfshiu sёrishmi Matin dhe dy Dibrat duke u bёrё nё tё njёjtёn kohё edhe bёrthama e shtetit tё ri tё Skёnderbeut. Vetёm pas thyerjes sё qёndresёs sё gjatё tё shqiptarёve, osmanёt arritёn ta marrin nёn kontroll kёtё zonё, tё rivendosin aty sistemin e timarit dhe nё mars tё vitit 1467 tё kryejnё edhe regjistrimin e parё tё pronave dhe tё popullsisё. Defteri i hollësishëm i regjistrimit,i përpiluar me këtë rast, përfshiu territoret e Dibrës së Sipërme dhe të Poshtëme, Gollobordës (në defter : Dullgobërda), Rekës (në defter: Rjeka), Çermenikës, Matit, Urakës, Dhimitër Gjonimës, Krujës (përjashto qytetin, i cili ndodhej ende në duart e Skënderbeut), Malësia e Tiranës (Benda dhe Tamadhea).
Mё tё avancuara paraqiten kёto dukuri nё kazanё e Krujёs. Në vitet 1501-1502 kazaja numёronte gjithsej 224 vendbanime me 9 066 shtёpi, nga tё cilat 328 ishin myslimane. Në kazanë e lartpërmendur kishte 1 qytet (Kruja), 2 kështjella (e Krujës dhe e Petrelës), 5 mullinj. Vetё qyteti i Krujёs manifeston ndryshimet mё tё mёdha nё pёrkatёsinё fetare tё popullsisё. Popullsia myslimane e qytetit tashmё kishte arritur nё 60 shtёpi, ndёrkohё qё popullsia e krishterё numёronte 53 shtёpi. Banorët myslimanë të qytetit ishin vendosur përreth kështjellës. Popullsia myslimane ishte ngarkuar të shoqëronte autoritetet osmane gjatë kryerjes së shërbimeve sulltanore në zonën e bregdetit, të ndihmonte nëpunësit osmanë gjatë udhëtimeve në zona të vështira, si dhe të mbronin kështjellën sa herë që shfaqej nevoja. Përkundrejt shërbimeve të përmendura banorët myslimanë të qytetit ishin falur nga taksat e avarizit të Divanit dhe taksat zakonore. Një status interesant gëzonte edhe popullsia e krishterë e qytetit. Një pjesë e saj (36 shtëpi) “që prej kohësh të vjetra” kryente shërbime të ndryshme në kështjellë përkundrejt të cilave ishte e falur nga taksat. Katër individë të tjerë të krishterë (nënkupto: katër shtëpi-F.D) ishin caktuar me vendim të posaçëm të gjykatës si meremetues të kështjellës duke gëzuar të njëjtin privilegj në lidhje me taksat.
Të dhënat e parashtruara më sipër tregojnë qartë se vetëm pas stabilizimit të sundimit osman (pas thyerjes së qëndresës së Skënderbeut) Kruja dhe rrethinat e saj, ndër më të dëmtuarat nga konflikti shqiptaro-osman, njohën një përtëritje mbresëlënëse në pikëpamje ekonomike, shoqërore dhe demografike. Në fillimet e shek. XVI vetëm në kazanë e Krujës sanxhakbeu i Ohrit (vartësi e të cilit ishte edhe kazaja e Krujës) përfshinte brenda juridiksionit të hasit të tij 32 fshatra, me një popullsi të përgjithshme prej 26 shtëpish myslimane dhe 2514 syresh të krishtera. Si posedues i një hasi, në kazanë e Krujës, në këtë kohë është regjistruar edhe Ajas Pasha, me origjinë nga Himara, i cili arriti deri në postin e lartë të Kryeministrit (Vezirit të Madh) në kohën e mbretërimit të sulltan Sulejman Ligjvënësit.
Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare
Periudha 6 maj-31korrik 2010 paraqet mjaft interes kur është fjala për informacionin, anlizat dhe komentet që shtypi shqiptar ka bërë për probleme të rëndësishme dhe mjaft aktuale të spektrit fetar. Duhet theksuar se ato lidhen jo vetëm me zhvillime e ngjarje në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, kryesisht ato perëndimore. Duke u nisur nga natyra dhe përmbajtja e shkrimeve, ato mund të klasifikohen në rubrikat e mëposhtëme:
I. Debati për deklarimin e përkatësisë fetare gjatë regjistrimit të popullsisë të vitit 2011
Në shtypin shqiptar kanë vijuar debatet dhe diskutimet rreth përfshirjes në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë të planifikuar për vitin 2011, të kërkesës për deklarimin e etnisë dhe të besimit fetar. Përsëri në ndonjë organ shtypi janë shfaqur zëra kundërshtues në lidhje me këtë çështje. Vlen të përmendet këtu një artikull i gazetës “Panorama” (13.07.2010) me titull “E drejta e paragjykimit mbi regjistrimin e etnisë” shkruar nga Ndriçim Kulla. Në artikull vihet në dukje me të tjerash se koha e zgjedhur nga qeveria për regjistrimn e shqiptarëve është e papërshtatëshme dhe mund të lërë shteg për pasaktësi në këtë proces dhe të krijojë terren për lulëzimin e paragjykimeve. Autori i shkrimit në fjalë mendon se derisa thuhet se regjistrimi nuk ka vlerë juridike, pra nuk e ndryshon etninë, nuk ka pse të bëhet pikërisht tani. Gjithnjë sipas autorit të shkrimit, përfshirja në regjistrim e fesë dhe etnisë dhe statistikat në lidhje me to mund të sjellin vetëm turbullira në jetën sociale dhe prishje të harmonisë fetare. Në shkrim theksohet gjithashtu se projekti i qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë është i drejtë, porse mund të lihet për më vonë në një periudhë të ardhshme 3-4 vjeçare.
II. Islami dhe bota shqiptare sot
Një vend të rëndësishëm në faqet e shtypit të periudhës në shqyrtim zënë informacionet dhe komentet në lidhje me lejimin e mbulimit të femrave myslimane, denoncimet e rasteve të cënimit të harmonisë dhe të tolerancës fetare në mesin e shqiptarëve, etj. Tërheq vëmendjen në këtë drejtim një artikull i gazetës "Panorama" (11.07.2010), në të cilin vihet në dukje me shqetësim ndalimi i një fejese nga prindërit e një vajze për shkak se djali kërkonte kjo e fundit të fejohej, ishte mysliman.
Një çështje e mprehtë që ka tërhequr vemendjen në kuadër të debateve të zhvilluara për fenë në shtypin shqiptar, kanë qenë edhe shkrime me sens të mprehtë kritik e denigrues kundër Islamit ("Ylli i kuq i Moskës dhe Guri i i Zi i Mekës" dhe "Një formulë për matjen e rrezikut të terrorizmit islamik në Shqipëri dhe në Kosovë"), të botuara në gazetën "Sot" (27-28 maj 2010) nga gazetari Kastriot Myftari. Në reagimet e ashpra të Komunitetit Mysliman Shqiptar ndaj këtyre shkrimeve (shih: "Koha Jonë" e dt. 1 qershor) theksohet se ky i fundit ka bërë kallëzim penal kundër autorit të këtyre shkrimeve duke e akuzuar atë se ai ka përhapur informata të rreme që ngjallin panik dhe se ka bërë thirrje për urrejtje nacionale. Në mbështetje të këtyre akuzave citohen pjesë të shkrimeve ku autori, mes të tjerash, thotë shprehimisht:
"Është absurde që edhe sot të ketë shqiptarë, për fat të mirë, një pakicë tek kombi shqiptar në të dy anët e kufirit, të cilët ende besojnë tek jë fe si Islami...Islami prish koherencën nacionale shqiptare...Sot deislamizimi është sfida historike për shqiptarët në dy anët e kufirit. Në trojet shqiptare duhet të zhbëhet çdo shenjë e Islamit. Islami nuk duhet të ketë të njëjtin status si Krishtërimi në hapësirën shqiptare, se është fe e sjellë nga pushtuesi...Ne shqiptarët duhet të ndahemi nga Islami me anë të një referendumi mbarëkombëtar ku njerëzit duhet tyë pyeten për ndalimin e tij...Çdo njeriu që do të deklarohet si musliman, duhet t'i hiqet shtetësia e Republikës së Shqipërisë, eventualisht e Kosovës, dhe të marrë statusin e emigrantit duke u quajtur emigrant arab...Mënyra më efikase për zhvillimin e kësaj lufte është nxjerja jashtë ligjit e fesë islame në Shqipëri dhe mbyllja e të gjitha objekteve të saj të kultit."
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i ka cilësuar këto shkrime si një "fushatë shpifëse, denigruese, kriminale dhe urrejtjenxitëse, e cila bie ndesh me legjislacionin penal në fuqi në Republikën e Shqipërisë."
III. Islami dhe bota e sotme
Shtypi shqiptar u ka kushtuar jo pak vëmendje edhe zhvillimeve te sotme në vendet islamike si dhe raporteve të tyre me pjesën tjetër të botës, sidomos me Perëndimin. Janë për t'u veçuar me këtë rast informacionet, analizat dhe komentet në lidhje me Turqinë dhe pozicionin e saj kundrejt Izraelit dhe Perëndimit dhe sidomos, Europës së Bashkuar. Në një shkrim të gazetës "Shqip" të dt. 08.06.2010 të titulluar "Turqia: në vendin që rri pezull midis Islamit dhe Europës", duke marë shkas edhe nga sulmi izraelit kundër një anijeje me ndihma për palestinezët, theksohet midis të tjerash se politika e sotme turke, për shkak të qeverisjes së një partie me orientim islamist, ka pësuar ndryshime të ndjeshme si në raport me Izraelin ashtu edhe në raport me Uashingtonin. Gjithnjë sipas shkrimit në fjalë, Turqia nga një vend aleat po kthehet gjithnnjë e më shumë në një vend armik me vendin hebre dhe nga një aleat i bindur i ShBA-ve, po bëhet një vend që gjithnjë e më pak i dëgjon këto të fundit. Nga ana tjetër, ajo po i forcon gjithnjë e më shumë lidhjet me Iranin dhe botën arabe duke u paraqitur gjithnjë e më shumë si ndërmjetëse e paqës në Lindjen e Mesme.
Interesant nga kjo pikëpamje është edhe një shkrim i botuar në të përditshmen "Standard" (9 qershor) dhe që titullohet "Përplasja e civilizimeve të Turqisë". Në shkrimin e përmendur theksohet se qëkurse në pushtet ka ardhur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (viti 2002), politika e jashtme e Turqisë ka ndryshuar 180 gradë. Lidhjet e fuqishme të këtij vendi me ShBA-të dhe Izraelin janë dobësuar, bisedimet për anëtarësim me BE-në janë bllokuar, ndërsa Ankaraja ka dalë në mbrojtje të programit bërthamor të Iranit. Kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij mendojnë se Huntingtoni ka pasur të drejtë kur bën fjalë për përplasje të civilizimeve. Por ata në këtë rast janë në anën e islamistëve dhe jo të Perëndimit. Ky i fundit, theksohet në shkrimin e lartpërmendur, duhet të ballafaqohet me realitetin, sepse megjithë anëtarësinë në NATO, Turqia nuk mund të konsiderohet edhe më tej aleat i Perëndimit.
"Në përpjekjet për të frenuar ndikimin islamist të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, thuhet më tej në këtë shkrim, jo vetëm në Turqi, por edhe në rajon, Perëndimi duhet t'i mohojë qeverisë së Erdoganit ndikimin dhe prestigjin që vjen si pasojë e promovimit të saj si ndërmjetësues rajonal.Është koha që liderët perëndimorë ta distancojnë vetveten nga Ankaraja."
Në faqet e shtypit të kësaj periudhe gjënden gjithashtu shkrime interesante për liritë dhe të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri, për genocidin sllav ndaj shqiptarëve, etj. Në fund të këtij raporti duhet të përmendim një shkrim shumë të rëndësishëm të botuar në të përditshmen "Shekulli" (22.06.2010). Shkrimi titullohet "Mbrojtësit e besimit" dhe ka si autor Slavoj Zhizhek. Është një qasje filozofike interesante ndaj realitetit fetar, një analizë serioze e marrëdhënieve midis besimeve kryesore, veçanërisht të Islamit me besimet e tjera në botën e sotme. Në këtë shkrim theksohet me të madhe ideja e rikthimit të dinjitetit të ateizmit, i cili shihet nga autori si "një prej trashëgimive më të mëdha të Europës" dhe ndoshta si mundësia e vetme për paqë në kohën tonë.
Ndikime orientale në urbanistikën e një qyteti shqiptar të periudhës osmane: shembulli
Transformimet që solli era osmane në Shqipëri u reflektuan edhe në tiparet e reja që u dukën në shtrirjen dhe kompozimin urbanistik të qyteteve shqiptare gjatë periudhës në fjalë. Një shembull mjaft kuptimplotë në këtë drejtim është Berati. Karakteristikën kryesore të strukturës urbanistike të qytetit duke filluar që prej shek. XVII e përbën lindja dhe zhvillimi i formacionit islamiko-oriental si komponent i rëndësishëm i ansamblit urban të kësaj kohe. Krijimi dhe zgjerimi i mëhallëve të reja myslimane si rezultat i islamizimit gjithnjë e më të shpejtë të popullsisë qytetare, do t’i jepte një pamje të re pejsazhit urbanistik të qytetit.
Një vështrim i shpejtë retrospektiv në parahistorinë e afërt të këtyre ndryshimeve, lejon të pohohet se deri nga fundi i shek. XVI mëhallët myslimane ishin ende një dukuri e panjohur për qytetin e Beratit. Një gjë e tillë rezulton nga shqyrtimi i të dhënave të defterëve të hollësishëm osmanë të shekullit në fjalë. Sipas defterit të hollësishëm të regjistrimit të livasë së Vlorës të vitit 1520, qyteti numëronte gjithsej 25 mëhallë të krishtera (përfshi këtu edhe komunitetin hebraik me 25 shtëpi) dhe asnjë myslimane. Ndonëse aty-këtu duket ndonjë banor i islamizuar, ende nuk shihet të jetë krijuar ndonjë mëhallë myslimane.
63 vjet më vonë, në vitin 1583, edhe pse në gjendjen demografike dhe strukturën konfesionale të qytetit shënohen ndryshime të mëdha, në strukturën fetaro-urbanistike këto ndryshime ende nuk kanë gjetur pasqyrim. Ndërsa në defterin e hollësishëm të livasë së Vlorës të vitit 1583, në një kohë që popullsia qytetare e krishterë regjistrohet e vendosur në 22 mëhallë, popullsia myslimane e Beratit shënohet si bashkësi e myslimanëve të kalasë së Beratit (cemaat-i müslimânân-i kila-i Belgrâd-i Arnavûd), e pashpërndarë ende nëpër mëhallët e veta të veçanta. Megjithatë, ndonëse numri i mëhallave të krishtera të regjistruara në vitin 1583 rezulton tepër i madh, në numrin e shtëpive të tyre duket një rënie e theksuar, gjë që lidhet me përshpejtimin e procesit të islamizimit të familjeve qytetare. Në vend të personave të veçuar që shfaqen të islamizuar në mëhalla të caktuara në vitin 1520, në vitin 1583 duket se janë krijuar “oazet” myslimane nëpër mëhallat e krishtera të qytetit. Për këtë flet jo vetëm fakti që, siç u theksua më sipër, mëhallat e krishtera janë zvogëluar shumë nga pikëpamja numerike, por edhe fakti tjetër se popullsia myslimane e qytetit është shtuar në përpjestime të tilla sa që në vitin 1583 ka formuar atë që në defterin e këtij viti shënohet si bashkësi e myslimanëve të Kalasë. Në këto rrethana, nuk duhet kurrsesi që ekzistenca tashmë e bashkësisë së myslimanëve të Kalasë së Beratit të na shpjerë në përfundimin se ishin krijuar një ose disa mëhalla myslimane në kala. Emërtimi në fjalë ishte shprehje e funksioneve të popullsisë qytetare të islamizuar, funksione që lidheshin me mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e kalasë dhe jo me vendbanimin e saj. Vetë mëhalla tradicionale e Kalasë, mbeti në vetvete si mëhallë përgjithësisht e paislamizuar, për ç’gjë flasin edhe të dhënat dokumentare të shekullit pasues.
Të dhënat e defterit osman të vitit 1583 janë të rëndësishme jo vetëm se tregojnë që deri në këtë moment në qytetin e Beratit nuk ishin krijuar ende mëhallët e veçanta myslimane, por edhe pse na bëjnë të ditur që gjendja demografike (shtimi i popullsisë qytetare) dhe ndryshimet në strukturën fetare të popullsisë (shtimi dhe mbisundimi numerik i popullsisë qytetare myslimane ndaj asaj të krishterë), përgatitën kushtet që këtej e tutje shumë mëhallë të krishtera të shndërroheshin gradualisht në mëhallë myslimane.
Ndërsa kapërceu në shek. XVII me një pejzazh urbanistik, uniformiteti i krishterë i të cilit kishte filluar të prishej, gjatë rrjedhës së këtij shekulli, në qytetin e Beratit krijohen e zhvillohen një sërë mëhallash myslimane, duke e ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën e banuar prej elementit të krishterë. Në gjysmën e parë të shekullit në fjalë, varfëria e dokumentacionit e vështirëson konstatimin e këtij fenomeni në gjërësinë e duhur. Megjithatë, në ndonjë rast shohim të shfaqen edhe gjatë kësaj kohe mëhalla myslimane të sapokrijuara. Kështu p.sh. që në vitin 1647/1057 (viti hixhri) përmendet në një dokument mëhalla “Vojvoda”si një prej mëhallave të qytetit të Beratit. Ndoshta më të vjetra se kjo në kohë, ishin mëhallat Xhamia e Vjetër dhe Pazari i Vjetër. Më këtë duhet të ketë lidhje fakti që në dokumentet e mëvonshme e para quhet ndryshe edhe “mëhalla e vjetër” (mahalle-i atik, eski mahalle), emër të cilin ajo e mori nga xhamia e ndërtuar aty për nder të sulltan Bajazitit II.
Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XVII dhe pikërisht në vitin 1670, pamja urbanistike e Beratit paraqitet e tillë që, mëhallët myslimane tregojnë një rritje numerike më të madhe kundrejt mëhallëve të krishtera, numri i të cilave është zvogëluar shumë falë islamizmit të shpejtë të popullsisë qytetare. Sipas njoftimeve të E. Çelebiut që i përkasin vitit në fjalë, qyteti kishte 30 mëhallë, nga të cilat 19 syresh ishin myslimane, 10 të krishtera dhe 1 hebreje. Ndër kryesoret, sipas këtij burimi, përmenden mëhallët Murat Çelipa (në këtë formë përdoret këtu emri i mëhallës Murat Çelebi - F.D.), Uzkurlu (formë e turqizuar e patronimit “Zguro”, “Zguri”- F.D.), Hynqâr, (Mbret, Sulltan), Vakëf, Baba Kadi, Bashmakçinjtë, Mesxhidi i Bardhë, Pazari i Vjetër, Gyn Gërmez (është fjala për mëhallën e Goricës), e cila ngaqë nuk e zinte dielli, thirrej edhe me emrin “mëhalla që nuk sheh diell” (turqisht: Gün Görmez mahallesi - F.D.).
Më 1687 janë regjistruar zyrtarisht me rastin e pagimit të taksës së sursatit 23 mëhallë të njohura me këto emërtime: Mandall (emri i plotë Mandall Mehmed bej - F.D.), Izgurzade (i biri i Zguros - F.D.), Izgur Ahmet bej (Ahmet bej Zguro - F.D.), Baba Kadi, Ustadoglu (i biri i ustait - F.D.), Haxhi Sinani, Hysen Gjala, Çengjane (e ciganëve - F.D.), Xhamia e Vjetër, Mesxhidi i Bardhë, Sikush, Pazari i Vjetër, Kara Kasem, Hevlek, Haxhi Sulejmani, Gyn Gërmez (Goricë), Ura e Bardhë, Murat Çelebi, Kara Alibej, Deli Bega, Mangalem, Mëhalla e Re (Cedid), Çermelos. Në një regjistrim tjetër të këtij lloji, janë përmendur veç mëhallëve të mësipërme, edhe mëhalla Budunli. Në rastet e lartpërmendura nuk është përfshirë në listat e mëhallëve edhe ajo e Kalasë, e cila me sa duket, ishte përjashtuar nga detyrimet për të cilat janë përpiluar ato.
Sigurisht që numri i mëhallave të qytetit ishte i lëvizshëm, sepse edhe koncepti për madhësinë dhe shtrirjen e tyre ishte i ndryshueshëm. Kjo duket në faktin që në dokumentacionin e kohës gjejmë të shënuara si mëhalla të veçanta edhe mëhalla të tjera, të cilat janë derivate të mëhallëve që u përmendën më sipër. Si të tilla mund të përmenden: mëhalla e Tabakhanës (Debbaghane mahallesi), mëhalla e Ramoglusë (e të birit të Ramos), mëhalla Çardak, etj.
Emërtesa e disa mëhallave myslimane të qytetit ka lidhje me njerëz të shquar të shtresave të larta qytetare, të cilët u jepnin emrin e vet mëhallëve që krijoheshin në pronat e tyre (Murat Çelebi), ose përreth objekteve të kultit islamik që ata ndërtonin (Mandall Mehmet Bej, Kara Ali Bej, Ahmet beu, i biri i Zguros, Mehmet beu, i biri i Zguros, Deli Bega etj.). Ndonjëra prej mëhallave mbante edhe emrin e objektit të kultit rreth të cilit ishte ndërtuar, siç ishin p.sh. mëhallat Xhamia e Vjetër, Mesxhidi i Bardhë, etj. Emërtimet e mëhallave të tjera lidheshin edhe me veprimtarinë zejtaro-tregtare si p.sh. mëhalla Ustadoglu (i biri i ustait), Pazari i Vjetër etj. Një gjë e tillë ndodh edhe me mëhallën Kala, derivatet e së cilës përmenden dendur në dokumentet osmane si mëhalla të veçanta duke marrë emrat e kishave që ndodheshin këtu si p.sh, mëhalla e Shën Bitrit, mëhalla e Vangjelistrës, e shën Mërisë, e shën Gjergjit.
Një komponent i rëndësishëm i strukturës urbanistike të qytetit të Beratit gjatë shek. XVI-XVIII u bënë objektet e kultit islamik si xhamitë, mesxhidet (xhami të vogla pa minare), medresetë, teqet, zavijet (teqe të vogla) etj. Duke filluar sidomos nga gjysma e dytë e shekullit XVII, në pikëpamje urbanistike, Berati paraqitet si një qytet me tipare të theksuara islamiko-orientale. Sipas përshkrimeve të Çelebiut, në vitin 1670, në qytetin në fjalë numëroheshin 30 faltore myslimane, ndër të cilat kryesorja ishte ajo që i takonte gjithë komunitetit të besimtarëve muslimanë: xhamia e sulltan Bajazit Veliut (e quajtur më vonë edhe xhamia e Vjetër). Nga vetë emri i xhamisë në fjalë, merret vesh se ndërtimi i saj u bë në kohën e mbretërimit të sulltan Bajazitit II dhe se fillimet e kësaj vepre duhet të lidhen me kohën e kalimit të sulltanit në këto vise për të mbikqyrur gjendjen dhe veprimet ushtarake të trupave osmane. Xhamia e Vjetër (më vonë u quajt xhamia Mbret - F.D.), sipas Çelebiut ishte 60 këmbë e gjatë dhe 50 këmbë e gjerë, me një minare të lartë e të bukur. Përpara kishte një sofat të madh, ndërsa oborrin e kishte të ngushtë. Xhamia në fjalë kishte tri dyer: dy anësore dhe një qendrore që dilte në sofat. Ajo ishte e ndërtuar sipas stilit të vjetër dhe e mbuluar tërësisht me tjegulla. Xhamisë iu bë një rindërtim nga fundi i shekullit XVIII, ose gjysma e parë e shekullit XIX, për ç’gjë është vështirë të dallohet sot se çfarë i përket ndërtimit të vjetër dhe çfarë rindërtimit. Nga ndërtesa e vjetër u ruajt deri vonë minarja e hollë dhe e lartë.
Një nga monumentet më të rëndësishme të kësaj kohe në Berat ishte edhe xhamia e ndërtuar prej Ahmet bej Zguros (Uzkurllu xhami). Si një nga ndërtimet më të hershme të kultit islamik të qytetit (ndërtuar në vitet 1553-1554), ajo shquhet për tiparet e veta interesante të arkitekturës. Xhamia në fjalë, e cila në dokumentet historike të kohës përmendet me emrin “Xhamia e Ahmet bej Zguros” ose “Xhamia e Plumbit”, në vitin 1670 përshkruhet si një ndërtesë mjaft e bukur me një kube qargjir, e mbuluar krejtësisht me plumb të pastër ngjyrë blu; ajo kishte një minare të lartë e të hijshme saqë krahasohej me xhaminë e Milk Gaziut në qytetin Niksar të ejaletit të Sivasit në Anadoll. Në sofatet anësore të hajatit të kësaj faltoreje ngriheshin kollona prej mermeri të bardhë e të ndritshëm, mbi të cilat ishin vendosur shtatë kube të mbuluara me plumb. Të mbuluara me plumb ishin gjithashtu edhe medreseja, shkolla (duhet të jetë fjala për shkollën e nivelit paramedresjan-F.D.), teqja dhe imaretet pranë kësaj xhamie.
Komunitete joshqiptare ne Shqiperinw osmane: hebrenjte e Beratit
Me historinë e hebrenjve të Vlorës ka qenë e lidhur ngushtë edhe ajo e bashkësisë hebreje të Beratit. Si dy qendrat kryesore urbane dhe administrative të sanxhakut të Vlorës (kanë ndërruar me njëra-tjetrën rolin e kryeqendrës së këtij sanxhaku), të dyja qytetet, përveç afërsisë gjeografike me njëri-tjetrin, kanë pasur edhe lidhje ekonomike të veçanta midis tyre. Këto rrethana kanë përcaktuar edhe marrëdhëniet specifike midis bashkësive hebreje të këtyre dy qyteteve. Ndryshe nga bashkësia e hebrenjve të Vlorës, e cila në pjesën e saj dërrmuese rridhte nga vendet perëndimore (Spanjë, Portugali, Itali), hebrenjtë e Beratit ishin të prejardhur nga Vlora. Koha e emigrimit të tyre nga Vlora duhet të jetë fillimi i shek. XVI. Gjithashtu, në ndryshim nga bashkësia e Vlorës, bashkësia hebreje e Beratit ishte shumë më e paktë në numër. Megjithatë, bashkësitë e dy qyteteve kanë si karakteristikë të përbashkët tkurrjen demografike në rrjedhën e shek. XVI. Në defterin osman të sanxhakut të Vlorës të vitit 1520, pjesë e të cilit ishte edhe qyteti i Beratit, bashkësia hebreje e këtij të fundit gjendet e regjistruar me 25 shtëpi me këta emra kryefamiljarësh: Samuil Delonil, David Kalgun-i, Selemo Jahud-i (hebre - F.D.), Isak Allaman-i, Jahudi Demedia(?), Shemato(?) Selemo, Musa (Mojsi-F.D.) Is’hak-u, Jahudi Menahem-i, Shinai Selemo, Anxhelo Bunom-i, Menahem Tuluz-i, Avraham Danil-i, Isak Demolena, Mexhaleto Selemo, Shabataj David-i, Musa Josef-i, Isak Josef-i, Medal(?) Dorlend-i, Musa (Mojsi-F.D.) Josef-i (tjetri), Avraham Musa-i, Shemuil Jahoda, Josef Haim-i, Shemuil Mededia(?), Israil Josef-i, Azria. Ndërsa në defterin tjetër të hollësishëm të të njëjtit sanxhak të vitit 1583, bashkësia e hebrenjve regjistronte vetëm 11 kryefamiljarë me emrat vijues: Shimo Avraham, Selenaj(?) Samuil, Jakob Jahoda, Jasef Isak, Isak Avraham, Mojsi Avraham, Galek David, Avraham Bendxhil(?), Josheç(?) Mugolo(?), Devaid (Revaid?) Isak, (emri i fundit është i prishur-F.D.). Kjo tregon se numri I popullsisë hebreje në dekadat e fundit të shek. XVI u reduktua në atë masë sa ç’ishte edhe në fillimet e shekullit (në vitin 1506 Berati numëronte 11 shtëpi hebrenjsh). Mundësitë për të hetuar evolucionin demografik të bashkësisë hebreje të Beratit gjatë shek.XVII janë të pakta për shkak të mungesës së të dhënave dokumentare në lidhje me këtë çështje. E sigurtë është se, pavarësisht nga luhatjet numerike, hebrenjtë e ruajtën praninë e vet në këtë qytet edhe përgjatë shek.XVII-XVIII. Në vitin 1670, udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebiu, bën fjalë për ekzistencën në Berat të një mëhalle hebreje. Statusi politik dhe social i bashkësisë hebreje të Beratit, sikundër dhe asaj të Vlorës, përcaktohej nga të njëjtat rregulla mbi të cilat mbështetej statusi i hebrenjve në shkallë perandorie. Bashkësitë hebraike të vendosura në tokat e sunduara prej shtetit osman, ashtu si dhe bashkësitë e tjera jo myslimane, gëzonin një autonomi relative. Ndërsa bashkësitë ortodokse i përfaqësonte te sulltani Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, bashkësitë hebreje i përfaqësonte Rabini i Madh ose Kryerabini (Hahambashi). Bashkësitë hebraike lokale të emërtuara nga administrata osmane “xhemaate” ose “taife” (cemaat-i yahudiyân, taife-i yahudiyân, yahudi taifesi), kishin faltoret e tyre të veçanta, sinagogat, ndërsa në krye qëndronin rabinët lokalë, të cilët kishin jo vetëm pushtet shpirtëror mbi bashkësinë përkatëse por edhe pushtet politik e gjyqësor. Bashkësia hebreje e Beratit ishte e vogël, ndaj edhe mjaftohej me një sinagogë të vetme. Përndryshe, bashkësia e Vlorës në gjysmën e parë të shek. XVI ishte mjaft heterogjene nga pikëpamja e përbërjes duke qenë e ndarë në një numër minibashkësish, çdonjera nga të cilat kishte sinagogën dhe rabinin e vet. Më pas, reduktimi i vazhdueshëm dhe shkrirja e minibashkësive për shkaqe që i kemi përmendur më parë, sollën krijimin e një bashkësie të vetme të hebrenjve vlonjatë me kryetar shpirtëror një rabin dhe me një sinagogë të vetme. Autoriteti kryesor për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të bashkësive hebraike lokale ishte kadiu. Kjo duket qartë si në rastin e Vlorës ashtu edhe në atë të Beratit, ku ka raste jo të pakta kur banorët e tyre hebrenj janë në rolin e paditësit ose të paditurit ose edhe të dëshmitarit në çështjet e ndryshme gjyqësore që shqyrtonin kadinjtë e qyteteve në fjalë. Me t’u vendosur në tokat e Perandorisë Osmane, hebrenjtë e ardhur nga Perëndimi shfaqën përsëri aftësi të veçanta për t’iu përshtatur realitetit politik, social dhe ekonomik në vendbanimet e tyre të reja. Prandaj dhe nuk është e rastit që individë të ndryshëm nga bashkësitë hebreje të Vlorës dhe Beratit paraqiten në burimet e kohës si protagonistë të jetës ekonomike të qyteteve përkatëse. Edhe pse nga pikëpamja demografike, ndryshe nga bashkësia hebreje e Vlorës, ajo e Beratit zinte një përqindje mjaft të vogël të popullsisë së këtij qyteti, nga pikëpamja ekonomike dhe shoqërore, roli i saj ishte i shënueshëm. Në këto përfundime të sjellin hulumtimet që kemi mundur të bëjmë deri më tani në “gjurmët” që kanë lënë hebrenjtë e Beratit në burimet osmane të shek. XVI-XVIII, kryesisht në dokumentet e fondit të Sherijes së Beratit. Të dhënat që disponojmë aktualisht nga ky fond me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë, janë të pakta, por, megjithatë, të mjaftueshme për të mbwshtetur përfundimin e paraqitur më lart. Tregtia mbetej veprimtaria ekonomike më e preferuar për hebrenjtë e Beratit. Tregtimi i produkteve bujqësore duket se ishte një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së tyre tregtare. Për këtë qëllim tregtarë hebrenj kishin hyrë në lidhje edhe me pronarë çifligjesh të rrethinës fshatare për të siguruar produkte bujqësore, të cilat ndoshta edhe i eksportonin jashtë vendit. Sipas një dokumenti të gjetur në fondin e Sheries së Beratit, në vitin 1681(1092 H), hebreu i quajtur Popo nga ky qytet bleu të gjitha produktet bujqësore (grurin, elbin dhe thekrën) të çifligut të fshatit Brostar, nga pronaret e këtij çifligu Fatma dhe Sherifeja, kundrejt shumës prej 80 000 akçesh. Tregtarët hebrenj të Beratit frekuentonin rëndom panairet tregtare që organizoheshin në qytete të ndryshme shqiptare si në Lezhë, Elbasan, Strugë etj. Ata mbanin gjithashtu lidhje të ngushta me Janinën dhe Kosturin. Bashkësia hebraike e Beratit kishte krijuar që herët një vakëf (fondacion) me paratë që derdhnin aty pjesëtarët e kësaj bashkësie. Vakëfi në fjalë shërbente për pagimin e taksave të kësaj bashkësie si dhe për ndihmat e ndryshme për anëtarët e saj. Administratori i këtij fondacioni futej në radhën e njerëzve të rëndësishëm, përderisa ai emërohej me vendim të veçantë të kadiut (hüccet-i şer’) dhe konfirmohej me dekret të sulltanit. Në vitin 1714 (1126 H) në këtë detyrë u konfirmua hebreu Moshiko me një pagë ditore prej 2 akçesh. Me interes të veçantë është edhe njohja e vendit që zinin hebrenjtë në sistemin fiskal osman. Hebrenjtë e Beratit paguanin një sasi të konsiderueshme taksash e detyrimesh. Një vend të rëndësishëm në kuadrin e këtyre taksave zinin xhizja (taksw qw popullsitw jomyslimane i paguanin shtetit osman), ispenxha dhe e dhjeta. Xhizja e hebrenjve të Beratit shkonte për llogari të fondit që shpenzohej për veshjen e jeniçerëve të Pallatit të Sulltanit (Dergāh-i Ali yeniçerilerinin çokaları), ndërsa të ardhurat e ispenxhës duke përfshirë këtu edhe atë që paguanin hebrenjtë e Vlorës, të Janinës dhe të Artës, arkëtoheshin për nevojat e kuzhinës sulltanore (matbah-i amire). Në ndonjë rast pagesa e taksave dhe e detyrimeve ndaj pushtetit osman solli edhe ndërlikime në marrëdhëniet ndërkomunitare të hebrenjve të Beratit dhe atyre të Vlorës. Si shembull në këtë drejtim mund të sillet ngjarja që ndodhi në Berat në vitin 1685, kur hebrenjtë e Vlorës u shpërngulën për në Berat në mënyrë masive për t'i shpëtuar sulmit shkatërrues kundër Vlorës të ndërmarrë nga flota venedikase. Hebrenjtë e Vlorës qëndruan pranë bashkëkombasve të tyre në Berat për një kohë prej tre muajsh. Gjatë kësaj kohe autoritetet osmane të këtij qyteti u kërkuan hebrenjve që të paguanin një detyrim në të holla për sanxhakbeun. Për përmbushjen e këtij detyrimi u mblodhën përfaqësues të të dy komuniteteve hebreje dhe vendosën që atë ta paguajnë duke e ndarë barabartësisht midis tyre. Mirëpo më pas, kur u vendos që të paguhej edhe një detyrim i dytë, autoritetet e qytetit ua ngarkuan atë vetëm hebrenjve të Beratit, ngaqë ata të Vlorës refuzuan të paguajnë. Të revoltuar nga kjo padrejtësi ndaj tyre, hebrenjtë vendas protestuan pranë autoriteteve të qytetit. Ata kërkoinin që hebrenjtë e ardhur nga Vlora të paguanin njëlloj siç bënin edhe bashkëqytetarët e tyre vlonjatë të besimit mysliman, të cilët i paguanin detyrimet bashkë me popullsinë myslimane të Beratit, pranë së cilës ishin strehuar. Kjo grindje u zgjidh me vendimin e gjyqit, sipas të cilit hebrenjtë e Vlorës duhet të paguanin bashkë me vendësit, meqenëse të gjithë fitonin dhe ushqeheshin në të njëjtin qytet dhe se ata, në këtë rast, nuk konsideroheshin mysafirë. Duke qenë se popullsia hebreje e Beratit ishte pakësuar për nga numri i frymëve, aty nga fillimi i shek. XVIII ajo kërkonte nga autoritetet osmane uljen e taksave në përputhje me pakësimin numerik të saj. Në vitin 1708 (1120 H) në gjykatën e Sherijes të kazasë së Beratit, hebrenjtë Isak, Moshe dhe Davi, në emër të bashkësisë hebreje, deklaruan se në kushtet kur bashkësia e tyre (yahudiyân tayfesi) kishte rënë numerikisht, pagesa e taksave të rënda (tekalif-i şakka) së bashku me të krishterët e qytetit në raportin 2 me 1 (dy pjesë popullsia e krishterë dhe një pjesë hebrenjtë) e vështirësonte së tepërmi gjendjen e tyre. Në këto rrethana, ata kërkonin ndryshimin e raportit ekzistues dhe një shpërndarje më të drejtë të taksave në fjalë. Megjithatë barra e taksave dhe e detyrimeve të hebrenjve beratas duket më e lehtë se sa në ndonjë qytet tjetër, siç ishin për shembull Kosturi. Kjo mund të kuptohet edhe nga një shënim i nxjerrë nga dokumentet. Vëllezërit hebrenj Ruben dhe Shumon, banorë të qytetit të Beratit, në janar të vitit 1692 kishin shkuar në qytetin e Kosturit për të trashëguar pronat e vjehrrit të tyre. Pasi qëndruan dy vjet atje, ata ishin detyruar të shisnin gjithçka për shkak të tatimeve të rënda që kishin paguar (mbi 3 000 groshë). Në këto rrethana, personat në fjalë kishin vendosur të ktheheshin pwrswri në qytetin e Beratit.
Hebrenjtë dhe shqiptarët në shekujt e Mesjetës
Hulumtimi dhe ndriçimi i së kaluarës historike të hebrenjve të Shqipërisë merr një rëndësi të të veçantë, po të kemi parasysh se studimi i historisë së shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa ndriçimin e historisë së komuniteteve joshqiptare, të cilat për shekuj të tërë jetuan së bashku me popullsinë vendase duke i shtuar një përmasë të re dhe mjaft interesante historisë së kësaj të fundit.
Diaspora hebraike ka qenë një faktor i rëndësishëm i historisë antike dhe mesjetare të Evropës. Kalvari i hebrenjve i cili fillon të përshkallëzohet që nga koha e sundimit romak, është i mbushur me shpërngulje masive nga vendbanimet e tyre historike drejt vendeve të ndryshme të Perëndimit apo të Lindjes. Nga kjo pikëpamje, tokat shqiptare, për vetë pozitën e tyre gjeopolitike (urë kalimi nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas), pa dyshim që jo vetëm nuk mbetën anash, por u shndërruan edhe në një nga koridoret kryesore të eksodit hebraik drejt Perëndimit që nga kohët e hershme.
Gjurmë të pakta por mjaft domethënëse të mbetura nga kohët e hershme të zhvillimit të këtij procesi, mund të konsiderohen toponime ose mikrotoponime që ekzistojnë ende sot e kësaj dite në pjesë të ndryshme të territorit shqiptar. Kështu për shembull, studiuesit e historisë së hebrenjve janë të prirur që disa emra vendbanimesh në Shqipërinë Jugore si Palasa, Orikumi dhe Finiqi, t’i lidhin përkatësisht me emrat e vendbanimeve të vjetra hebraike si Palestina, Jeriko dhe Fenikia, çka konsiderohet si shenjë e pranisë hebreje në territoret shqiptare që në kohë të vjetra.
Vendngulime hebrenjsh në Shqipëri duhet të kenë ekzistuar që nga koha romake. Sipas një legjende, mbi dy mijë vjet më parë, një anije plot me skllevër hebrenj nga Palestina humbi kursin gjatë rrugës duke shkuar për në Romë dhe u ankorua në brigjet e Shqipërisë së sotme, duke zbarkuar këtu të gjithë pasagjerët. Këta të fundit mundën t’u shpëtojnë ndjekjeve të pushtetit romak duke u fshehur në viset malore të køtij vendi.
Gjurmë të pakta por mjaft domethënëse të pranisë hebreje që nga kohët e vjetra mund të konsiderohen gjithashtu edhe toponime ose mikrotoponime që ekzistojnë ende sot e kësaj dite në pjesë të ndryshme të territorit shqiptar. Kështu për shembull, studiuesit e historisë së hebrenjve janë të prirur që disa emra vendbanimesh në Shqipërinë Jugore si Palasa e Orikumi, t’i lidhin përkatësisht me emrat e vendbanimeve të vjetra hebraike Palestina e Jeriko.
Një ekip shqiptaro-izraelit arkeologësh kanë zbuluar në Sarandë (emra të atëhershëm të qytetit ishin edhe Anchiasmon ose Onchesmos) një objekt kulti mjaft interesant i cili kohësisht datonte në shek. V-VI pas Krishtit dhe që kryente një funksion të dyfishtë duke shërbyer edhe si faltore hebreje (sinagogë) edhe si faltore e krishterë (kishë).
Praninë e një komuniteti të fuqishëm hebre në qytetin bregdetar të Sarandës e vërteton edhe një mbishkrim i vitit 521 gjetur në një gur varri të një varreze hebreje në Venoza të Italisë, ku përmendet emri Augusta që e mbante vajza e Yishait, kreut të komunitetit hebre të Anchiasmos-it (Sarandës).
Pas një mungese disashekullore të informacioneve nga burimet historike mesjetare, vijmë në vitin 1170 kur historiani hebre Beniamini i Tudelës, midis njoftimeve në lidhje me hebrenjtë e Ballkanit, përmend edhe banorë të disa viseve shqiptare që jetonin në male, që nuk ishin të besimit të krishterë dhe që fëmijëve u vinin emra me prejardhje hebraike, ngaqë rridhnin prej hebrenjve, të cilët i konsideronin vëllezër. Njoftime të tilla japin shkas të mendohet se prania e hebrenjve në vise të caktuara të hapësirës shqiptare ka qenë dukuri e hershme edhe e historisë mesjetare të Shqipërisë. Interesant në këto njoftime është gjithashtu fakti se bëhet fjalë për praninë e hebrenjve edhe në pjesën rurale të vendit.
Me gjithë rëndësinë që kanë njoftime të tilla, thelbin e traditës hebraike në Shqipëri e përbëjnë bashkësitë e hebrenjve që u vendosën dhe jetuan në disa qytete kryesore shqiptare, në radhë të parë në ato të Durrësit dhe Vlorës.
Njoftimet e para dokumentare në lidhje me bashkësinë e hebrenjve të qytetit të Durrësit i përkasin shek. XIII. Studiues të shquar të historisë mesjetare të Shqipërisë kanë zbuluar dhe paraqitur të dhëna interesante në lidhje me bashkësinë në fjalë. Këto të dhëna i përkasin sferës tregtare, ku siç dihet, hebrenjtë shquheshin si subjekte mjaft vepruese.
Edhe gjatë shek. XIV hebrenjtë e Durrësit, ndonëse të pakësuar numerikisht, vijonin të luanin një rol të rëndësishëm në tregtinë me Raguzën dhe Venedikun. Në duart e tyre gjendej sidomos eksport-importi i kripës, një nga mallrat kryesore në shkëmbimet tregtare të pellgut të Adriatikut në Mesjetë. Megjithatë, si rezultat i ndryshimit të rrethanave politike, roli i bashkësisë së hebrenjve të Durrësit erdhi duke rënë derisa në fillimet e shek. XV ajo përmendet në burimet e kohës si “e paktë në numër dhe skajshmërisht e varfëruar”. Ka shumë gjasa që aty rreth mesit të shek. XV Durrësi të jetë braktisur tërësisht nga banorët hebrenj.
Pjesë e historisë mesjetare të hebrenjve në trevat shqiptare është edhe qyteti i Vlorës, qendra ekonomike më e rëndësishme e bregdetit të Shqipërisë Jugore. Kolonia hebreje e Vlorës duhet të jetë po aq e hershme sa dhe ajo e Durrësit. Megjithëse shfaqja në burimet historike të publikuara deri më sot e hebrenjve të Vlorës është më e rrallë se sa e atyre të Durrësit, edhe ato pak njoftime që kemi, mjaftojnë për të arritur në përfundimin se bashkësia hebreje e Vlorës në mesjetë është pjesë e rëndësishme e popullsisë së këtij qyteti dhe faktor me peshë në marrëdhëniet tregtare të tij me qendrat kryesore të hapësirës adriatike.
Në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek. XV hebrenjtë vlonjatë kishin një rol të veçantë në tregtinë me Raguzën (Dubrovniku i sotëm). Ata eksportonin për në Raguzë indigon dhe garancën (bimë ngjyrosëse - F.D.), mallra këto që më pas rieksportoheshin për në Siçili. Nga ana tjetër, pjesëtarë të bashkësisë së hebrenjve të Vlorës në gjysmën e parë të shek. XV shquheshin për rolin e tyre të rëndësishëm në tregtinë e kripës në tërë pellgun e Adriatikut dhe të Jonit.
BASHKËSITË HEBREJE NË SHQIPËRINË OSMANE: RASTI I VLORËS
Periudha osmane përbën një nga kapitujt më interesantë të historisë së hebrenjve shqiptarë dhe atyre ballkanas në tërësi, studimi i të cilit përbën një detyrim të pashmangshëm për historianët e fushës së osmanologjisë. Një shembull mjaft domethënës i bashkëjetesës së popullsisë shqiptare dhe asaj hebreje gjatë periudhës së mësipërme ka qenë Vlora. Në vitin 1417 qyteti i Vlorës u pushtua prej turqve osmanë. Megjithatë fuqia ekonomike dhe prestigji shoqëror i individëve nga bashkësia hebraike ekzistuese e qytetit duket se nuk ishte nënvleftësuar nga administrata e re, përderisa ndonjërin prej tyre e shohim të integruar edhe në sistemin e ri osman të timarit. Në defterin e regjistrimit të sanxhakut shqiptar të vitit 1431/2 një hebre me emrin Hajo, është regjistruar si ruajtës i kalasë (mustahfiz) së Kaninës, shërbim për të cilin atij i ishte dhënë timari me të ardhura prej 761 akçesh po në vilajetin e Kaninës. Sipas një shënimi anësor të vitit 1452 në defterin e lartpërmendur, ky timar kalonte në duart e të birit të islamizuar të Hajos, i cili kryente të njëjtin shërbim si i ati, veçse jo në Kaninë, por në kështjellën e sapondërtuar të Rumeli Hisarit në Stamboll. Ky shembull është domethënës edhe nga një pikëpamje tjetër: me vendosjen e sundimit osman në Ballkan edhe hebrenjtë e vendosur këtu iu nënshtruan proceseve karakteristike të periudhës së re, siç ishin integrimi në strukturat e reja ekonomike dhe ushtarako-administrative osmane, islamizimi etj.
Hulumtimet e kryera nga studiues të njohur të historisë mesjetare shqiptare, veçanërisht të temës hebreje, si A. Dyselier, G. Veinstein etj., i kanë çuar këta të fundit në përfundimin se në mbarim të viteve 40 të shek.XV hebrenjtë e Vlorës zhduken nga burimet historike. Disa të dhëna dokumentare të shek. XVI e bëjnë të besueshëm mendimin se pjesëtarë të bashkësisë hebreje të Vlorës rreth mesit të shek. XV u zhvendosën për në Stamboll. Sipas një të dhëne tjetër, në vitet 1482-1484 një hebre nga Vlora përmendet midis garantëve të sipërmarrësve hebrenj të doganës së Stambollit, gjë që e bën më të qëndrueshëm mendimin e shprehur më lart. Veçse arsyet e zhvendosjes së hebrenjve vlonjatë për në kryeqytetin e shtetit osman ende mbeten të paqarta. Studiuesit i lidhin ato me koniunkturën e re politike që krijoi në Shqipëri lufta antiosmane e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por nuk përjashtojnë edhe ndikimin që mund të ketë pasur në këtë mes politika e re e deportimeve (sürgünler) të ndjekur prej sulltan Mehmetit II për ripopullimin e Stambollit menjëherë pas pushtimit të tij në vitin 1453.
Gjithçka u shtjellua më sipër tregon se mesi i shek. XV shënon mbylljen e periudhës mesjetare të bashkësisë hebraike të Vlorës për të ardhur më pas në fundin e këtij shekulli dhe fillimin e shekullit pasardhës, kur çelet një edicion i ri dhe mjaft interesant i jetës hebreje në këtë qytet. Fillimet e kësaj periudhe kanë lidhje me një shpërngulje masive të hebrenjve, veçse këtë herë me drejtim perëndim-lindje. Fuqizimi i qarqeve antisemitike në Evropën Perëndimore nxiti në shkallë të paparë ndjekjet dhe persekutimet kundër hebrenjve. Gjeografia e furtunës antihebraike përfshiu pothuajse tërë hapësirën evropiano-katolike, duke filluar nga gadishulli Iberik e deri në Hungari. Aksionet politike për homogjenizimin fetar nëpërmjet krishterizimit total të popullsisë, të shoqëruara edhe nga praktika e inkuizicionit, i shtrënguan hebrenjtë të braktisnin vendbanimet e tyre duke emigruar drejt Ballkanit.
Gjatë eksodit të ri hebraik (Perëndim-Lindje), valët e të cilit erdhën duke u shtuar gjatë shek. XVI, tokat shqiptare u shndërruan jo vetëm në urë kalimi për refugjatët hebrenj drejt Lindjes, por edhe në vendpritje e vendngulime të rëndësishme për ta. Pikërisht qyteti i Vlorës, i cili jo vetëm kishte një traditë hebraike si element përbërës të historisë së tij mesjetare, por tashmë përfaqësonte një nga portet më në zë të Perandorisë Osmane në Adriatik, u bë njëkohësisht edhe një nga vendngulimet kryesore të refugjatëve hebrenj të fundit të shek. XV dhe të fillimit të shek.XVI në arealin ballkanik.
Që nga fundi i shek. XV, por sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit vijues, numri i hebrenjve të larguar nga Spanja e Portugalia, sa vinte e shtohej. Këtyre iu shtuan edhe grupe refugjatësh të zhvendosur nga Sicilia, Kalabria, Pulja etj., të cilët, pasi kaluan Otranton, u vendosën në Vlorë. E njëjta gjë vijoi edhe më pas, kur, me dëbimin e parë zyrtar nga Mbretëria e Napolit (vitet 1510-1511), një masë e konsiderueshme hebrenjsh të shpërngulur nga territori i kësaj mbretërie, zbarkoi në mjaft pika të bregdetit shqiptar, duke u përqendruar kryesisht në qytetin e Vlorës. Të gjitha këto kontigjente hebrenjsh të vendosur rishtas në këtë qytet, ose krijuan bashkësi të reja ose iu bashkëngjitën asaj ekzistuese, duke përtërirë dhe zgjeruar radhët e saj tashmë të tkurrura tej mase. Të dhënat e burimeve osmane të fillimit të shek.XVI për qytetin e Vlorës janë shumë domethënëse për të kuptuar lidhjen e drejtpërdrejtë midis dinamikës interesante të migrimit hebre nga Perëndimi drejt Ballkanit dhe evolucionit të shpejtë të gjendjes social-demografike të qytetit në fjalë.
Sipas defterit përmbledhës (mücmel) të regjistrimit të livasë (sanxhakut-F.D.) së Vlorës të vitit 912/1506-1507 (i pari dokument i kësaj natyre që kemi për shek.XVI në lidhje me sanxhakun e lartpërmendur), kolonia hebreje e qytetit kishte arritur në 97 shtëpi kundrejt 665 shtëpive shqiptare të krishtera.
Mirëpo, brenda një kohe të shkurtër, pikërisht në fund të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të mësipërm, rritja numerike e popullsisë hebreje të Vlorës duket tepër befasuese. Sipas një defteri tjetër osman të livasë së Vlorës, në vitin 1520 në qytet numëroheshin 531 shtëpi hebrenjsh kundrejt 836 shtëpive të krishtera (shqiptare). Sipas të dhënave të sipërpërmendura, në vitin 1520 kolonia hebreje e vendosur në Vlorë përbënte 39% të popullsisë qytetare (njehsuar duke marrë për bazë numrin e shtëpive). Vlerësuar nga ky tregues (përqindja e popullsisë hebreje) Vlora linte prapa në këtë kohë qendra të rëndësishme të Perandorisë Osmane të banuara nga hebrenjtë, siç ishin për shembull vetë kryeqyteti i Perandorisë Stambolli, Manastiri, Shkupi, Terhalla, Serezi, Edirneja (Adrianopoli), Bursa etj., duke u renditur menjëherë pas kryeqendrës hebreje të Ballkanit, Selanikut.
Kolonia hebreje e Vlorës së gjysmës së parë të shek.XVI paraqitej në formën e një mozaiku bashkësish të ndryshme nga njëra-tjetra në pikëpamje social-kulturore, gjë e cila reflektonte në njëfarë mënyre tërë gjeografinë e shpërnguljeve të hebrenjve iberikë dhe atyre italikë. 531 shtëpitë hebreje të regjistruara në vitin 1520 në qytet gjendeshin të grupuara në 14 mëhallë të veçanta.
Përveç bashkësive hebreje të ardhura nga vende të ndryshme të Gadishullit Iberik dhe atij Apenin, pjesë e kolonisë hebreje të Vlorës në vitin 1520 ishte edhe një bashkësi e ardhur nga Mezistra e Moresë. Ka shumë të ngjarë që ky kontigjent hebrenjsh të ketë ardhur gjithashtu nga Gadishulli Iberik dhe të jetë vendosur vetëm përkohësisht në Moré për të ardhur më pas në qytetin e Vlorës.
Fluksi i madh i imigracionit hebre drejt Vlorës në fillimet e shek. XVI është i lidhur para së gjithash me ritmet e shpejta të zhvillimit të qytetit gjatë kësaj kohe. Vlora tashmë ishte shndërruar në portin kryesor osman të Adriatikut, në qendër të rëndësishme të tregtisë shqiptare me Perëndimin, si dhe në një nga pikat strategjike me rol të veçantë për shtetin osman. Kësisoj, kapacitetet pranuese të qytetit për imigrantët hebrenj ishin zgjeruar së tepërmi, sidomos për të tillë imigrantë të cilët gëzonin aftësi të veçanta për t’u përfshirë me sukses në këtë dinamikë të shpejtë të jetës ekonomike të qytetit.
Mirëpo, ndërsa në vitet 20 të shek.XVI prania hebreje në Vlorë shënoi maksimumin e vet, më vonë ajo erdhi duke rënë, derisa 60 vjet më pas, në vitin 1583, ajo shfaqet e pakësuar në mënyrë të ndjeshme. Nga të dhënat e defterit të hollësishëm osman të livasë së Vlorës të përpiluar në vitin e mësipërm, mësojmë se numri i përgjithshëm i kryefamiljarëve hebrenj të qytetit të Vlorës ishte 212 veta (afërsisht po aq edhe shtëpi). Banorët hebrenj, ndryshe nga viti 1520 kur ishin të regjistruar në trajtën e disa bashkësive, tashmë ishin grupuar në një të vetme, nën emërtimin “bashkësia e hebrenjve të qytetit të Vlorës (cemaat-i yahudiyân-i nefs-i Avlonya)”, e vendosur në gjashtë mëhallë të veçanta banimi: mëhalla Dhaskal (Vangal, Vasal?) me 54 kryefamiljarë, mëhalla Shelemo Ahron me 41 kryefamiljarë, mëhalla Kadush (Temedush?) me 37 kryefamiljarë, mëhalla Moseliç me 31 kryefamiljarë, mëhalla Moisi Perolzekali(?) me 25 veta dhe së fundi, mëhalla Moisi Heqimi (Mjeku-F.D.) me 24 veta.
Ritmet e larta të rënies numerike të bashkësisë së banorëve hebrenj të Vlorës në rrjedhën e shek.XVI (pas viteve 20) vihen re edhe në vitet e fundit të këtij shekulli. Një defter osman i vitit 1597 ka të regjistruar vetëm 50 kryefamiljarë hebrenj.
Studiuesit janë përpjekur që të zbulojnë edhe shkaqet e tkurrjes së bashkësisë së hebrenjve të Vlorës gjatë shekullit të lartpërmendur. Ndikues në këtë drejtim janë largimet e herëpashershme të hebrenjve vlonjatë për në vende të tjera për shkak të kushteve të papërshtatshme klimatike, shoqërore dhe ekonomike të qytetit. Një rol i veçantë në këtë mes i jepet edhe epidemisë së murtajës që preku Vlorën në vitin 1557.
Me gjithë rëndësinë e padiskutueshme të faktorëve të mësipërm, ne mendojmë se rolin kryesor në tkurrjen e bashkësisë hebreje të Vlorës në rrjedhën e shek.XVI e kishin ngjarjet e stuhishme që shkaktonin konfliktet periodike të shtetit osman me shtetet e Perëndimit, në radhë të parë me Venedikun. Vlora ishte një nga qytetet që, për hir të pozitës strategjike të tij, mbante barrën më të rëndë të ballafaqimeve ushtarake osmano-venedikase. Dihet se Vlora ka qenë gjithashtu “viktimë” e këtyre ballafaqimeve si në vitet 30 ashtu edhe në vitet 70 të shekullit të mësipërm, rrjedhimisht, një gjendje e tillë lufte e tensioni shkaktonte largime masive të banorëve hebrenj të qytetit për në vendbanime të tjera më të qeta. Tani për tani na mungojnë të dhëna dokumentare konkrete në lidhje me eksodin hebraik nga Vlora drejt vendeve të tjera për shkak të ngjarjeve të tilla në vitet e sipërshënuara.
Megjithatë ne mund të gjykojmë për efektin e jashtëzakonshëm të këtyre ngjarjeve për zhvendosjet e mëdha të hebrenjve të qytetit nëpërmjet të dhënave dokumentare të shek. XVII. Në vitin 1685 sulmet shkatërruese të koalicionit antiosman perëndimor kundër Vlorës shkaktuan shpërnguljen e mjaft familjeve hebreje të këtij qyteti drejt Beratit, ku qëndruan tre muaj pranë bashkëkombasve të tyre beratas.
Ky proces tkurrjeje të bashkësisë hebreje të Vlorës në rrjedhën e kohës është pasqyruar edhe në një regjistrim osman të vitit 1695, në të cilin bashkësia e mësipërme gjëndet e regjistruar si mëhallë më vete (mëhalla e hebrenjve, osmanisht: mahalle-i yahudiyân) me 61 kryefamiljarë (po kaq mund të llogaritet edhe numri i shtëpive).
Sikundër shihet, bashkësia hebreje e Vlorës gjatë kohës prej afër njëshekullore (1597-1695) del të jetë shtuar vetëm me 11 shtëpi, shtesë, e cila, ndonëse nuk është e madhe, tregon qartë se kurba demografike e bashkësisë së lartpërmendur gjatë shek.XVII ka njohur një farë ngjitjeje, ndryshe nga shekulli paraardhës gjatë të cilit ajo njohu rënie drastike.
